Ina Rama: “Diverolin pyeteni edhe për Gërdecin”
Kryeprokurorja e Shqipërisë, Ina Rama, ka dërguar një letër-kërkesë në Kongresin Amerikan, ku kërkon që Efraim Diveroli të merret në pyetje për çështjen e Gërdecit. Teksa pritet që nesër Komisioni Hetimor i Kongresit Amerikan në Uashington të diskutojë mashtrimin 300 milionë dollarësh të presidentit të kompanisë “AEY”, sot Ina Rama ka dërguar pyetjet rreth çështjes së Gërdecit. Në këtë kërkesë zyrtare prokurorja e Përgjithshme shqiptare i ka kërkuar Kongresit Amerikan që të pyesë Diverolin edhe mbi trafikun e armëve të ndaluara, të cilat bliheshin në Shqipëri dhe dërgoheshin në Afganistan. Gjithë afera e Diverolit, ku përfshihet dhe Shqipëria, doli në dritë pas ngjarjes tronditëse që ndodhi në Gërdec, për të cilën tashmë është nën hetim ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ndërkohë, Prokuroria shqiptare është duke hetuar për çështjen e Gërdecit dhe tragjedinë që u shkaktua më 15 mars. Në këtë hetim është përfshirë edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet nga Prokuroria për këtë ngjarje, ndërkohë që vetëm një javë më parë Kuvendi miratoi edhe heqjen e imunitetit të tij. Për këtë hetim kryeprokurorja Ina Rama e ka cilësuar tepër të rëndësishme deklaratën e Diverolit pas arrestimit të tij. Presidenti i kompanisë “AEY” u arrestua të premten në Florida së bashku me tre persona të tjerë, zëvendëspresidenti i “AEY”-së, David Pakouz, Aleksandër Podrizki, i cili përfaqësonte kompaninë “AEY” në Shqipëri dhe Ralf Merrill, një partner biznesi i Diverolit në Utah, që i jepte kompanisë asistencë financiare dhe menaxheriale. Ata akuzohen për mashtrim dhe konspiracion ndaj Ushtrisë Amerikane, pasi kanë gënjyer për origjinën e armëve, me qëllim përfitimi të paligjshme.
24 Qershor 2008