E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit takon ambasadorin e Indonezisë, Immanuel Robert Inkiriwang.

  Marrëdhëniet me Shqipërinë do të jenë në focus të politikës së jashtme të Indonezisë , tha sot ambasadori indonezian Immanuel Robert Inkiriwang, në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.   Ambasadori Inkiriwang, pasi uroi Kryetaren e Kuvendit për rizgjedhjen e saj, shprehu bindjen në intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.   Ambasadori indonezian, i cili mbulon marrëdhëniet me Shqipërinë nga rezidenca në Sofje, tha se në çdo udhëtim të tij në Shqipëri, ve re gjithnjë  transformime të mëdha  si në infrastrukturë ashtu edhe në zhvillimin e vendit.  

Në takim u evidentuan burimet e mëdha kulturore të të dy vendeve, që përbëjnë një bazë të mirë për forcimin e lidhjeve dypalëshe.

Biseda u fokusua edhe në bashkëpunimin ekonomik dhe  nxitjen e  investitorëve indonezianë për investime në Shqipëri në infrastrukturë apo turizëm.   Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Indonezisë do të vijnë gjithnjë e në rritje, duke shprehur dëshirën për intensifikimin e shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë por edhe në fushën e  biznesit.   Kryetarja e Kuvendit i përcolli ambasadorit të Indonezisë urimet më të përzemërta për Kryetarin e ri të parlamentit indonezian, Marzuki Alie dhe ftesën për një vizitë zyrtare të afërt të tij në Shqipëri.


   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›