E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori i stripave

Artisti i stripave Jerry Robinson, i cili ka krijuar personazhe të tilla si ndihmësi i Batman-it Robin, vdiq në moshën 89-vjeçare.

Mike Marts, redaktor i serive të Batman-it në DC Comics, e quajti artistin ‘pionier në rrëfimtari’.

Robinson, i cili fillimisht ishte punësuar për të vizatuar stripa në vitin 1939, në moshën 17-vjeçare, vlerësohet prej shumë njerëzve si autori i personazhit të njohur The Joker.

“Mendoj që së pari erdhi emri – The Joker. Pastaj mendova në letrën e bixhozit”, tha ai, vitin e kaluar.

Horri me flokë të thinjura The Joker së pari u paraqit në vitin 1940 dhe më vonë u soll në jetë nga aktorët Cesar Romero, në seritë televizive të viteve të gjashtëdhjeta,, Jack Nicholson, në filmin ‘Batman’ të vitit 1989 dhe Heath Ledger, në filmin e vitit 2008 ‘The Dark Knight’.

“Rrugët e Gotham City sot janë më të vetmuara”, tha Marts.

Megjithatë krijuesi i Batman, Bob Kane pohoi se ai dhe autori fillestar i serive Bill Finger e kanë krijuar personazhin.

Robinson ishte pajtuar në punë nga Kane në vitin 1939 pasi të dy u takuan në një resort në Catskill Mountains ku Robinson po shiste akullore, i veshur me një xhaketë të bardhë të mbuluar me ilustrimet e tij.

Pasi ishte larguar nga ekipi i Batman-it në fillim të viteve të dyzeta, ai filloi të krijonte personazhe të stripave përfshirë superheroin nuklear Atoman.

Në vitet e pesëdhjeta, ai vizatoi stripa për revistën e Broadway-t ‘Playbill’.

Në vitet e mëvonshme, ai dha mësim në New York's School of Visual Arts dhe u bë president i Association of American Editorial Cartoonists si dhe i National Cartoonists Society.

Ai gjithashtu kuroi një numër të ekspozitave të rëndësishme të artit të stripave në SHBA dhe nëpër vende të tjera të botës.

“Jerry solli realizëm në stripa si dhe një ndjenjë të humorit”, tha Kochman, redaktor i tij në Abrams Comic Arts, që vitin e kaluar botoi një libër të titulluar ‘Jerry Robinson: Ambassador of Comics’.

“Ai e pa vlerën e stripave si art”.

Robinson la pas vetës gruan e tij, dy fëmijë dhe dy nipa.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›