E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, Kume: "Të mos bëhet tagër i politikës"

Sipas Kristaq Kumes, 8 maji është data e fundit kur mund të zhvillohen zgjedhjet lokale


Ish-kreu i KQZ deklaron se me materialet zgjedhore dhe me kutitë e zgjedhjeve duhet të veprohet vetëm si produkt i konsensusit dhe jo i zbatimit formal të ligjit


Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, i bën thirrje anëtarëve të këtij institucioni që të mos bëhen pjesë e politikës lidhur me problemin e djegies ose jo të fletëve të votimit. Sipas tij, KQZ duhet të presë më parë që politika të zgjidhë krizën politike dhe problemin e fletëve të votimit e më pas të shikojë mundësinë për djegien ose jo të fletëve të votimit.


Për ish-kreun e KQZ-së, Kume, me materialet zgjedhore dhe me kutitë e zgjedhjeve duhet të veprohet vetëm si produkt i konsensusit dhe jo i zbatimit formal të ligjit. Kristaq Kume deklaron se afati i fundit që mund të presë presidenti Topi për të dekretuar datën e zgjedhjeve është tetë shtatori, ndërsa si afat maksimal të zhvillimit të zgjedhjeve vendore deklaron tetë majin.


Po afrohet data se kur mund të zhvillohen zgjedhjen e ardhshme lokale. Zoti Kume deri kur ka afat Presidenti i Republikës për të përcaktuar datën e zgjedhjeve, sipas Kodit Zgjedhor dhe pse gjërat shkojnë po shkojnë për në momentin e fundit?


Referuar Kodit Zgjedhor, Presidentit të Republikës detyrimi për të dekretuar zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor i lind pas datës ose maksimumi deri në 8 shtator, sepse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendimin e tij 1811 të datës 8 qershor 2007, ka shpallur rezultatet për zgjedhjet e pushtetit vendor. Kodi Zgjedhor parashikon që mandati për organet e zgjedhura mbaron në të njëjtën datë, të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas shpalljes së rezultatit nga KQZ-ja.


Kjo do të thotë se organet aktuale në datën 8 qershor 2011 nuk kanë mandat. Nga ana tjetër, zgjedhjet në Kod parashikojnë se do të zhvillohen jo më vonë se 30 ditë përpara mbarimit të aktualëve, që do të thotë se Presidenti i Republikës mund të përcaktojë si datë maksimale të zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme jo më vonë se sa 8 majin.


Pra, siç shihet, sot që ne jemi në fillim të gushtit dhe ecim me shpejtësi drejt afateve maksimale të parashikuara në ligj, shtoji kësaj situate edhe faktin që nuk jemi politikisht në një situatë të përshtatshme për të filluar dhe zhvilluar procesin e ardhshëm zgjedhor, i cili domosdo kërkon që të përfshijë brenda tij edhe atë që quhet reforma zgjedhore e radhës.


Kjo vështirëson edhe më tej punën që duhet bërë, e ngushton akoma më tej mundësinë për punë të mira në punët paraprake gjë që, sipas mendimit tim, duhet të reflektohet nga politikëbërësit dhe nga klasa politike, nga institucionet përgjegjëse, të cilat kanë detyrimin për të përgatitur dhe zhvilluar zgjedhjet e ardhshme për të mos realizuar punët në ekstremet ligjore të lejuara.


Që do të thotë, as presidenti s'ka pse të presë datën e fundit, sipas së cilës, ligji të detyron të shpallësh zgjedhjet e ardhshme ashtu sikurse edhe klasa politike nuk duhet të presë datën e fundit, por të angazhohet për përgatitjen e kuadrit të nevojshëm ligjor, pra për amendimet e nevojshme në ligjin zgjedhor.


Çfarë ndodh nëse në përfundim të afateve mbetemi në të njëjtën situatë?


Ana që unë dua të them është që s'ka pse ne ti kapërcejmë këto afate se kohë ka. E dyta, çfarë ndodh nëse kapërcehen këto afate, referohuni situatave të kaluara me zgjedhjet e mëparshme qoftë edhe për organet e qeverisjes vendore.


Na kujtohet shumë mirë të gjithëve se si për përgatitjen e kuadrit zgjedhor në funksion të zgjedhjeve lokale të 2007, rregullimet janë bërë jo në minutën e fundit, por kaluar minutës së fundit aq sa u detyrua që të ridekretohet data e zgjedhjeve.


Pyetja nuk duhet shtruar se çfarë ndodh, por pyetja duhet shtruar ndryshe. Të kërkohet të mos bëhet, të mos përsëriten të njëjtat situata. Ne të gjithë jemi të interesuar që nga një proces zgjedhor në tjetrin t'i përafrohemi sa më shumë standardeve.


Për të bërë të mundur realizimin e këtyre standardeve natyrisht që e para mbi të gjitha është respektimi i kuadrit ligjor në fuqi. Pra, s'ka pse ta shtrojmë problemin kështu.


Ajo që unë këmbëngul ka të bëjë me faktin që edhe nëse ne plotësojnë kuadrin ligjor, pra të bëjmë këto lëvizje ashtu siç e përcakton kuadri ligjor, situata nuk është e mbarë për një përgatitje të suksesshme të procesit zgjedhor, sepse kësaj radhe e gjitha kjo situatë është e mbarsur me atë problematikë të madhe të pazgjidhur akoma, transparencës së procesit të kaluar zgjedhor.


Klasa politike nëse do të mbajë në konsideratë momentet e fundit për të zgjidhur problemin për zgjedhjet e ardhshme zgjedhore, do ta ketë shumë më të vështirë realizimin e detyrimeve të saja për sa kohë që në të njëjtën kohë i duhet domosdo të zgjidhi dy probleme.


Një pjesë e kutive të votimit janë të zëna nga fletët e votimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. A rrezikohen afatet e zhvillimit të zgjedhjeve për shkak të përgatitjes me vonesë për shkak edhe të djegies së fletëve të votimit?


E para që unë dua të theksoj për atë që mund të quaj rrezikshmëri në punën që duhet bërë në përgatitjen e gjithë aspektit administrativ të procesit zgjedhor ka të bëjë jo vetëm me kutitë, por me tërësinë e punëve që duhet të organizojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Dihet që 6 muaj përpara zgjedhjeve nuk duhet të ndërhyhet në ligjin zgjedhor për t'i dhënë kohë KQZ-së që të ndërtojë të gjithë ngrehinën administrative të procesit të ardhshëm.


Pra, ajo që është e rëndësishme për mua është zgjidhja e të gjithë problemeve qoftë edhe kjo që është transparenca, e cila i është bashkëngjitur tashmë problemit të zgjedhjeve të ardhshme përpara 6 muajve dhe jo në qoftë se s'do të kemi kohën, s'do të zgjidhet problemi. Çfarë do të bëhet me bazën materiale?! A do të na duhet që të blejmë bazë materiale të tjera? Absolutisht jo. Nuk shtrohet problemi kështu për mua.


Për mua nuk ka pse të konsiderohet procesi i përgatitjes në aspekte administrative të zgjedhjeve të ardhshme me domosdoshmërinë e plotësimi të detyrimit ligjor që parashikon neni 178 për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.


Unë do të rekomandoja që edhe pas dekretimit të zgjedhjeve, KQZ të mos bëhet target i politikës. Le të presin, sepse unë shpresoj që klasa politike ta zgjidhë problemin. Pra, të veprohet me materialet zgjedhore dhe me kutitë e zgjedhjeve vetëm si produkt i konsensusit dhe jo i zbatimit formal të ligjit.


Pra, fletët nuk duhen të digjen gjatë gushtit?


Nuk diskutohet problemi se kur duhet zgjidhur para ose pas muajit gusht. Po t'i referoheni ligjit nga njëra anë dhe nga ana tjetër punës që duhet të bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të realizuar kërkesat e këtij ligji, do të thosha se është e fundit pengesë boshatisja e kutive.


Ka të tjera gjëra që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t'i trajtojë dhe për t'i trajtuar ato është shumë e rëndësishme që ai të ketë në dorë ligjin zgjedhor, i cili të jetë i pandryshuar për të paktën 6 muaj para zgjedhjeve të ardhshme. Kjo është shumë e rëndësishme për mua.


Mazhoranca ka hedhur idenë e ndryshimit të mënyrës së votimit duke propozuar aplikimit e votimit elektronik. Sa e realizueshme është në Shqipëri?


Mundësia për të realizuar votimin elektronik ose një nga format e votimi elektronik është mundësi e hapur dhe nuk ka pse ne t'i shmangemi kohës për ta realizuar. Le të jetë ky proces i ardhshëm zgjedhor si rast pilot për ta realizuar në një ose dy, në disa zona zgjedhore.


Natyrisht që shumë e rëndësishme për ta realizuar këtë gjë është që të bjerë dakord klasa politike dhe ta parashikojë këtë në Kodin Zgjedhor dhe e dyta të parashikohet ajo mënyrë e votimit elektronik, e cila është e mundshme praktikisht për tu realizuar.


Që tani e them se nëse do të adoptohet votimi elektronik nëpërmjet internetit kjo është e pamundur për tu bërë në Shqipëri, por ama të votosh duke përdorur mundësitë që ka teknologjia pra nëpërmjet ekranit, duke klikuar në një ekran kjo është njësoj sikur të shkruanim në fletë votimi. Kjo është e mundshme.


Është e rëndësishme që të biem dakord për ta bërë dhe s'ka pengesa për mua në aspektin e asaj që ne të tentojmë të realizojnë përvojën e parë për të ecur drejt edhe këtij votimi, i cili sjell me vetë nëse do të mund të realizohet si i tillë, ngushtimin në maksimumet e mundshme të gjithë atyre situatave, të cilat krijojnë mundësitë garuesve për të ndërhyrë në procesin zgjedhor.


Thënie

Kutitë e votimit


KQZ të mos bëhet target i politikës. Le të presin, sepse unë shpresoj që klasa politike ta zgjidhë problemin. Pra, të veprohet me materialet zgjedhore dhe me kutitë e zgjedhjeve vetëm si produkt i konsensusit dhe jo i zbatimit formal të ligjit.


Data e zgjedhjeve lokale


Zgjedhjet në Kod parashikojnë se do të zhvillohen jo më vonë se 30 ditë përpara mbarimit të aktualëve, që do të thotë se Presidenti i Republikës mund të përcaktojë si datë maksimale të zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme jo më vonë se sa 8 majin.

Votimi Elektronik


Mundësia për të realizuar votimin elektronik ose një nga format e votimi elektronik është mundësi e hapur dhe nuk ka pse ne t'i shmangemi kohës për ta realizuar. Le të jetë ky proces i ardhshëm zgjedhor si rast pilot për ta realizuar në një ose dy, në disa zona zgjedhore.


Qipro premton asistencë teknike në procesin e negociatave të vendit tonë me Bashkimin Europian


Meta-Kyprianou nënshkruajnë Marrëveshjen për "Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve" mes dy vendeve


Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, mori nga homologu i tij qipriot Markos Kyprianou mbështetjen për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme bëhet e ditur se lidhur me ecurinë e integrimit europian të Shqipërisë, ministri i Jashtëm qipriot rikonfirmoi mbështetjen e vendit të tij dhe shprehu vullnetin për t'i ofruar palës sonë asistencë teknike në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.


Gjatë takimit, dy ministrat ranë dakord për nënshkrimin e një protokolli të veçantë, me synim institucionalizimin e bashkëpunimit diplomatik, realizimin periodik të konsultimeve politike mes dy Ministrive të Jashtme.


Ata theksuan dhe ranë dakord për intensifikimin e këtij bashkëpunimi edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare, mbështetjes reciproke të kandidaturave në to. Një tjetër temë e prekur nga dy ministrat e Jashtëm, Meta dhe Kyprianou, ishte edhe Kosova.


Palët ndanë mendime të kundërta, por shprehën të njëjtin qëndrim se e ardhmja e Kosovës është europiane dhe, sipas tyre, integrimi i shtetit më të ri dhe gjithë rajonit në BE, është një prioritet i pazëvendësueshëm.


Ministri Kyprianou garantoi se vendi i tij do të ketë një politikë konstruktive ndaj kësaj çështje. Ndërkohë, për sa i përket çështjes së Qipros, Ministri Meta theksoi se Shqipëria ndjek një politikë të jashtme paqësore dhe se, sipas tij, mbështet një zgjidhje të drejtë, në përmbushje të rezolutave të OKB-së dhe angazhimit të Bashkimit Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›