E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kujtim të 11 Shtatorit

Sulmet terroriste në New York dhe Washington të 11 Shtatorit 2001 i përcaktuan tendencat në marrëdhëniet ndërkombëtare të dekadave tëlara të shekullit XXI. SHBA, ndërkaq, inicioi “luftën kundër terrorizmit”, e në territorin amerikan u ndërtua qendra memoriale kushtuar viktimave të këtyre sulmeve. Nga Express më 12 shtator 2011 në ora 08:16

Në vendin ku dikur qëndronin Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, në New York, tani ngihet qendra memoriale kushtuar viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, e në lartësi ka filluar të ngrihet edhe ajo që në të ardhmen do të jetë Qendra e re Botërore Tregtare.

Përmendorja e quajtur “Reflecting Absence”, e arkitektit Michael Arad, u hap të dielën, pikërisht në të ashtuquajturën “Ground Zero” (Pika Zero), në vendin ku u rrënuan dy kullat e famshme.

Mbi 400 drunj i rrethojnë sheshin dhe shtigjet që shpijnë deri te përmendorja , e në mesin e tyre ndodhet edhe “druri i mbijetesës” – një dardhë kjo aziatike që u gjet në mesin e rrënojave dhe e cila u mboll përsëri.

Përmendorja do të hapet për publikun më 12 shtator, ndërkaq qasja në të do të jetë e kufizuar në jo më shumë se 1,500 vizitorë të përnjëhershëm. Gati gjysma e hapësirës së sotme të QBT po ashtu do të hapet për publikun, ndërkohë që gjysma tjetër do të vazhdojë të mbes një kantier ndërtimi.

Sipas vlerësimeve, shpenzimet për ndërtimin e përmendores dhe muzeut kushtuar 11 shtatorit do të kapin shumën e afro një miliardë dollarëve. Ndërtimi i kompleksit përkujtimor ka filluar në mesin e vitit 2008. Megjithëse pak para hapjes së përmendores kryesisht u dëgjuan vlerësime pozitive për të, nuk duket se të gjithë janë të kënaqur me atë që u ndërtua.

Më herët përmendej edhe ndërtimi i një përmendoreje të veçantë të qytetit. Kushtuar pjesëtarëve të vdekur të njësiteve të shpëtimit – 343 zjarrfikësve, 23 policëve dhe 37 personave të tjerë që ishin pjesë e shërbimeve të tjera të qytetit.

Sheshi pranë Pikës Zero, ku në vitin 2001 gjetën vdekjen afro 2,800 njerëz, bashkë me muzeun pritet të shndërrohen në njërën nga pikat kryesore turistike në New York. Në hapësirën përreth Pikës Zero tashmë dominon një rrokaqiell, që quhet “Kulla Një”, dhe i cili është pak më i gjatë se dy kullat e rrënuara të dikurshme. Kjo kullë, bashkë me antenën, arrin një lartësi prej 541 merave,dhe është ndërtesa më e lartë në SHBA.

Përmendorja kushtuar 184 viktimave të sulmit në Pentagon është hapur për publikun në përvjetorin e shtatë të sulmit. Në parkun përkujtimor, i cili shtrihet pranë njërit krah të ndërtesës së Pentagonit, radhiten 184 ulëse të gurit me nga një pishinë të vogël dhe të ndriçuar nën secilën prej tyre.

Një përmendore kombëtare është ngritur edhe në Shankwille, ku u gjetën mbetjet e aeroplanit të fluturimit 93, ku vdiqën 44 persona, përfshirë edhe katër rrëmbyesit. Në parkun me sipërfaqe prej 800 hektarësh, të dielën u hap edhe Përmendorja Kombëtare në formë të pemëve të formësuara, të cilat formojnë një rreth në vendin e rrëzimit të aeroplanit. Emrat e viktimave janë shkruar në kambanat cilindrike të cilat lëvizen nga era.

Në ndërtim e sipër është edhe Muzeu Kombëtar 11 shtatori, i cili do të duhej të hapej pas dy viteve, ndërkohë që planifikohet edhe ndërtimi i dy pishinave memoriale, pjesë e të cilave do të jetë ujëvara më e madhe artificiale në SHBA.

Problemet ndërmjet qeverisë së qytetit të New Yorkut dhe investitorëve u zgjidhën në tërësi tek vitin e kaluar, kur edhe u përshpejtuan punimet në ndërtimin e kullës së re, muzeut dhe përmendores së 11 shtatorit. Mospajtimet u shfaqën edhe si pasojë e synimit që hyrja në muzeun përkujtimore të paguhet 25 dollarë.

Nga ana tjetër, drejtori i muzeut, Joe Daniels, pohon se duhen gjetur mënyra të rregullta të financimit, sepse shpenzimet vjetore arrijnë në afro 60 milionë dollarë. Lobuesit po mundohen të shtyjnë Kongresin që të themelojë një donacion fiks vjetor për muzeun, kështu që, nëse kjo ndodhë, atëherë hyrja do të mund të paguhej me një shumë simbolike prej 10 ose 15 dollarësh.

Në kohën kur ende nuk ishte përzgjedhur zgjidhja ideore e përmendores, mediat amerikane patën publikuar se në konkurs merrnin pjesë edhe dy artistë nga Ballkani, Olja Ivanjicki (Beograd) dhe Dusan Dzamonja (Zagreb), të cilët kanë vdekur ndërkohë.

Ndryshe, përmendore kushtuar viktimave të 11 shtatorit 2001 ka edeh në shumë qytete të tjera amerikane. Për njërin prej tyre, që quhet “Loti i Dhembjes” dhe i cili është një dhuratë e Rusisë për qytetin New Jersey, kritikët theksojnë se është “i pakoordinuar nga pikëpamja estetike”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›