Paraqitet studimi i fizibilitetit të hekurudhës kuqezi Durrës-Prishtinë, Balluku: Nyjë ndërlidhëse e tre korridoreve evropiane

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Në Shkodër u prezantua sot studimi i fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë. Parashikohet që hekurudha të kalojë nga Durrësi, në Shkodër, për të vijuar në Gjakovë e më pas në Prishtinë.
Në ceremoninë e rastit morën pjesë autoritete të larta shtetërore të dy vendeve si dhe kryetarët e bashkive ku pritet të kalojë hekurudha, si Shkodra e Gjakova.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se ky është një moment historik për Shqipërinë.
Balluku shtoi se “nuk flitet për një hekurudhë por për një lidhje kombëtare pasi është hekurudha kuqezi, flitet për një nukël gjeopolitike e cila e kthen kombin shqiptar në një pol magnetizmi për ekonominë dhe ndërlidhjen europiane”.
Sipas Ballukut, kjo hekurudhë do të jetë një nyje ndërlidhëse e tre korridoreve evropiane dhe do t’i japë një rëndësi të veçantë gjithë zhvillimit politik dhe gjeopolitik Evropës Juglindore.
“Shpeshherë flasim për ndërlidhje rajonale, për ekonomi rajonale, por korridoret e infrastrukturës dhe ato energjetike nuk janë rajonale, janë europiane. Kjo hekurudhë do të lidhet përmes Korridorit të 8 përmes të gjitha akseve të tjera që janë bërë publike. Gjithashtu, do të lidhet dhe me Korridorin e 10, por nga ana tjetër prek edhe korridorin Adriatiko-Jonian në një gjatësi shumë të rëndësishme të tij duke e kthyer kështu si një nyje ndërlidhëse të tre korridoreve evropiane dhe duke i dhënë kësaj hekurudhe në dukje kombëtare, një rëndësi të veçantë për të gjithë zhvillimin politik dhe gjeopolitik të Evropës Juglindore”, tha Balluku.
Duke u ndalur tek Shkodra, Balluku tha se “e meriton që të jetë nyja ndërlidhëse e kombit tonë”.
“Shkodra është kryeqendra e veriut. Shkodra është një nga pjesët më të rëndësishme të Shqipërisë, në ekuivalencë të plotë me Tiranën dhe Shkodra e meriton që të jetë nyja ndërlidhëse e kombit tonë. E meriton edhe për shkak se sot tek futesha në Shkodër dhe tek shikoja ecurinë e punimeve në Urën e Bahçallëkut, aty ku pas pak ditësh do të kemi edhe inspektimet e para, fillova të dalloj, si çdo herë kur vij këtu, edhe se kam qenë para dy muajsh, ndryshimin e madh që ndodh. Shkodra ka marrë një hije të një qyteti europian pasi e gjithë kjo bukuri që e ka trashëguar ndër vite ishte fshehur nga një tis i cili për të thënë të drejtën u deshën disa njerëz punëtorë dhe me vizion që t’ja hiqnin një herë e mirë dhe ti nxirrnin në sipërfaqe shkëlqimin që ka. Dhe me këtë shkëlqim që ka, Shkodrës i takon plotësisht me ligj dhe me kanun që ta ketë këtë stacion të kombit shqiptar, një stacion hekurudhor, i cili unë besoj që pastaj aty do të harxhojmë të gjithë kohën tonë për ta dizenjuar, ashtu siç duhet, dhe për të qenë siç e kam folur me Benetin, jo thjesht një stacion tranzit, por një stacion si stacionet europiane, ku mund të ketë edhe bibliotekë, mund të ketë edhe qendër komerciale dhe gjithçka tjetër i përket kryeqytetit të veriut të Shqipërisë”, theksoi zv.kryeministrja.
“Gjakova e cila mbart një histori të jashtëzakonshme. E cila ka vlera të paçmuara, si për vendndodhjen e saj strategjike, ashtu dhe për ekonominë që zhvillon, por padyshim edhe gjeografikisht për gjithë ndërlidhjen që arrin të bëjë midis Shqipërisë edhe Fushë Kosovës”, shtoi ajo. /j.p/
1 nga 9