PD-ja sulmon Topin, reagon Presidenca: Akuzat e PD-së, për të spostuar vëmendjen nga politika
Eljona Ballhysa
Pas betejës me dekretet për anëtarë të Gjykatës së Lartë, demokratët kanë hapur dje një tjetër “front” me kreun e shtetit, duke e akuzuar atë për shkelje të Kushtetutës. Deputeti i PD-së, Eduard Halimi ka akuzuar presidentin Topi se ka shkelur afatet kushtetuese në lidhje me mosdekretimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, mandati i të cilit ka përfunduar në muajin qershor. Sipas Halimit ky është një rast i paprecedëntë i shkeljes së Kushtetutës. Më tej në emër të komisionit të Ligjeve, Halimi i kërkon Presidentit të dekretojë sa më parë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, të insititucionit që është garant i Kushtetutës dhe njëkohësisht ai kërkoi thirrjen urgjente të parlamentit për të bërë emërimin e tij. Fill pas akuzave të PD-së ka reaguar këshilltari ligjor i presidentit, Spiro Peçi, i cili i cilësoi akuzat e PD-së të pavërteta dhe që bëhen për të larguar vëmendjen nga politika e ditës. Peçi argumentoi se në bazë të Kushtetutës zgjedhja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese duhet bërë nga rradhët e anëtarëve të kësaj gjykate, por katër prej 9 anëtarëve i ka përfunduar mandati. Pra më parë duhet të zgjidhen katër anëtarët të cilëve i ka përfunduar mandati dhe më pas të zgjidhet kryetari i Gjykatës. Më tej Peçi tha se në këtë veprim nuk shkelje të Kushtetutës, për shkak se Gjykata vazhdon të funksionojë dhe se funksioni i kryetarit të Gjykatës është i njejtë më atë të anëtarëve.
Akuza
“Në Shqipëri ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë. Kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën e Republikës, duke mos ushtruar detyrimin kushtetues për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, emërim që duhej të ishte bërë që prej datës 4 qërshor 2010. Ky përbën një akt të rëndë dhe të paprecedentë në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Përbën një fyerje të rëndë për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Në frymën e tij, ligji dhe Kushtetuta duhet të zbatohen pa kushte, si nga qytetaret dhe nga Presidenti i vendit”, është shprehur Halimi i cili më pas i është referuar nenit 125 të Kushtetutës. “Neni 125 i Kushtetutës së Republikës thotë se: Kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet të emërohet nga Presidenti me pëlqim të Kuvendit, vetëm për një periudhë 3-vjeçare. Paraardhësi i z.Kristo ka dhënë dorëheqjen nga detyra ditën që i mbaroi mandati i kryetarit dhe ka vazhduar më tej detyrën e tij si gjyqtar. Kushtetuta dhe precedenti kushtetues akuzojnë rëndë Presidentin e Republikës për një shkelje të paprecedentë të tyre”, është shprehur Halimi. Në emër të Komisionit të Ligjeve ai i kërkoi Presidentit të dekretojë sa më shpejt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Madje Halimi tha se palamenti mund të thirret në një seancë të jashtëzakonshme për të emëruar sa më parë kreun e Gjykatës Kushtetuese. “Është fyese për shqiptarët të përdoret si justifikim, skadimi i mandatit të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetutese, ndërkohë që edhe dekretimi i tyre është fund e krye kompetencë e Presidentit të Republikës”,- është shprehur Halimi.
Reagimi
Fill pas kësaj deklarate ka ardhur reagimi i Presidencës. Këshilltari ligjor i presidentit Topi, ish-deputeti Spiro Peçi ka rrëzuar poshtë akuzat e PD-së, duke u shprehur se ato janë të pavërteta dhe duke dhënë argumenta që vërtetojnë të kundërtën.
“Duke u nisur nga një debat i orëve të fundit, në media, lidhur me mosdekretimin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, të cilit i ka mbaruar mandati, prej Presidentit të Republikës dhe me qëllim për të sqaruar opinionin publik, dua të deklaroj para jush se çdo koment i bërë, se Presidenti i Republikës është në shkelje të Kushtetutës nuk i përgjigjet realitetit ligjor dhe situatës së krijuar. Çdo deklaratë e bërë në këtë drejtim është e frymëzuar politikisht me qëllim që të spostohet vëmendja nga problemet mjaft të rëndësishme që ka sot politika shqiptare”, është shprehur që në krye të fjalës së tij këshilltari i Presidentit të Republikës. “Siç dihet, në Nenin 125 të Kushtetutës është përcaktuar se Presidenti i Republikës emëron kryetarin e Gjykatës Kushtetuese prej radhëve të anëtarëve të kësaj Gjykate për një afat tre-vjeçar. Nga ky nen buron një detyrim i dyfishtë i Presidentit të Republikës. Së pari me mbarimin e afatit tre-vjeçar dhe së dyti, kjo zgjedhje do të bëhet nga radhët e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Siç dihet, nga nëntë anëtarë që duhet të ketë Gjykata Kushtetuese, sot katër prej tyre janë me mandat të mbaruar. Nuk do të ishte logjike, madje nuk do të ishte ligjore, që Presidenti i Republikës të kufizonte të drejtën e përzgjedhjes nga radhët e nëntë anëtarëve që duhet të ketë Gjykata Kushtetuese. Gjithsesi askush nuk mund të pengojë Presidentin e Republikës që të përzgjedhë edhe nga një numër i kufizuar anëtarësh, sepse realisht njëri do të zgjidhet kryetar i Gjykatës, por përpjekjet nuk kanë të bëjnë vetëm me vullnetin e Presidentit, por kanë të bëjnë me vullnetin e atyre që Presidenti mendon se mund të jenë kandidatë për t’u emëruar si kryetarë të Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Peçi. Më tej ai ka bërë me dije se Presidenti i Republikës që në fillim të muajit qershor, kur ka mbaruar mandati i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ka thirrur Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, zotin Vladimir Kristo dhe i ka propozuar që ta rikandidonte si kryetar të kësaj Gjykate, propozim, i cili është refuzuar prej tij. Jo vetëm kaq, por në vazhdim të një procesi për emërimin e kryetarit të Gjykatës, Presidenti i Republikës ka thirrur edhe dy anëtarë të tjerë të kësaj Gjykate, por ka qenë e pamundur që numri që mendonte Presidenti i Republikës për të zgjedhur kryetarin, të arrihej. “Në këto kushte, është mëse e logjikshme, mëse e drejtë, siç e thashë edhe në fillim, ligjore, që Presidenti i Republikës duhet të emërojë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese nga radhët e anëtarëve të kompletuar të kësaj Gjykate. Ju bëj me dije se ky proces do të përfundojë që në ditët e para të shtatorit me fillimin e sesionit të ri të Kuvendit të Shqipërisë. Presidenti i Republikës, në funksion të detyrimit kushtetues që ka, ka ndjekur, jo vetëm për kryetarin, por për të gjitha vendet vakante që ka Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, një procedurë transparente, një procedurë publike, e cila ka sjellë risi në zgjedhjet e këtyre anëtarëve për vende mjaft të rëndësishme. Siç jeni në dijeni, pranë Presidentit të Republikës është ngritur një grup ekspertësh me funksione konsultative, të cilët kanë përcaktuar kriteret përtej kritereve ligjore që përcakton Kushtetuta si dhe ligji organik, qoftë i Gjykatës së Lartë, qoftë i Gjykatës Kushtetuese”, - është shprehur Peçi. Ai gjithashtu ka hedhur poshtë pretendimet se mungesa e kryetarit ka bllokuar Gjykatën Kushtetuese, duke bërë të ditur se “qenia apo jo e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, me mandat apo pa mandat nuk pengon veprimtarinë gjyqësore të kësaj Gjykate. Kryetari i Gjykatës është i barabartë si gjithë anëtarët e tjerë të Gjykatës në procesin gjyqësor dhe në vendimmarrjen e kësaj Gjykate”.
Dorëzon Letrat Kredenciale ambasadori i Shqipërisë në Bosnjë
Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë, Flamur Gashi, ka paraqitur dje Letrat Kredenciale presidentit të Bosnjës-Hercegovinës, Haris Silajdic. Pas dorëzimit të Letrave Kredenciale, ambasadori Gashi u prit në një takim të veçantë nga presidenti Silajdic, gjatë të cilit u vlerësuan marrëdhëniet politike mes dy vendeve dhe u theksua rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh ekonomik, kulturor dhe turistik si dhe e bashkëpunimit shumëpalësh në kuadër të nismave ndërkombëtare dhe rajonale. Në këtë kuadër, presidenti i Bosnjë-Hercegovinës vlerësoi vendimin qeverisë së shqipërisë për të hapur ambasadën e saj në Sarajevë dhe shprehu bindjen se shumë shpejt duhet të hapet edhe ambasada e Bosnjë-Hercegovinës në Tiranë. Gjithashtu ambasadori Gashi e informoi presidentin Silajdic, rreth një sërë nismave dypalëshe dhe shumëpalëshe që do të mbahen në Tiranë gjatë muajve të ardhshëm duke veçuar këtu nismën e Presidentit Topi për mbajtjen së afërmi të forumit të 7- të Ekonomik Rajonal të vendeve të Evropës Juglindore, nismën e organizimit gjatë vitit 2011 të një forumi të Biznesit Shqipëri-BH nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Berisha apo edhe mbi organizimin e vizitave njohëse të kompanive turistike në Shqipëri nën mbikëqyrjen e Zv. Kryeministrit Meta.
29 Korrik 2010