Ambasadori danez sulmon gjykatësit e korruptuar: Po betonizojnë bregdetin
Një nga shpresat më të mëdha që kanë investitorët, por edhe qeveria, është që të huajt të vërshojnë në Shqipëri për të blerë apartamente në bregdet, nga ato që njihen me emrin shtëpi e dytë.
Por deri më tani një gjë e tillë rrallë ka ndodhur. Madje edhe kur ka ndodhur, të huajt që kanë blerë shtëpi është dashur të përballen me realitetin shqiptar.
Ka ndodhur kështu me katër familje, dy suedeze dhe dy daneze, që kanë blerë apartamente në Sarandë, 150 metër larg detit, me një kontratë që specifikon se ata do kenë pamje nga deti. Por papritur para tyre ka mbirë një pallat që u zë pamjen, 30 metër larg detit. Familjarët janë ankuar dhe për këtë çështje ka reaguar edhe ambasadori danez në Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen. Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa thotë se ata e kanë pezulluar ndërtimin, por çështja ka shkuar në gjykatë, e cila i ka hapur rrugë ndërtimit. Për këtë arsye ambasadori Jensen tha se nëse një gjykatës i korruptuar jep një vendim të tillë, dëmtohet reputacioni i Shqipërisë. Betonizimi i bregdetit është një parashikim i zymtë për investimet e të huajve. Nëse një nëpunës i shërbimit civil apo një gjykatës i korruptuar jep një vendim që nuk është në përputhje me ligjet, kjo shkatërron reputacionin e Shqipërisë, tha Jensen. Ai tha se kjo do mbajë larg Shqipërisë të huajt dhe do dëmtojë vetë qytetarët shqiptarë.
Bashkia e Sarandës është ankuar se gjykatësit po shkatërrojnë bregdetin duke u hapur rrugë ndërtimeve.