E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i Ukrainës: Ekonomia shqiptare, në rritje

Ambasadori i Ukrainës për Shqipërinë, Valeri Tsybukh, vlerëson zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ai vlerësoi faktin që në një kohë krize globale financiare, ekonomia e Shqipërisë është në rritje. Më tej në takimin mes tyre është diskutuar për domosdoshmërinë e një impulsi të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Tsybukh tha se politikat e Ukrainës ecin paralelisht me politikat e BE-së dhe ata janë të interesuar për një thellim të bashkëpunimit me Shqipërinë. Kryetarja e Kuvendit shprehu interesin për intensifikimin e marrëdhënieve, veçanërisht në planin ekonomik e tregtar. Ajo nënvizoi se ky bashkëpunim duhet të bëhet në rrafsh konkret, përmes shtimit të marrëveshjeve ekonomike, kontakteve ekonomike e tregtare apo vendosjes së lidhjeve direkte midis dhomave te tregtisë e industrisë. Ambasadori Tsybukh i përcolli kryetares së Kuvendit përshëndetjet nga Kryetari i Parlamentit të Ukrainës bashkë me ftesën për një vizitë zyrtare të kryetares në Ukrainë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›