Berisha: Mjeranët politikë nxijnë censusin për mandatet e tyre
Kryeministri Berisha akuzoi indirekt presidentin Bamir Topi dhe nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu se po sulmojnë censusin, për shkak të mbylljes së mandateve të tyre
Edhe një herë, kryeministri Sali Berisha ka gjetur rastin që nga tryeza e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të sulmojë sërish kreun e shtetit dhe zëvendësin e tij në KLD, si persona që po kërkojnë të përfitojnë kapital politik, duke luajtur me ndjenjat kombëtare të shqiptarëve dhe duke shpifur ndaj procesit të regjistrimit të popullsisë. Kreu i mazhorancës i ka quajtur ata mjeranë politikë me qind flamuj dhe që po tentojnë të trembin shqiptarët për identitetin e tyre. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur se qeveria është e vendosur ta zhvillojë këtë regjistrim për të parë gjendjen reale ekonomike dhe sociale të shqiptarëve në vitin 2011.
Akuzat
Diskutimi ka marrë shkas pikërisht nga një vendimmarrje e Këshillit të Ministrave për të miratuar një shtesë fondesh në buxhetin e INSTAT, në funksion të këtij regjistrimi dhe shefi i qeverisë nuk ka kursyer aspak t’u japë përgjigje të gjithë atyre skeptikëve ndaj këtij procesi. Megjithëse nuk ka folur me emra të përveçëm, kreu i qeverisë, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave ka qenë i ashpër në qëndrimet e tij kundër të gjithë atyre që gjatë gjithë kësaj kohe kanë kundërshtuar procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave ose siç njihet ndryshe censusin. Kundërshtime këto që sipas tij nuk vijnë për shkak të objektivitetit të çështjes, por për shkaqe të ndryshme dhe përfitime politike të personave të veshur me pushtet, duke aluduar për presidentin Bamir Topi dhe zëvendësin e tij në KLD, Kreshnik Spahiu. “Të gjitha komentet që bëhen kundër këtij akti janë shprehje e një primitivizmi njerëzor të shkallës më të lartë. Sharlatanë të vërtetë, mjeranë politikë, haxhiqamilër me njëqind flamuj duan t’i trembin shqiptarët me identitetin e tyre, sepse për shkak të mandateve që u bien, besojnë se në këtë mënyrë do të mund të kacavirren në kurriz të tyre”, - tha kryeministri Berisha. E sipas tij e gjithë kjo fushatë kundër censusit vjen jo se këtyre grupimeve që protestojnë në emër të qëndrimeve patriotike u interesojnë rezultatet që do të dalin për etninë dhe fenë, por se ata kërkojnë të errësojnë realitetin ekonomiko-social të shqiptarëve. Dhe kjo për Berishën vetëm në funksion të disa interesave të ngushta të atyre personave që u mbaron mandati, duke nënkuptuar sërish Topin dhe Spahiun. Madje, nisur nga këto qëndrime, ai ka theksuar se këta persona nuk i kanë merituar këto mandate që zotërojnë aktualisht. “Ne të gjithë jemi krenarë me besimin tonë fetar e origjinën tonë etnike. E vetmja gjë që qëndron, se ky grup apatridësh - sepse këta që vishen faq e zi janë apatridë - nuk kanë asnjë preokupim tjetër, vetëm mandatkëputjet e tyre, çka tregon se i kanë pasur tërësisht të pamerituara, të turpshme dhe nxjerrin nga labirintet e skëterrës psikologjike të njeriut formulime e dokrra, për të intimiduar pakicat”, - u shpreh më tej Berisha.
Censusi
Duke folur për procesin e regjistrimit të popullsisë, kryeministri Berisha ka sqaruar edhe një herë se qëllimi i tij nuk ka të bëjë me elementë për të cilat ai sulmohet, porse me anë të tij do të bëhet e mundur regjistrimi jo vetëm i popullsisë, por edhe i të gjitha pasurive të tyre. Censusi, sipas Berishës, do të bëjë realitet që për herë të parë Shqipëria ashtu si vendet e tjera të zhvilluara të ketë dhëna të sakta për popullsinë, gjendjen sociale të shqiptarëve, si dhe pasuritë konkrete të tyre. “Ky realitet, natyrisht, është i kundërt me atë që e nxijnë çdo ditë, kollagjerë dhe çakej që shfrytëzojnë lirinë për qëndrime nga më absurdet. E kundërshtojnë këtë, sepse ky regjistrim do të nxjerrë të gjitha pasuritë e patundshme që krijuan shqiptarët, duke derdhur lumenj djerse në këto 20 vite, e kundërshtojnë se ky regjistrim do të nxjerrë të gjithë nivelin e ri që kanë kapur shqiptarët, në përpjekjet e tyre mbinjerëzore. Këta lotderdhës hipokritë nuk kanë asgjë kombëtare. Këta vazhdojnë me matematikën e Ramiz Alisë”, - u shpreh Berisha.