E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët akuza Prokurorisë: “Të reagojë për ministrat e korruptuar”



Socialistët i kanë bërë thirrje dje Prokurorisë së Përgjithshme që të reagojë ndaj akuzave të PS-së ndaj ministrave të kabinetit Berisha. Sipas selisë rozë Prokuroria e Përgjithshme duhet të ndërmarrë hapa për hetimin e pasurive të ministrave të korruptuar të qeverisë Berisha. Ata rendisin një sërë padish që Partia Socialiste ka depozituar pranë organit të Prokurorisë ndaj ministrave dhe deputetëve të PD-së, ndërkohë që sipas tyre ende nuk ka një reagim nga ana e organit të akuzës. Në emër të Partisë Socialiste Arta Dade, ndërsa ka bërë thirrje për hetimin e ministrave demokratë, ka akuzuar prokurorinë si një organ nën varësinë e kryeministrit. Dade është shprehur se është koha që Prokuroria e Përgjithshme të tregojë se nuk është një institucion në kthetrat e Berishës.
Akuza
“Vazhdojmë të kërkojmë dhe të presim hapa të rëndësishëm që duhet të ndërmerren urgjentisht nga Prokuroria, e cila shpresojmë t’i ketë shpëtuar kthetrave të Sali Berishës dhe koalicionit që ai drejton. Gjithashtu organet e drejtësisë, që në raste të ngjashme, fatkeqësisht, mund të kenë qenë të dominuar nga politika, duhet të veprojnë në zbatim të ligjit dhe të bëjnë drejtësi, për këto afera korruptive, që kanë vënë në rrezik demokracinë dhe kanë zhytur në varfëri të skajshme shumicën e shqiptarëve”, - është shprehur deputetja Arta Dade. Sipas saj në këto 20 vite të pluralizmit politik, qeveria Berisha është më e korruptuara. Deputetja ka vazhduar të rendisë akuzat drejtuar ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. “Shqipëria ka qeverinë më të korruptuar në 20 vjet tranzicion. Sali Berisha ka instaluar kulturën e pandëshkueshmërisë, listës së ministrave të korruptuar të qeverisë së mëparshme iu shtuan dhe ministrat e koalicionit. Rasti tronditës korruptiv i Ministrit të Ekonomisë vërteton katërcipërisht që ky koalicion është krijuar vetëm mbi interesa okulte, korruptive. Sali Berisha është përgjegjësi kryesor i instalimit dhe i thellimit të korrupsionit në qeverinë e tij dhe është i detyruar t’i japë përgjigje opozitës dhe shqiptarëve për fitimin korruptiv prej 1.8 milionë eurosh brenda një viti të krizës ekonomike të ministrit të tij dhe të skemës nepotike të ngritur mbi kapacitetet korruptive që rrënojnë çdo ditë ekonominë, jetën sociale dhe politike të vendit”, - është shprehur Dade.
Paditë
Partia Socialiste ka depozituar pranë Prokurorisë jo pak por nëntë padi ndaj ministrave dhe deputetëve të Partisë Demokratike. Shumica e padive përmban akuzën e shpifjes ndaj deputetëve demokratë, ndërsa ministri i Ekonomisë Prifti akuzohet për korrupsion. Sipas PS-së, kanë shpifur dhe akuzuar padrejtësisht kreun e Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kreun e PS-së, Edi Rama, të paditurit Sali Berisha, Sokol Olldashi, Aldo Bumçi, Ferdinand Poni, Gerti Bogdani, Florion Mima, Lajla Përnaska, Erla Mëhilli dhe Dritan Prifti. “

Ilir Beqja rrëzon deklaratat e Berishës për parashikimet në buxhet

Deputeti i PS-së, Ilir Beqja i ka cilësuar gënjeshtra deklaratat e kryeministrit Berisha për buxhetin e shtetit, rritjen ekonomike, dhe uljen e borxhit publik. Sipas Beqjas duke iu referuar informacioneve të ministrisë së Financave shifrat rezultojnë ndryshe nga ato që deklaron kreu i qeverisë. “Berisha gënjeu për buxhetin. Para dy ditësh, në vend që t’u fliste hapur shqiptarëve për situatën e vështirë të ekonomisë së vendit, Sali Berisha zgjodhi përsëri rrugën e gënjeshtrës. Sali Berisha deklaroi se borxhi publik në vitin 2005 ka qënë 70%. Gënjeshtër! Vetë informacioni zyrtar i Ministrisë së Financave thotë se ka qënë 57 %. Sali Berisha deklaroi se fondi i pensioneve është 109 miliardë lekë. Gënjeshtër! Vetë ligji i buxhetit i miratuar ditën e hënë thotë se është 75 miliardë lekë. Sot duam të përsërisim se është kriminale t’u japësh pensionistëve shtesë më pak se inflacioni. Sot duam të përsërisim se është kriminale t’u japësh personave me aftësi të kufizuar 2 mijë lekë më pak se detyrimi ligjor. Sali Berisha deklaroi se të ardhurat nga tatimet janë dyfishuar krahasur me vitin 2004. Ai deklaroi se në vitin 2004 të ardhurat tatimore kanë qënë 50 miliardë lekë. Gënjeshtër! Informacioni zyrtar i Ministrisë së Financave thotë se kanë qënë 78 miliardë lekë”, është shprehur Beqja ndërsa shtoi se qeveria gjatë vitit 2009 ka mbledhur 32 milionë dollarë më pak të ardhura. “Jo vetëm që ka krijuar një defiçit prej 77 milionë dollarësh, por ka mbledhur 32 milionë dollarë më pak se në vitin 2009. Kjo është një tjetër dëshmi se vendi është në krizë dhe se arsyeja kryesore e kësaj krize është korrupsioni në administrimin fiskal. Frika nga këto të vërteta i detyruan Berishën, Topallin dhe Boden të mbyllin në mënyrë të turpshme votimin e buxhetit ditën e hënë. Frika nga këto të vërteta e detyruan Berishën të flasë përçart edhe para 20 minutash”, - është shprehur deputeti i PS-së.

Berisha: “Buxheti për 2011, në shtator do të miratohet në Kuvend”

Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka deklaruar se buxheti i ri duhet të mbërrijë në dyert e kabinetit të tij më 1 shtator dhe brenda këtij muaji të kalojë më pas në Parlament. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Berisha ka theksuar se ky buxhet ka përparësi ndihmën sociale për shtresat e varfëra, që ka qenë dhe një nga premtimet kryesore të koalicionit. “Buxheti duhet të dorëzohet në qeveri më 1 shtator dhe brenda këtij muaji qeveria duhet ta dërgojë në Parlament. Buxheti i vitit të ardhshëm është një buxhet përcaktues në zbatimin e programit të koalicionit qeveritar. Ky buxhet duhet para të gjithave t’i qëndrojë parimit të zemrës së dhimbshme, parimit të qeverisë së shërbesave dhe shërbimeve, pra të përmirësojë më tej frymën sociale, qëndrimin e njerëzishëm të qeverisë ndaj 800 e 20 mijë familjeve shqiptare”, - ka pohuar Berisha. Kryeministri ka rikonfirmuar planin e ekzekutivit të tij për rritjen e rrogave dhe pensioneve, duke saktësuar se fondi për pensionet në 5 vitet e fundit është dyfishuar. “Rritja e rrogave dhe pensioneve do të jetë sërish në axhendën e kësaj qeverie. Mbajtja e këtij premtimi ka bërë që sot fondi për pensionet, nga 50 miliardë lekë që ishte në 2005, sot të jetë 109 miliardë”, - ka nënvizuar Berisha, duke iu përgjigjur edhe akuzave të opozitës që e konsideron rritjen e rrogave dhe pensioneve të papërfillshme. Kreu i qeverisë ka shtuar gjithashtu se do të vazhdojë programin për përmirësimin e gjëndjes sociale të familjeve shqiptare. “Të dalësh dhe ta shpallësh rritjen e presioneve një akt kriminal do të thotë të kesh humbur dhimbshurinë. Kjo është. Buxheti do forcojë më tej fytyrën sociale të kësaj qeverie. Ne jemi ata që kemi dyfishuar fondet ekonomike për invalidët. Iu kujtoj kritikëve tanë, se jo tani por në 2007-ën në raportin e KE thuhet se qeveria ka rritur mbështetjen ekonomike për njerëzit në nevojë dhe kjo do të vazhdojë”, - ka shtuar Berisha.

29 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›