E Diel, 1 Nëntor 2026

Rohan: Serbia s’mund të hy në BE, pa e njohur Kosovën

Albert Rohan, , zëvendës i ndërmjetësuesit në negociatat për statusin e Kosovës, ka thënë se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, pa e njohur paraprakisht shtetin e ri. Ai, në një intervistë për Rubikon në KTV, ka theksuar se kjo është e qartë për të gjitha vendet e BE-së.

“Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa e njohur Kosovën. Ju nuk mund të bëheni anëtar i një klubi nëse nuk flisni me anëtarët e tjerë të atij klubi. Ky është një pozicion që mendoj se e kanë shumica e vendeve të Bashkimit Evropian”, ka theksuar Rohan.

Ai ka nënvizuar se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën nënkupton njohje reciproke. “Sipas meje, kjo do të thotë njohje dhe asgjë tjetër. Pse Turqia ka aq shumë probleme tashti? Sepse nuk e ka njohur Republikën e Qipros si përfaqësuese të ishullit dhe të gjithë i thonë asaj se gjersa nuk e njeh Qipron, nuk do të ketë anëtarësim në BE. Kështu që këto janë principet e qarta që i kam unë në mendje”, ka thënë zëvendësi i Presidentit Ahtisaari.

Rohan, edhe njëherë tha se për veriun e Kosovës nuk duhet të ketë asnjë zgjidhje tjetër, përveç asaj që parashihet me Planin e Ahtisaarit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›