E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, e fundit në Evropë për përdorim interneti, me diferencë të theksuar me vendet e rajonit

Nga Tema

Shqipëria është e fundit në Evropë për sa i përket përdorimit të internetit, madje me diferencë të theksuar me shtetet e tjera të rajonit. Vetëm 16 për qind e shqiptarëve raportohet se kanë përdorur internetin gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Internet World Stats. Informacionet e mbledhura nga IWS janë marrë nga burimet të ndryshme. Ajo që bie në sy është se vendet e rajonit tonë janë mjaft aktive për sa i përket përdorimit të internetit. Kosova është më lart se Shqipëria me pesë për qind më shumë përdorues të internetit. Ndërsa Maqedonia është në pararojë. Atje 44 për qind e popullatës përdorin internetin dhe trendi është në rritje të vazhdueshme dhe masive.

Edhe Moldavia ka një numër pak më të madh përdoruesish të internetit se Shqipëria. Kryeministri shqiptar e ka kartë të fortë të fushatës së tij elektorale përhapjen e internetit nëpër shkolla. Por një përqindje kaq e ulët e shtrirjes së internetit tregon krejt të kundërtën. Shërbimi i rrjetit global të komunikimit ofrohet në tarifa shumë të larta, ndërsa ato shkolla ku mundësohet navigimi në internet, e kanë shumë të kushtëzuar atë për përdorim nga nxënësit, të cilët ulen përpara tij vetëm kur shkojnë kamerat dhe ndonjë zyrtar për vizitë. Fakt është që madje fakultetet kryesore të vendit nuk e kanë një shërbim të tillë, pa folur më pas për qytetarët e thjeshtë. Shumë familjarë thonë se çmimet janë të papërballueshme.

Kryeministri megjithatë ka premtuar se internetin do e përdorin dhe pensionistët. Një tarifë mujore interneti është sa një pension i tyre, megjithatë kryeministri edhe para dy ditësh bëri një premtim të tillë.

“Ne u përqendruam tek informatika dhe ngritëm kabinetet e informatikës. Mësimi dixhital, ilustrimi i eksperimenteve, i mësimit, i hipotezave si në kimi, fizikë etj., me standarde që janë të përbashkëta për të gjitha shkollat, e bën për nxënësit më të lehtë dhe më të shpejtë kuptimin e tyre. Ne duhet të lartësohemi gjithnjë e më shumë në këtë drejtim. Ne do t’ua çojmë fëmijëve internetin edhe në shtëpi. Ne do të përpiqemi që edhe pensionistët të përdorin internetin. Ju duhet të fuqizoni kabinetin e informatikës, të grishni komunitetin dhe t’i jepni mundësi për komunikim elektronik çdokujt që nuk ka kompjuter në shtëpi”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›