Skandal, apo reklamë indirekte

Që të tre romanet e trilogjisë tejet të suksesshme të Stieg Larsson u adaptuan në filma artistikë. Bëhet këtu fjalë për vepra filmike suedeze të cilat nuk i shikuan edhe aq shumë nga filmdashësit nëpër botë. Së këndejmi pritet që filmi më i ri, “Vajza me Tatuazhin e Dragoit”, të cilin e bëri David Fincher, regjisori i filmave “Klubi i Luftëtarëve” dhe “Rrjeti Social”, do të jetë një hit i madh, por edhe një film i mirë.
Sido që të jetë, rrëfimi i errët dhe paksa morbid i Larsson, në qendër të të cilit është gazetari majtist, Mikael Blomkvist, dhe hakerja josociale, Lisbeth Salander, do të duhej të përfaqësonte një material të përkryer për regjisorin Fincher, i cili edhe njihet si më i miri në trilerët e tillë.
Kjo gjë pohohet edhe në kritikën e parë të filmit të botuar në revistën njujorkeze ‘The New Yorker’, nga David Denby. Denby shprehet pozitivisht për filmin, duke e quajtur atë “të errët, por edhe magjepsës” dhe duke nënvizuar se Fincher pjesët kontroverse të romanit të Larsson – siç është, për shembull, dhunimi brutal i Lisbeth Salander – i xhiroi duke iu shmangur një qasjeje thjesht ekploatoriale.
Mirëpo, me publikimin e kritikës së tij, Denby njëkohësisht theu të ashtuquajturin embargo të producentëve, të cilët nga krikët kërkuan që për filmin të mos shkruajnë para datës 21 dhjetor. Kjo gjë i zemëroi producentin e filmit, Scott Rudin (i nominuar disa herë për Oscar, dhe i shpërblyer për filmin “S’ka vend për Pleq”), i cili ka vendosur që Denby’t t’ia ndalojë hyrjen në projeksionet e filmave të tij të ardhshëm të paraparë për kritikët, në mesin e të cilëve do të duhej të ishte dhe filmi i Martin Scorsese’s për Frank Sinatra.
Ndërkohë është publikuar edhe shkëmbimi i postës elektronike ndërmjet Denby’t e Rudin, gjatë të cilit këta të dy grinden rreth kritikës së botuar para kohe. Kështu, Denby thekson se, praktika e studiove filmike që të tek në fund të vitit të prezantohen nga disa filma për të rritur – dhe atë brenda një periudhe prej 10 ditësh - është një praktikë e padurueshme. “I gjithë ky sistem është destruktiv”, vlerëson ai.
Nga ana tjetër, producenti Scott Rudin, me sa duket, nuk u nda i kënaqur me shpjegimin e David Denby, kështu që i shkroi se ai është dashur që paraprakisht të tregonte që s’do ta respektonte embargon.
E, ky embargo ekziston për shkak të dëshirës së studiove filmike për të pasur një kontroll të plotë të marketingut mbi një film të caktuar, veçanërisht të produksioneve kulmore (çfarë sigurisht se është edhe adaptimi i romanit të Larsson). Kritikëve të filmit kjo qasje po iu pëlqen gjithnjë e më pak. Gjithashtu, mbetet pikëpyetje se për sa kohë, në këtë epokë të rrjeteve sociale, mund të kontrollohet se kur do të shfaqen reagimet e para ndaj një filmi të caktuar. Në fakt, ka ndodhur që në internet të shfaqen filmat komplet edhe para se ata të shfaqeshin nëpër kinema, siç ishte rasti, për shembull, me filmin “Volwerine”. /The Guardian/