E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ministrja Xhaçka, takim me trupin diplomatik për situatën në Ukrainë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, për informimin e qëndrimit të Shqipërisë ndaj agresionit rus mbi Ukrainën, si dhe bashkëpunimin në mbështetje të Ukrainës. Zonja Xhaçka, në fjalën e saj, u shpreh se lufta që ka ardhur në Evropë “është e paprovokuar dhe pa asnjë arsye”. Ministrja Xhaçka u shpreh se Shqipëria është në krye të përpjekjeve për të mbështetur Ukrainën. 

“Këto janë kohë shumë të vështira dhe shumë sfiduese. Kohë shumë të dhimbshme dhe tragjike gjithashtu që shpresonim se nuk do t’i shihnim më kurrë në kontinentin evropian. Për ne në Ballkanin Perëndimor, kjo është veçanërisht e dhimbshme dhe dhimbja e miqve tanë ukrainas krijon një rezonancë në një mënyrë veçanërisht të fortë, sepse ne ende i kujtojmë imazhet e tmerrshme nga Bosnja dhe Hercegovina dhe nga Kosova, luftërat e fundit në Evropë siç menduam. Jo vetëm kaq, por si një rajon që është parë prej kohësh nga Rusia si një një zonë e pambrojtur nga BE ndaj sulmeve, si një rajon që ka përjetuar ndërhyrjen ruse dhe përpjekjet për të fermentuar tensionet dhe konfliktet, ne ndjehemi të shqetësuar për çfarë po ndodh. Lufta ka mbërritur në Evropë. Lufta ka mbërritur në Evropë pa arsye racionale. Lufta ka ardhur sepse Rusia, ose më mirë presidenti i saj, dhe lidershipi i saj – aq sa udhëheqja e saj mund të bëjë gjithçka pa e thënë presidenti – vendosën se nuk mund të jetonin me një Ukrainë paqësore dhe demokratike, si fqinjin e tyre dhe ndërmorën një luftë të paligjshme agresioni ndaj një fqinji paqësor në shkelje të hapur të të gjitha ligjeve dhe normave që drejtojnë sjelljen e qytetëruar dhe sistemin e bazuar në rregulla ndërkombëtare. Në të vërtetë, mund të thuhet se dëshira për të shkatërruar sistemin e bazuar në rregulla është një motivues i fortë për Vladimir Putin”, tha Xhaçka. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›