Ambasadori i KE-së në Tiranë, z. Helmuth Lohan, i dorëzoi Kryeministrit Berisha Progres Raportin për Shqipërinë për vitin 2009

- Kryeministri Berisha: Ne kemi kaluar një provë shumë të rëndësishme, siç ka qenë prova e zgjedhjeve. Në këtë kontekst, raporti ka vlerësimin e tij më objektiv
- Ambasadori Lohan: Përmbledhja e përgjithshme që del nga ky raport është që marrëdhëniet Shqipëri -Bashkimi Evropian janë marrëdhënie inkurajuese
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetarin e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadorin Helmuth Lohan, i cili i dorëzoi Kryeministrit Progres Raportin për Shqipërinë për vitin 2009.
Ambasadori Lohan u shpreh se në raport theksohet se Shqipëria ka dëshmuar një implementim të mirë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe ka arritur progres të dukshëm për sa u përket kritereve politike. Shqipëria ka shënuar një progres të qartë në reformat ekonomike, duke shënuar nota shumë të larta në veçanti për sa u përket politikave europiane. Progres i qartë është bërë gjithashtu në përafrimin e legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Europian. Ambasadori Lohan u shpreh gjithashtu se në raport evidentohet qartësisht se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian janë shumë inkurajuese.
Për sa i përket liberalizimit të vizave, theksoi Ambasadori Lohan, raporti evidenton qartësisht se Shqipëria i ka të gjitha shanset që të përfshihet në propozimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave, në rast se do të vendoset për një propozim për vendet e rajonit.
Kryeministri Berisha e vlerësoi raportin si një raport objektiv dhe inkurajues për qeverinë shqiptare dhe theksoi si dhe falënderoi Ambasadorin Lohan, delegacionin e Komisionit Europian në Tiranë dhe Komisionin Europian për punën serioze që kanë bërë në hartimin e këtij raporti dhe e siguroi Ambasadorin Lohan se ky raport, ashtu si edhe raportet e mëparshme, do të përbëjë shtyllën kryesore të punës së qeverisë për periudhën në vijim, sikundër prioritetet e integrimit të Shqipërisë në Bashkim Europian kanë qenë e mbeten objektivat mbi të cilat mbështetet program i qeverisë.
Duke iu referuar gjetjeve të raportit, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij të veçantë për faktin që raporti qartësisht evidenton atë ç’kanë bërë edhe raportet e tjera ndërkombëtare, se zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 i plotësuan standardet kryesore të zgjedhjeve të lira e të ndershme, një ngjarje kjo jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi mbyll për Shqipërinë kapitullin e zgjedhjeve problematike.
Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe Ambasadori Lohan deklaruan për mediat;
Kryeministri Berisha: “Zonja dhe zotërinj,
Ambasadori Lohan më dorëzoi Progres Raportin për Shqipërinë për periudhën nga tetori i vitit 2008-të deri në tetorin e vitit 2009-të. Unë shfrytëzoj rastin për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri dhe Komisionit Evropian, për ndihmën e madhe që i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtij viti dhe për raportin e tyre objektiv që kanë miratuar për Shqipërinë. E sigurova ambasadorin Lohan se ky raport do të jetë program pune për të gjitha ministritë dhe agjencitë e këtij vendi.
Ndërkohë, dua të shpreh kënaqësinë time më të madhe për faktin se ne kemi kaluar një provë shumë të rëndësishme, në radhë të parë para qytetarëve shqiptarë, por edhe para partnerëve, miqve tanë dhe para Komisionit Evropian, siç ka qenë prova e zgjedhjeve. Në këtë kontekst, raporti ka vlerësimin e tij më objektiv, sigurisht të bazuar edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare për zgjedhjet. Unë e garantova ambasadorin Lohan se qeveria mbetet e vendosur të punojë në mënyrën më serioze për adresimin e të gjitha problemeve të ngritura nga institucionet ndërkombëtare, për përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor. Edhe një herë, theksoj se zgjedhjet kanë qenë një moment fondamental, por dhe një qëllim madhor i përpjekjeve të mia dhe të qeverisë. Dhe, natyrisht, largimi nga situatat e mëparshme është një dëshmi e funksionimit të demokracisë në këtë vend. Kur bëj fjalë për funksionimin e demokracisë, jam absolutisht i vetëdijshëm se kjo demokraci ka nevoja të mëdha për përmirësime, për përsosje dhe konsolidim të mëtejshëm. Në këtë kontekst, të gjitha kritikat objektive që adresohen në raport ndaj qeverisë dhe institucioneve të vendit tonë do të marrin trajtimin më serioz gjatë vitit në vazhdim. Në trajtimin e tyre ne do të kemi ndihmën e plotë të Delegacionit dhe të Komisionit Evropian, ndihmë për të cilën kemi nevojë.
Raporti vlerëson arritjet në të gjitha fushat, por evidenton edhe mangësitë dhe problemet që duhet të trajtohen. Nuk më vjen mirë që të citoj veten time, por do të përdor edhe një herë një frazë që e kam përdorur vjet përpara jush, se unë do ta firmosja atë plotësisht.
Edhe njëherë, shfrytëzoj rastin të shpreh respektin tim më të madh për Komisionin Evropian, i cili mban gjithnjë gjallë dhe të fuqishme frymën e zgjerimit dhe nuk manifeston asnjë shenjë euroskepticizmit, por vetëm të euroseriozitetit, europozitivizmit, duke inkurajuar Shqipërinë dhe vende të tjera në rrugën e integrimit.
Faleminderit!
Ambasadori Lohan: “Zoti Kryeministër,
Jam mirënjohës sërish që kam mundësinë t’ju dorëzoj Progres Raportin për Shqipërinë për vitin 2009. Kam pasur mundësinë që t’ju theksoj juve mesazhet kryesore në raport, për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, për kriteret politike, për kriteret ekonomike dhe për kriteret e Bashkimit Evropian, të cilat vlerësohen në raport.
Faleminderit edhe njëherë zoti Kryeministër. Po ashtu, e kuptoj dhe e vlerësoj rëndësinë që i jepni ju progres raportit dhe që do të vazhdoni t’i kushtoni atij gjatë muajve të ardhshëm dhe vitit në vijim. Tani do të doja që të ndaja me audiencën të paktën një nga konkluzionet e dala nga Raporti, ku përmbledhja e përgjithshme është që marrëdhëniet Shqipëri -Bashkimi Evropian janë marrëdhënie inkurajuese.
Faleminderit!”
14/10/2009