E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vlerëson rolin e Jahjagës në konsolidimin e Kosovës

Kryeministri Berisha ka vlerësuar sot rolin e presidentes Atifete Jahjaga në rritjen dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës. Në një takim me presidenten kosovare në rezidencën qeveritare në qytetin e Vlorës, kryeministri Berisha ka theksuar se Jahjaga ka luajtur dhe po luan rol të rëndësishëm në rritjen dhe konsolidimin e Republikës së Kosovës, si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan.
 

Kryeministri Berisha theksoi se progresi i gjithanshëm i Kosovës, funksionimi i shtetit ligjor dhe institucional kanë bërë që Kosova gjithnjë e më shumë të shndërrohet në një faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, mirëkuptimi e integrimi rajonal. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi vendosmërinë e autoriteteve të qeverisë së Kosovës për zbatimin e ligjit dhe të rendit kushtetues në të gjithë territorin e saj.

Presidentja Jahjaga shprehu kënaqësinë e saj për këtë takim dhe e falënderoi Kryeministrin Berisha për të gjithë mbështetjen që ai i ka dhënë dhe i jep Republikës së Kosovës.

Në këtë takim u diskutua gjerësisht mbi bashkëpunimin politik dhe në të gjithë fushat midis Shqipërisë dhe Kosovës, për përpjekjen e përbashkët në njohjen e mëtejshme dhe konsolidimin e pozicionit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›