Ambasadori i ri amerikan: "Palët të angazhohen në një dialog konstruktiv"

Arvizu, thirrje politikanëve të Tiranës të shikojnë më tepër interesat e vendit, se sa rivalitetet mes tyre
Sipas përfaqësuesit të SHBA-ve, Shqipëria, një histori suksesi, por ka ende shumë për të bërë
Ambasadori i ri i SHBA në Shqipëri, Aleksander Arvizu, i bëri thirrje politikanëve të Tiranës të shikojnë më tepër interesat e vendit, se sa rivalitetet mes tyre. Ambasadori Arvizu u shpreh se vendi ynë ka ende shumë për të bërë. Si aleate e NATO-s, tha ai, vendi duhet t'u përmbahet parimeve më të larta të aleancës.
Pasardhësi i ambasadorit Uidhërs i bëri thirrje Shqipërisë të tregojë respekt për sundimin e ligjit dhe për institucionet e pavarura. Korrupsioni, tha Arvizu, vazhdon të jetë i lartë. Sipas tij, herë pas here klasa politike është më e interesuar për rivalitetet brenda saj se sa për mirëqenien e vendit dhe të qytetarëve të zakonshëm.
Duke bërë një përmbledhje të situatës politike në Shqipëri, ambasadori i ri amerikan deklaroi se për një periudhë të shkurtër para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, forcat politike u përfshinë në një fryme bashkëpunimi, por që nuk zgjati shumë. Për përfaqësuesin e SHBA-së, vëzhguesit ndërkombëtarë i vlerësuan zgjedhjet si të tilla që përgjithësisht pasqyronin vullnetin e popullit shqiptar.
Për fat të keq, tha ai, Shqipëria mbetet e mbërthyer në trashëgiminë e politikës, ku, sipas tij, ka vetëm të fituar ose vetëm të humbur dhe ku ka një mosbesim të thellë mes shumicës dhe opozitës.
Ambasadori amerikan i bëri thirrje dy palëve që të angazhohen në një dialog konstruktiv. Aleksandër Arvizu, i emëruar si ambasador në Shqipëri muajin e kaluar nga presidenti Obama, deklaroi se transformimi i Shqipërisë gjatë 20 viteve të fundit mund të quhet dramatik.
"Këto ndryshime dhe reforma të tjera të rëndësishme - tha ai - bënë që Shqipëria të meritonte anëtarësimin në NATO më 1 prill 2009". Për përfaqësuesin e SHBA-ve në Tiranë, vendi ynë është një kontribuues në sigurinë globale dhe një aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkuara.
Në të njëjtën kohë, sipas ambasadorit amerikan, Shqipëria është një përkrahëse kryesore e politikës së Shteteve të Bashkuara për të shtuar numrin e vendeve që njohin Kosovën.
Për pasardhësin e ambasadorit Xhon Uidhërs, ekonomikisht në vitin 2009, Shqipëria ishte një prej vetëm dy vendeve në Europë që provuan rritje ekonomike gjë që, sipas tij, parashikohet të ndodhë edhe këtë vit. Ambasadori amerikan, Arvizu, tha se Shtetet e Bashkuara kanë një ndikim të konsiderueshëm në Shqipëri.
Ai premtoi se, nëse konfirmohet nga Senati, do ta shfrytëzojë këtë ndikim me mençuri. Deklaratat ambasadori amerikan, Aleksander Arvizu, i bëri gjatë seancës për konfirmimin e tij si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Seanca e nënkomisionit të Senatit për marrëdhënie me Jashtë u drejtua nga kryetarja e tij, Xhin Shahin dhe në të dëshmuan një numër diplomatësh të emëruar nga Presidenti Obama si ambasadorë në disa vende të Europës.
Karriera
Ambasadori i ri i SHBA në Tiranë, Aleksander Arvizu, është diplomat karriere i Shërbimit të Huaj, në rangun e këshilltarit ministror.
Aktualisht, ai është drejtor i zyrës së zhvillimit të karrierës dhe pozitave në Departamentin Amerikan të Shtetit. Më parë ka qenë zv.ndihmëssekretar në Zyrën e Çështjeve të Azisë Lindore dhe Paqësorit. Përfaqësuesi i ri i SHBA-së në vendin tonë ka qenë gjithashtu zëvendësshef Misioni në Bankok të Tailandës dhe në Pnom Pen të Kamboxhias.
Ambasadori Arvizu ka shërbyer edhe në vende të tjera, si Koreja e Jugut dhe Japonia. Në Uashington, ai ka punuar në Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Zoti Arvizu ka lindur në një bazë ushtarake amerikane në Japoni dhe është rritur në Kolorado. Ambasadori i ri amerikan ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin "Georgetown".