Dumani: Pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar, prokurorët të kenë mundësi rikandidimi

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani tha sot gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës së SPAK gjatë vitit 2024 në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, se e mbështet mundësinë e rikandidimit të prokurorëve pas përfundimit të mandatit nëntëvjeçar.
“Çështjen e statusit dhe fatin e prokurorëve ne e diskutojmë së bashku me kolegët. Unë nuk kam deklaruar kurrë apo propozuar ndonjë ndryshim pa u konsultuar me të gjithë prokurorët dhe kemi shkuar drejt një mendimi unanim të të gjithëve. Ne kemi propozuar jo rinovim automatik të mandatit, që do të thotë se në përfundim të afatit 9-vjeçar, prokurori të mos riemërohet automatikisht pa garë. Propozimi është që të bëhet ndryshim kushtetues, që prokurorëve në përfundim të mandatit t’u jepet mundësia për të rikandiduar, që do të thotë të rikandidojnë me prokurorë të tjerë. Kështu bëhet e mundur edhe vijueshmëria e institucionit. Kuptohet, për ata që duan ta vazhdojnë, ndërkohë që normalisht do të ketë edhe nga ata që nuk duan të vazhdojnë më tej”, tha Dumani.
Kreu i SPAK, nënvizoi idenë se në përfundim të mandatit 9-vjeçar, prokurorëve t’u jepet një mandat i ri përmes rikandidimit, por jo riemërim automatik.
“Dhe është një mundësi e mirë që prokurorët e SPAK, në përfundim të mandatit, të rikandidojnë, por t’u thuhet: Faleminderit për këto nëntë vjet, por ne si Këshill ju themi që performanca juaj nuk është e tillë sa për ta rinovuar përsëri kontratën për të vazhduar funksionin në SPAK. Ndërsa varianti i dytë, ashtu siç ju e thatë, është që prokurorët e Prokurorisë së Posaçme të kenë mundësinë që, në përfundim të mandatit 9-vjeçar, të atashohen në Prokurorinë e Apelit. Unë jam për variantin e parë: që prokurorëve të SPAK, në përfundim të mandatit 9-vjeçar, t’u jepet mundësia të rikandidojnë për një mandat të ri, por theksoj: jo të riemërohen. Jemi kundër riemërimit automatik dhe pro rikandidimit”, pohoi Dumani.
/a.f/r.e/