E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Tahiri dënon sulmin ndaj delegacionit serb

Kryenegociatorja e Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj karvanit të delegacionit serb. Ajo ka sqaruar se delegacioni serb ka qenë pjesë e Grupit të punës për kthimin e dokumenteve kadastrale.
 

Tahiri ka thënë se ka mënyra të tjera për të shprehur mllefin dhe pakënaqësinë. “Ka mënyra shumë më demokratike për ta shprehur mllefin dhe pakënaqësinë”, ka thënë kryenegociatorja Tahiri.
 

Ndërkohë ditën e djeshme, në Prishtinë, është sulmuar me gurë karvani i automjeteve të një delegacioni të Serbisë, i cili po shoqërohe nga zyrtarë të policisë së Kosovës. Si pasojë e kësaj, dy automjetet e delegacionit kanë pësuar dëme të vogla materiale duke iu thyer xhamat anësorë, ndërsa dëmtime të personave nuk ka pasur.
 

Zyrtarët policorë kanë ndërhyrë menjëherë për ta parandaluar incidentin dhe kanë arritur të arrestojnë dy person si të dyshuar të mundshëm të përfshirë në këtë rast, por njëri nga ata, me autorizim të prokurorit është liruar.
 

Zyrtarëve të delegacionit iu është ofruar ndihma mjekësore, por ata e kanë refuzuar me arsyetimin se nuk kanë pësuar asnjë dëmtim dhe nuk kanë nevojë për ndihmë. Pas përfundimit të procedurave policore, delegacioni nën mbikqyrjen e policisë së Kosovës ka vazhduar rrugën për në destinacionin e tij, thuhej në deklaratën e policisë së Kosovës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›