Ambasadori gjerman, Borshard, përfundon misionin diplomatik në Shqipëri
Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi dje paradite takimin e lamtumirës me Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Bernd Borshard me rastin e përfundimit të mandatit të tij në vendin tonë. Kreu i shtetit shqiptar, pasi i cilësoi si shumë të mira marrëdhëniet dypalëshe dhe miqësinë tradicionale dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në shumë fusha, e falenderoi ambasadorin Borshard për punën dhe aktivitetin e tij diplomatik disavjeçar, në shërbim të rritjes dhe thellimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë në rrugëtimin integrues të vendit tonë në NATO dhe më vonë në Bashkimin Evropian. Ambasadori gjerman, Bernd Borshard shprehu mirënjohjen ndaj presidentit, Topi dhe gjithë institucioneve të shtetit shqiptar, për mbështetjen e pakursyer dhe bashkëpunimin e frytshëm, që ia bënë më të lehtë përmbushjen e misionit të tij diplomatik në të mirën reciproke të dy popujve dhe vendeve tona.
29 Korrik 2010