E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorja është informuar gabim

(E plotësuar) Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar menjëherë pas deklaratës së ambasadores amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, e cila ka thënë kohë më parë Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e kishte kërcënuar ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright

“Ambasadorja e SHBA- së në Kosovë Tracey Ann Jacobson është informuar gabim sa i përket rastit të "kërcënimit ndaj sekretares së shtetit Albright", sepse një rast i tillë nuk ka ndodhur” ka thënë Dardan Molliqaj për Indeksonline.

Sekretari i përgjithshëm i VV-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se Lëvizja VETËVENDOSJE! ju ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës t’i nisin letër proteste të gjitha kompanive që kanë shfaqur interes për të marrë pjesë në procesin e privatizimit të Rrjeti të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK - ut dhe PTK - së.

“Në këtë letër dërguar kompanive në fjalë, iu kemi bërë me dije që po bëhen pjesë e një procesi jo transparent, të udhëhequr nga një qeveri jolegjitime, e cila ka dalë nga një proces zgjedhor i manipuluar dhe nga një qeveri me plotë skandale dhe afera korruptive. Nëse kompanitë në fjalë nuk do ta kenë parasysh një fakt të tillë sigurisht që do të ballafaqohen me protesta të shumta dhe me një rishikim të këtij procesi nga një qeveri legjitime dhe e pakrruptuar në Kosovë. Pra nuk bëhet fjalë askund për kërcënime të Albright, por për një protestë të qytetarëve të Kosovës ndaj këtij procesi të privatizimit” ka thënë Molliqaj.

Molliqaj nuk ka lënë pa kritikuar qeverinë Thaçi.

“Kosova sot vuan nga një qeveri e korruptuar dhe e udhëhequr nga një grup mafioz që e kanë kapur pushtetin dhe shtetin. Një gjë e tillë është dëshmuar nga skandale e shumta korruptive e deri të publikimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të shtetit ditëve të fundit. Sigurisht që qasja jonë nuk është e tillë dhe as nuk do të jetë ndonjëherë e tillë. Ne angazhohemi për një shtet të së drejtës dhe mirëqenies së qytetarëve të vendit. Shumë prej veprimeve tona janë të frymëzuar nga shumë lëvizje politike dhe qytetarë të cilat kanë vepruar në SHBA dhe të cilat kanë ndikuar në zhvillimin e këtij vendi. Pra jemi të bindur se Kosova ka nevojë për një qeveri dhe koncept tjetër politik, sepse ky është problemi ynë” ka thënë Dardan Molliqaj për Indeksonline./Indeksonline/

.....

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson ka deklaruar se vendi i saj nuk mund të vendos raporte normale me Lëvizjen Vetëvendosje, përderisa ajo nuk ndryshon taktikat e dhunshme.

Në një intervistë për “InfoMagazinën” e televizionit Klan Kosova, diplomatja amerikane ka treguar për herë të parë edhe përmbajtjen e një letre që kohë më parë Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ia ka dërguar ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, transmeton express.

Aty, sipas saj, ai e kërcënuar miken e madhe të Kosovës.

“Me Vetëvendosjen kemi kontakte ne nivele të ndryshme. Njerëzit mund të mos pajtohen për çështje të ndryshme, por ne nuk pajtohemi me taktikat e tyre të dhunshme”, ka deklaruar ajo.

“Kam parë një letër të z. Kurtit kur kam ardhur këtu në Kosovë, e po ashtu kam parë një letër që z. Kurti ia ka dërguar ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, ku ai e ka kërcënuar ish-Shefen time se nëse ajo viziton Kosovën, ai do t’i nxjerr njerëzit e tij në rrugë”, ka shtuar Ambasadorja Jacobson.

Sipas saj, Vetëvendosje duhet të ndryshojë.

“Ne dëshirojmë te kemi marrëdhënie të mira me ta, nëse ata ndryshojnë taktikën e tyre të dhunës dhe agresionit. Ne nuk mund të pajtohemi me ta përderisa ata bëjnë demonstrata të dhunshme dhe letra kërcënuese”, ka thënë ajo.

Ambasadorja amerikane në Kosovë në këtë intervistë ka folur edhe për dialogun politik me Serbinë, marrëveshjen që solli në Presidencë Atifete Jahjagën dhe për zhvillimin ekonomik të vendit./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›