E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorja Holtkemper: KQZ dhe Kolegji duhen më të balancuara

“Sipas kompozimit të tyre, ata janë të njëanshëm, duke ndjekur linja partiake. Ky është një prej rekomandimeve në fund të raportit, që duhet adresuar për të pasur një përbërje që duhet t’i kthejë këto institucione në më profesionale dhe më pak politike”

Aq e kuqe e as blu, si ngjyrat e partive. Gjithashtu, nuk është e bardhë e as e zezë tabloja e zgjedhjeve administrative të 8 Majit në Shqipëri. Në këndvështrimin e ambasadores së Gjermanisë në Tiranë, Carole Muller-Holtkemper, karakteristika e vërtetë e tablosë që krijon raporti i OSBE/ODIHR-it është ajo e një hijeje gri, e ngjashme me Gurnikën e Pikasos, por jo aq dramatike. Në një intervistë për “Top Channel”, ambasadorja ka analizuar dokumentin e publikuar së fundi nga misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it dhe zhvillimet e pritshme politike në Shqipëri.

Shkëlqesi ambasadore, gjatë vizitës suaj në Korçë deklaruat se do të flisnit për zgjedhjet e 8 Majit atëherë kur të dilte raporti ODIHR-it. Tani që raporti është publikuar, cili është vlerësimi juaj për këto zgjedhje?

Raporti ODHIR na sjell një panoramë realiste të ngjarjeve përpara, gjatë dhe në fund të procesit zgjedhor. Dua të theksoj se është shumë i detajuar dhe do të rekomandoja që gjithsecili ta lexojë me vëmendje nga fillimi deri në fund, veçanërisht rekomandimet.

Sipas jush, cili është aspekti më shqetësues që vihet re në raport?

Le të ndalemi në pikën më të fortë. Ditën e votimit patëm një ditë të qetë, mbulimi mediatik ishte pozitiv. Në të gjithë Shqipërinë kishte më pak parregullsi krahasuar me të shkuarën. Por në Tiranë kishte probleme me procesin e numërimit. Gjithashtu edhe me procesin e drejtësisë, ku këtu kam parasysh Kolegjin Zgjedhor dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Cilat probleme ju kanë shqetësuar?

Është thënë qartë në raport se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor nuk punojnë në një klimë bazuar në marrëdhënie si kolegë. Sipas kompozimit të tyre, ata janë të njëanshëm, duke ndjekur linja partiake. Ky është një prej rekomandimeve në fund të raportit, që duhet adresuar për të pasur një përbërje që duhet t’i kthejë këto institucione në më profesionale dhe më pak politike.

Nga ajo që sapo thatë, mos doni të thoni se këto dy institucione nuk janë të pavarura?

Sipas raportit, anëtarët e tyre janë nominuar nga partitë dhe duket se vendimet që japin janë të një linje partiake. Siç edhe jam shprehur disa herë, qëllimi duhet të jetë në atë mënyrë për të gjetur atë që duan votuesin. Vërejmë mungesë koherence në realizimin e këtij qëllimi.

Nga Korça deklaruat se nuk e dinit se ku ka shkuar gjysma e vullnetit të votuesve të Tiranës. Tani që kemi edhe raportin, a mund t’i jepni përgjigje kësaj pyetjeje, se ku shkoi vullneti i qytetarëve të Tiranës?

Raporti na jep një tablo të mirë të asaj që ndodhi dhe performancës së zgjedhjeve. Nuk është e zezë apo e bardhë siç mund të pritet nga shumë njerëz. Nuk është as blu apo e kuqe, siç janë ngjyrat e dy partive më të mëdha politike. Unë do të doja të thoja se ka hije gri, pak a shumë si Guernika e Pikasos, por më pak dramatike.

Me qenë se jemi te partitë politike, PD dhe PS e kanë lexuar ndryshe nga njëra tjetra raportin. Sipas jush, si duhet të lexohet ky raport?

Duhet të lexohet me vëmendje, por do t’u rekomandoja lexuesve me pak kohë të shkojnë në fund të raportit veçanërisht në faqet 29-30 dhe te rekomandimet. Janë këshilla me tepër vlerë.

Në 36 faqet e raportit fjala standard nuk përmendet asgjëkund. Sipas jush, u përmbushën apo jo standardet në zgjedhjet e 8 Majit?

Këto zgjedhje lokale ishin më të mira se ato të shkuarat, por akoma jo nuk përmbushin të gjitha kërkesat të vendosura në vlerësimin që kemi në OSBE, gjithashtu në Këshillin e Europës dhe çfarë ne prisnim për integrimin europian. Por mendoj se shqiptarët janë në rrugë të mbarë dhe e kanë shansin që të ndjekin rekomandimet për të arritur standarde të larta.

Në raport janë shkruar një katalog me probleme, veçanërisht në ato faqe që përmendët, veçanërisht si vepruan KQZ dhe Kolegji zgjedhor. Si e shikoni rolin e tyre tani që raporti në një prej rekomandimeve thotë se duhet një rikompozim i KQZ-së?

Reforma e fundit e Kodit Zgjedhor çoi në një polarizim të përbërjes, duke ndjekur një vijë politike. E mira do të ishte që këto dy institucione të jenë më shumë profesionale, më shumë të balancuara për të realizuar një detyrë madhore, se ku ka vajtuar vullneti i lirë i votuesve shqiptarë.

Zonja ambasadore, një prej 12 prioriteteve të vëna nga BE-ja për Shqipërinë ishte realizimi zgjedhjeve me standarde. Tani që raporti identifikon disa probleme të cilat duhen rregulluar, si do të vlerësohen zgjedhjet nga BE-ja?

Tani që zgjedhjet kanë përfunduar, paçka se kemi edhe rivotim në komunën Shalë, ku ende nuk ka një kryetar komune, tani jemi në fazën kur duhet të shikohet përpara dhe në bazë të rekomandimeve duhet të nisin bisedimet mes partive politike, natyrisht duke mos harruar partitë e vogla që kanë një rol për të luajtur në arenën politike. Duhet reformimi i Kodit Zgjedhor në bazë të rekomandimeve për zgjedhjet e ardhshme, për t’i patur ato më të mira më 2013.

A besoni se dialogu do të nisë, kur në një krah kemi PS-në që akuzon kryeministrin Berisha si vjedhës të mandatit të Tiranës dhe vetë Kryeministrin që ka dhënë vlerësimin e tij për këto zgjedhje?

Dialogu duhet të ndodhë, pasi dialogu është e vetmja rrugë që do të udhëheqë Shqipërinë drejt integrimit europian. Unë vetëm mund t’u apeloj partive kryesore për ta bërë këtë në interes të gjithë shqiptarëve, për ta nisur dialogun duke negociuar dhe përfitimi do të jetë për të gjithë shqiptarët.

Kemi parë kohët e fundit disa vizita të politikanëve të lartë gjermanë në rajon, por jo në Tiranë, të cilat janë komentuar për mosardhjen në Shqipëri si pasojë e klimës politike të këtushme. A është e vërtetë kjo?

Duhet të kuptoni se ne nuk mund të sjellim të gjithë kabinetin gjerman në Shqipëri. Është e vërtetë që kancelarja Merkel viziton Kroacinë dhe Serbinë për të folur për çështje me rëndësi për Kosovën. Ministri i Jashtëm Vestervele ishte në Kosovë, ku foli për integritetin territorial të Kosovës. Ne patëm vizitën e ministrit Nibel për kooperimin ekonomik, i cili qëndroi për tri ditë në Shqipëri dhe kjo nuk ndodh shpesh.

Marrë nga Top Channel

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›