E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: Në kutitë e mbyllura, çelësi i zgjidhjes së krizës

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, në një intervistë të dhënë dje për gazetën "Shekulli" thotë se në kutitë e mbyllura të 28 qershorit 2009 qëndron çelësi i zgjidhjes së krizës politike, institucionale, të demokracisë, ekonomike dhe sociale që ka sot Shqipëria.


Zyrtari lartë socialist analizon gjithashtu krizën ekonomike në vend, arsyet dhe pasojat e saj. Deputeti socialisti komenton edhe sesionin e dytë parlamentar që u mbyll, duke kritikuar kryeparlamentaren Topalli për paaftësi për të drejtuar Kuvendin dhe se është përgjegjëse për mosfunksionimin e këtij institucioni.


Zoti Beqja, prej kohësh Partia Socialiste deklaron se vendi është në krizë, ndërsa


Qeveria e mohon një gjë të tillë, duke thënë se këto janë spekulime. Atëherë, pse vendi është në krizë?

Ne deklarojmë që prej një viti se vendi është në krizë. Kriza është e plotë, shumë përmasore. Por sot që vendi është në krizë e kanë kuptuar edhe shumica e shqiptarëve, madje kanë kuptuar që shkaktari i krizës është Sali Berisha.


Që Shqipëria është në krizë e kanë kuptuar edhe institucionet ndërkombëtare që na mbështesin prej 20-vjetësh në rrugën tonë të vështirë drejt integrimit euroatlantik, përfshirë edhe shumë kancelari perëndimore.


Edhe mesazhet e ditëve të fundit të përfaqësuesve më të lartë të presidencës së Bashkimit Europian, Belgjikës, apo edhe vetë komisioneri për zgjerimin, Fyle, kërkojnë zgjidhjen e krizës politike. Por, përveç krizës politike, në vend kemi krizë institucionale dhe mjafton të vlerësojmë funksionimin e Kuvendit, marrëdhëniet, mazhorancë-presidencë, mosfunksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Konferencës së Gjyqtarëve.


Përveç këtyre krizave, kemi këmbëkryq edhe krizën ekonomike që tashmë ka hyrë në të gjithë sistemin e qarkullimit të gjakut të ekonomisë.


Krizë e administrimit të financave publike, krizë e sipërmarrësve që kanë kontrata për punë publike, krizë e buxheteve familjare, krizë e sistemit bankar me rritje të kredive të këqija e rënie të fitimeve të bankave, krizë të tregut të sigurimeve me më pak kontrata të nënshkruara dhe më pak prime bruto të shkruara, rritje të papunësisë, rënie të shitjeve me pakicë, rënie të shitjeve në ndërtim, thellim të hendekut të të ardhurave midis një pakice përherë e më të vogël dhe të lidhur me familjen në pushtet dhe shumicës së shqiptarëve. Kjo krizë është përcjellë edhe në jetën e përditshme.


Është shtuar krimi në familje për motive të dobëta, janë shtuar vetëvrasjet në kushte të rënda psikike, si dhe është shtuar shumë krimi ordiner kapilar me shfaqje të përsëritura të grabitjeve të bankave, zyra të këmbimit apo zyrave postare. Së fundmi, në krizë është edhe koalicioni qeverisës, sepse qelbi i korrupsionit ka dalë mbi plagën e keqqeverisjes.


Nëse është kështu siç ju shpreheni, cilat janë pasojat e vendit në rast të një "shurdhërie" të vazhdueshme nga ana e ekzekutivit për të dëgjuar paralajmërimet tuaja?


Pasojat, për fat të keq, pritet të jenë edhe më të këqija nga këto që po jetojmë. Askush nuk i uron të keqen vendit të tij, bashkëqytetarëve të tij, njerëzve të afërt.


Por, kur merresh me politikë dhe merr përsipër të jesh zëri i shumicës së shqiptarëve, siç është rasti i një deputeti të PS, është detyrë politike dhe qytetare të tregosh të vërtetën. Jo thjesht, sepse kështu sulmon kundërshtarin politik, por sepse, së pari, i kërkon qeverisë të pranojë realitetin dhe të reagojë siç duhet reaguar në situatë krize apo krizash.

Ekonomia do të vazhdojë të shkojë më keq, e për pasojë sipërmarrësit do të fitojnë më pak e do të investojnë më pak apo do të ndalojnë rritjen e pagave, punonjësit do të kenë më pak para, do të jetojnë më keq, do të ushqejnë më keq fëmijët e tyre, do të shtojnë borxhet në listat e dyqaneve dhe do të vazhdojnë të mos kthejnë kredi. Bankat do të jenë në vështirësi dhe biznesi i vogël do të pakësojë shitjet.


Qeveria do të mbledhë më pak para dhe pasi të lajë borxhet që i kanë zënë fytin do të ketë më pak para për politika sociale, për shëndetësinë, arsimin e bujqësinë. Drejtësia do të vazhdojë të mosfunksionojë, krimi nuk do të ndëshkohet dhe korrupsioni do të shtohet. Do të kemi më shumë ministrat që pasurohen brenda natës apo do të shtohen të ardhurat që anëtarët e familjes në pushtet marrin duke bërë sekserin.


Po zgjidhja e krizës, cila mund të jetë?


Ka vetëm një zgjidhje të kësaj krize, e cila fillon me eliminimin e arsyes pse u krijua. Kriza e ka zanafillën te ilegjitimiteti i pushtetit të Sali Berishës. Meqë jemi në një shoqëri demokratike, të cilën duam ta zhvillojmë, ka një mënyrë për të provuar që ky pushet është jolegjitim, hetim i plotë e pa kushte i procesit elektoral të 28 qershor 2009.

Në kutitë e mbyllura të 28 qershorit 2009 qëndron, sipas mendimit tim, çelësi i zgjidhjes së krizës politike, institucionale, të demokracisë, ekonomike dhe sociale që ka sot Shqipëria. Ne, si PS, kemi bërë propozime konkrete dhe kemi qenë fleksibël në arritjen e një kompromisi për hetimin e procesit zgjedhor. PD vazhdon të qëndrojë refraktare në pozicionet e saj.


Zoti Beqja, pak kohë më parë u mbyll sesioni i dytë parlamentar. Ndërkohë që vendi vazhdon të përcjellë për sesionin tjetër parlamentar krizën politike. Si e shikoni situatën politike në vend?


Situata politike vazhdon të mbetet e ngrirë. Shkak është shurdhëria e mazhorancës për të dëgjuar zërin e opozitës dhe të miqve ndërkombëtarë. Kuvendi nuk ia doli të luajë rolin që i takon në një demokraci parlamentare si e jona.


Dhe kjo sepse mazhoranca nuk shikon dot më larg se dhuna e kartonëve. Këtë sjellje arrogante mazhoranca demonstron në përcaktimin dhe miratimin e kalendarit të punimeve, të rendit të ditës, të dhënies apo jo të fjalës për deputetët e opozitës, të shfrytëzimit të së drejtës së deputetit për t'u informuar.


'është më e keqja, edhe pse e ka shumicën e votave të nevojshme, mazhoranca nuk heq dot dorë nga vesi i hajdutit dhe vazhdon të vjedhë edhe në shtëpi të "vet", njësoj si ka bërë në Ruzhdie.


Gjatë seancave plenare kemi parë përplasje mazhoranca-opozitë, por edhe të opozitës me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Cili është vlerësimi juaj për rolin e saj në Parlament dhe marrëdhëniet me deputetët?


Do të doja të shmangia një prononcim për zonjën Topalli, për dy arsye. Së pari, ajo është grua dhe unë jam rritur e edukuar në një mjedis ku gruaja respektohet e nderohet. Së dyti, jemi të dy deputetë të të njëjtit qark dhe për këtë arsye do të doja të isha më i kursyer në deklaratat publike për të.


Por, keqpërdorimi që zonja Topalli i bën postit që ka dhe, sidomos, pasojat politike që krijohen nga ky keqpërdorim nuk mund të neglizhohen nga askush që ka marrë përsipër të merret me politikë.


Si drejtuese e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Topalli është nga përgjegjësit kryesorë për mosfunksionimin e demokracisë në Kuvendin e Shqipërisë.


Zonja Topalli, pas 5-vjetësh në krye të drejtimit të Kuvendit është pozicionuar si nja nga armiket më të betuara të parlamentarizmit, por edhe të dhunimit të shtetit të së drejtës.


Eksperienca ime parlamentare është e shkurtër, por unë nuk mbaj mend një seancë, as edhe një të vetme, që unë të kem qenë prezent dhe të mos kem konstatuar që ajo nuk shkel me vetëdije dhe hapur rregulloren e Kuvendit. Shembull i plotë, i gjallë e i freskët është seanca e fundit e sesionit që sapo u mbyll.


Po ashtu në rreth 50 muaj të procesit ligjbërës që ajo ka drejtuar, mazhoranca ku ajo është një nga drejtuesit kryesorë është gjetur, zyrtarisht, në shkelje të Kushtetutës së vendit në më shumë se 30 raste. Pra, edhe në shkeljen e Kushtetutës, ajo është përsëritëse e vendosur.


Tani që kam pasur rastin ta ndjek nga afër punën e saj në krye të Kuvendit, konstatoj se zonja Topalli është e pazonja politikisht dhe profesionalisht për të drejtuar Kuvendin e Shqipërisë.


Për marrëdhëniet me deputetët, nuk kam dëshirë të zgjatem, sepse duke qenë pjesë e kësaj marrëdhënie druhem se nuk jam i paanshëm.


Por, sidoqoftë, një njeri që merret me dietat e të tjerëve, ndërkohë që kapet duke marrë dieta kur shkon në shtëpinë e vet, dëshmon se e ka ulë shumë "piacën" dhe nuk mbeten më shumë fjalë për të thënë.


PS prej kohësh kërkon hetimin e zgjedhjeve të fundit përmes hapjes së kutive. Për një gjë të tillë nuk është rënë dakord. Kryetari i PS ka bërë të ditur se në shtator do të ketë shumë punë të bërë dhe se opozita do të jetë zëri i protestës qytetare.


A ka një plan protestash për muajin e ardhshëm Partia Socialiste?


Nuk besoj se ju kërkoni që unë të shpjegoj çfarë ka thënë qartë kryetari i PS-së, e aq më tepër të komentoj çfarë ka thënë kryetari i partisë ku unë militoj. Ne, sigurisht që kemi një plan të vazhdimit të luftës sonë opozitare në muajin shtator e në vijim.


Në këtë plan janë të përfshira të gjitha format e mjetet demokratike që kemi shfrytëzuar në mënyrë shembullore në vitin e fundit. Protestat kanë qenë një mjet i rëndësishëm dhe efikas i luftës sonë politike në vitin e fundit.


PS: Pse një fëmijë që lind trashëgon një borxh prej 2300$

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, sqaroi dje se pse një fëmijë që lind trashëgon një borxh nga Qeveria e sotme prej 2300$, duke e lidhur këtë fakt me një llogari të thjeshtë matematikore. "Aktualisht, niveli i borxhit ka kapur shifra marramendëse, të paimagjinueshme për vende si i yni; plot 7,3 miliardë dollarë.


Këtë shifër, duke e pjesëtuar për 3 milionë e 180 mijë që janë banorë në shtetin shqiptar, sjell që borxhi për çdo individ dhe për atë që lind është 2300$", sqaroi eksperti ekonomik i selisë rozë.


Por, sipas tij, e keqja është se niveli tejet i lartë i borxhit publik do të rritet edhe më shumë. Beqja thotë se vetëm në vitin 2010, borxhi publik do të rritet me 480 milionë dollarë të tjerë, duke e çuar ekonominë shqiptare drejt një rruge të pasigurt dhe të rrezikshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›