E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth: Partitë politike ta trajtojnë prioritare reformën zgjedhore

15-09-2011 / Gazeta 55

Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, ambasadori Eugen Wollfarth deklaron se forcat politike s’duhet të humbasin kohë, por të nisin bashkëpunimin në parlament për përgatitjen e kodit të ri zgjedhor. “Presim nga partitë politike ta marrin seriozisht reformën. Duhet mirë kuptim dhe kontribut nga partitë. E rëndësishme të vazhdojë puna në Kuvend”- tha Wollfarth. Këto deklarata kreu i prezencës së OSBE në Tiranë i bëri pas takimit të tij në Durrës, ku ishte i ftuar në ceremoninë e mbylljes së shkollës verore të grave të zgjedhura si kandidate këshillash bashkiakë dhe komunalë, në kuadër të projektit për gratë në qeverisje. Duke vlerësuar situatën e sistemit gjyqësor në Shqipëri, Wollfarth theksoi se sistemi gjyqësor ka nevojë të reformohet për shkak të problemeve që paraqet. “Duhet reformë në gjyqësor. Në Shqipëri ka vonesa për proceset gjyqësore”- nënvizoi ambasadori i OSBE. Ndërkohë gjatë takimit ku Wolfarth ishte i ftuar, në kuadër të projektin “Gratë në qeverisje”, ambasadori vlerësoi se zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në vend treguan se pjesëmarrja e gruas në politikë mbetet ende e ulët. Ambasadori i OSBE renditi një sërë arsyesh për këtë fakt. “Faktin që shumë parti politike nuk e respektojnë kuotën gjinore. Faktin që strukturat e administrimit zgjedhor nuk e kanë rregulluar kuotën gjinore në mënyrë strikte. Mungesën e proceseve demokratike brenda partive politike dhe mungesën e kontrollit vendor të listave të kandidatëve”- nënvizoi Ëollfarth. Sipas kreut të prezencës së OSBE duhet një rishikim i Kodit Zgjedhor përpara zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës. “Për të arritur përfaqësim domethënës gjinor në të gjithë organet legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive nevojitet një zbatim më i mirë dhe mundësisht ndryshime të Kodit Zgjedhor dhe të legjislacionit përkatës, përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Le të shohim sa serioze do të tregohen partitë politike në hapat që do të ndërmarrin për përmbushjen e detyrimeve të tyre demokratike, me qëllim që 50% e popullsisë të thonë më në fund realisht fjalën e tyre për mënyrën sesi duhet qeverisur vendi”- përfundoi fjalën e tij ambasadori i OSBE Eugen Wollfarth.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›