VENDIM PER SHPËRBLIMIN E PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE, SI DHE PËR PËRCAKTIMIN E SIPËRFAQEVE TAKUESE TË KËTYRE PASURIVE
V E N D I M
PËR
SHPËRBLIMIN E PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE, SI DHE PËR PËRCAKTIMIN E SIPËRFAQEVE TAKUESE TË KËTYRE PASURIVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale, në qarqet e Tiranës, të Shkodrës, Vlorës dhe Elbasanit.
2. Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, të shpërblehen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 57 377, 77 (pesëdhjetë e shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e shtatë, presje shtatëdhjetë e shtatë) m2, tokë truall, me vlerë të përgjithshme 252 074 670, 24 (dyqind e pesëdhjetë e dy milionë e shtatëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë presje njëzet e katër) lekë.
3. Vlera e përgjithshme për shpërblimin të përballohet nga fondi i kompensimit të pronave, parashikuar nga ligji nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.
4. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në përputhje me këtë vendim, të kryejë ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për kalimin e pasurisë së paluajtshme të kompensuar, në pronësi të shtetit.
5. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
05/11/2008