E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori i KE-së Lohan i dorëzon Kryetares së Kuvendit raportin e progresit për vitin 2009.

  Ambasadori i KE-së në Shqipëri, Helmut Lohan i dorëzoi sot Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli  raportin e progresit për vitin 2009 për Shqipërinë si edhe një letër nga Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, dërguar Kryetares së Kuvendit.   Duke nënvizuar çështjet kryesore të raportit të progresit, ambasadori Lohan tha se mesazhi kryesor është inkurajues dhe thekson marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe BE-së. 
Në raport, tha ambasadori Lohan theksohet se Shqipëria e ka zbatuar mirë MSA-në dhe ka adresuar në përgjithësi kriteret  politike.   Përsa i përket parlamentit ambasadori Lohan nënvizoi se raporti  thekson se Parlamenti ka miratuar një numër të madh ligjesh për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe kapacitetet menaxhuese të parlamentit janë përmirësuar.   Kryetarja e Kuvendit e vlerësoi  raportin e progresit si realist dhe objektiv. Ajo tha se ky raport do tu shpërndahet të gjithë deputetëve dhe do të përbëjë një udhërrëfyes për parlamentin.   Do doja të ndaj me ju, tha ambasadori Lohan, atë që komisionieri për zgjerimin Oli Rehn tha në konferencën e tij i pyetur për Shqipërinë se: Shqipëria ka bërë reforma të mira.   Duke cituar raportin ambasadori Lohan tha se përsa i përket kritereve ekonomike Shqipëria po bën progres në funksionimin e ekonomisë së tregut.   E gjej me interes, tha ai, progresin e nënvizuar në zhvillimin e industrisë së vogël e të mesme që është thelbësore për aquis communitare.   Ambasadori Lohan dhe Kryetarja e Kuvendit diskutuan edhe për vijimin e bashkëpunimit mes dy insitucioneve veçanërisht në përafrimin e legjislacionit dhe për rritjen e kapaciteteve të parlamentit.
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›