E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja e re franceze, Moro takon Berishën: Franca mbështet integrimin

TIRANE-Kryeministri Berisha priti sot në takim ambasadoren e re të Republikës së Francës në Tiranë, zonjën Christine Moro.

Zyra e shtypit të kryeministrisë bën të ditur se ambasadorja znj. Christine Moro i transmetoi Berishës përshëndetjet më të përzemërta nga Presidenti Sarkozy, si dhe vlerësimin e qeverisë franceze për rolin që Shqipëria luan në kuadër të paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.

Ambasadorja franceze shprehu gatishmërinë për mbështetjen në një numër fushash të bashkëpunimit bilateral dhe në kuadër të integrimit evropian nëpërmjet dhënies së asistencës dhe ekspertizës si në fushën e bashkëpunimit parlamentar, formimin dhe konsolidimin e administratës publike, në fushën e mbrojtjes, rendit publik, frankofonisë etj. Nga ana e tij, Kryeministri e mirëpriti dhe falënderoi ambasadoren znj. Christine Moro për këtë mbështetje duke e konsideruar këtë të një rëndësie të veçantë.

Pasi e uroi për detyrën e re, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e madhe që Franca dhe qeveria franceze i kanë dhënë e i japin Shqipërisë dhe popullit shqiptar. 
Berisha i bëri ambasadores një ekspoze të arritjeve dhe reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në të gjitha fushat.
Kryeministri e siguroi ambasadoren se integrimi evropian mbetet projekti më i rëndësishëm i qeverisë shqiptare, si dhe për angazhimin e saj në çuarjen përpara të reformave në këtë drejtim.
Kryeministri Berisha u ndal mbi situatën bllokuese të krijuar në dy vitet e fundit nga opozita dhe shprehu angazhimin e qeverisë për vazhdimin e reformave pavarësisht kësaj situate, si dhe gatishmërinë e saj për të tejkaluar këtë situatë me kompromis dhe vullnet të mirë politik që synon integrimin e vendit në Bashkimin Europian si interesi më i mirë i qytetarëve.

Duke vlerësuar lart nivelin e marrëdhënieve dypalëshe, Kryeministri theksoi nevojën për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike. Më tej, Kryeministri Berisha vlerësoi se prania e një sërë kompanish prestigjioze franceze në Shqipëri është shenjë inkurajuese për investime të mëtejshme franceze.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›