Ambasadori holandez të shpallet person i padëshiruar
Tiranë- Kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit ka bërë edhe një herë thirrje që të ndalohet parada gay në Tiranë.
Nëpërmjet një konference për shtyp Ekrem Spahia u shpreh se parada e paralajmëruar për në datën 17 maj nuk duhet të zhvillohet pasi PLL- aj është për një shoqëri të shëndoshë.
Por Spahia argumentin e tij nuk e la me kaq, ai ka kërkuar që ambasadori i Hollandës në Shqipëri të shpallet si person i padëshiruar, kjo pas deklaratave të tij në mbrojtje të homoseksualizmit.
Veçojmë qendrimet e ambasadorit të Holandës në Tiranë, i cili më shumë se çdo gjë po shqetësohet për hallin e homoseksualëve. Ai nuk duhet të dalë jashtë rolit të statusit diplomatik e të lëshojë fyerje ndaj deputetëve dhe zyrtarëve të vendit ku shërben. Partia Lëvizja e Legalitetit kërkon që ambasadori aktual holandez të shpallet përson i papërshtatshëm dhe të largohet nga Shqipëria, deklaroi Spahia.
Deklarata e Spahisë ka ardhur si një sulm ndaj ambasadorit holandez i cili në një deklaratë për mediat i cilësoi ofenduese deklaratat e kreut të PLL- së për komunitetin gay.