Ambasadorja e Zvicrës dorëzon fonde për romët

Ambasadorja Zvicerane në Tiranë Yvana Enzler i dorëzoi shumën prej 232`730 Lek të siguruara gjatë koncertit të bamirësisë "Së Bashku për një Çështje të Mirë", organizatës jo-qeveritare "Save the Children Albania".
Dorëzimi u krye në praninë e përfaqësuesve nga Delegacioni i BE-së dhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
"Save the Children", një OJQ ndërkombëtare e cila punon tashmë me komunitetin Rom në Shqipëri, do të administrojë këtë fond. Në konsultim me përfaqësues të familjeve Rome të cilat u strehuan tek zyrat e Avokatit të Popullit para disa muajsh, "Save the Children" do ta përdorë këtë fond për të përmirësuar kushtet e jetesës së këtyre familjeve.
"Së Bashku për një Çështje të Mirë" ishte një koncert për ngritje fondesh organizuar më 23 Mars 2012 tek Teatri i Operas nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës, Zyrës së Avokatit të Popullit, Ambasadës së Zvicrës, Ambasadës së Rumanisë, Delegacionit të BE-së dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Studentë nga Shkolla e Arteve "Jordan Misja" - ndërmjet të cilëve edhe disa studentë Rom - luajtën pjesë të zgjedhura nga kompozitorë shqiptarë dhe të huaj. Aktiviteti ishte mjaft i suksesshëm dhe tërhoqi një audience të shumtë në numër.
Koncerti ishte aktiviteti i parë bamirës organizuar me qëllim ndihmën ndaj më se 50 persona Rom të cilët u gjendën pa shtëpi në Janar 2012.