E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi informoi presidenten për takimin me Daçiqin

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka informuar presidenten Atifete Jahjaga, për takimin që ka zhvilluar në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, si dhe për dinamikën e përcaktuar të dialogut dhe të zbatimit të marrëveshjeve.

Thaçi tha se është me rëndësi fillimi i suksesshëm i zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Presidentja Jahjaga e përshëndeti fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruara të Kufirit (IBM), të cilën e vlerësoi si një hap drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke e konsideruar këtë si një të arritur për qytetarët në të dyja anët e kufirit.

Marrëveshja e arritur në dialogun e ndërmjetësuar në Bruksel e mundëson lëvizjen e lirë dhe të papenguar të qytetarëve dhe të mallrave, si dhe hap perspektivën evropiane për të dyja vendet, të pavarura dhe sovrane.

Kryeministri Thaçi, ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi dhe nga ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›