Berisha: “Ne, kombi më i ri në Evropë, me plot energji drejt BE”

Shefi i ekzekutivit u shpreh dje se kombi shqiptar është një komb i ri dhe si i tillë ka dy avantazhe kryesore: është mendje hapur dhe ka energji
Kryeministri Berisha priti në një takim, një grup studentësh të universitetit “Universum” të Kosovës. Kryeministri pati një bisedë me studentët, të cilët shfaqën interes për zhvillimet e bashkëpunimin mes dy vendeve.
Kryeministri risolli në vëmendje emocionet e publikimit pak ditë më parë, të abetares së parë të unifikuar për të gjithë shqiptarët, duke theksuar se ky moment mbart një vlerë të veçantë, nis një proces ndonëse jo të thjeshtë, për të njësuar të gjitha procedurat e praktikat.
“Kombi, theksoi Kryeministri, është një, jeton në dy vende - kjo është diçka tjetër - por shqiptarët kudo që janë duhet të ndihen një komb me dy administrata, me standarde të njëjta, me kushte të njëjta dhe nuk duhet të gjejnë dallim midis Tiranës dhe Prishtinës, midis Prizrenit dhe Kukësi, midis Gjakovës dhe Shkodrës”.
Duke u ndalur në ndryshimet e mëdha që shqiptarët kanë arritur, Kryeministri tha se kombi shqiptar është një komb i ri dhe si i tillë ka dy avantazhe kryesore: është mendje hapur dhe ka energji.
“Sot, tha Kryeministri, ne sërish jemi kombi më i ri në Europë. Detyrat i kemi më të vështira si në Shqipëri dhe në Kosovë, por kemi energji dhe kemi mundësi të madhe. Ne, këtu dhe në Kosovë do të bëjmë gjithçka për shkollimin tuaj, ne do të mund të realizojmë objektivat tona, vetëm kur të vendosim kombin në binarët e dijes”.
Kryeministri e konsideroi të domosdoshme fokusimin në fushën e dijes, duke i ftuar të rinjtë ta konsiderojnë shkollimin investimin më të madh të jetës. Dy vendet kanë potenciale të jashtëzakonshme zhvillimore, ndaj duhet bërë gjithçka për një rritje cilësore, të shpejtë të softit kombëtar të dijes.
“Shqipëria, tha Kryeministri, ka fondin e ekselencës dhe unë ju garantoj se secili prej jush dhe çdo shqiptar kudo që ndodhet, të fitojë të drejtën për të ndjekur 15 universitet më të mira të botës, qeveria shqiptare do t’i paguajë bursën me një kontratë, sipas të cilës, po qe student do të kthehet të punojë 7 vjet dhe po qe Doktor i Shkencave, 5 vjet”.
Dy qeveritë, tha më tej Kryeministri, do të përcaktojnë një model të përbashkët arsimimi të fëmijëve. Ne do të bëjmë gjithçka, por shumë gjëra do t’i vazhdoni ju, sepse ky është një projekt i gjatë.
“Projekti i bashkimit është ideali i përjetësisë së shqiptarëve, por kjo është një periudhë, ku ne nuk kemi asnjë interes kombëtar në rivizatimin e kufijve të Ballkanit, sepse nuk duhet të pranojmë të humbasim qoftë dhe një pëllëmbë tokë dhe shqiptarët kanë nevojë për një periudhe jo të shkurtër zhvillimi në paqe dhe liri, në mënyrë që të dominojnë territoret që atyre ju përkasin, nuk kanë asnjë pëllëmbë toke të huaj dhe pastaj do të vendosin për interesin e tyre, sepse interesi kombëtar është dinamik. Njëherë ishte përmbysja e diktaturës, më pas çlirimi i Kosovës. Interesi kombëtar është dinamik, vazhdon gjithnjë pasurohet, tani interesi kombëtar është integrimi në Bashkimin Europian, tha në përfundim Kryeministri, duke ju drejtuar njëherësh të rinjve një këshillë: Në çdo moshë, në çdo situatë, në çdo gjendje, cilido qoftë, njeriu nuk paguan gjë më të shtrenjtë, sesa po mendoi apo e ndjeu veten të lodhur ndaj interesit kombëtar”.