Xhabir Zharku kërkesë të re për shtyrje të dënimit

Ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, i dënuar me 3 vjet burgim për veprën penale të detyrimit dhe armëmbajtje pa leje, e ka dorëzuar në gjykatë kërkesën e katërt për shtyrje të ekzekutimit të dënimit.
Kërkesën ai e ka dorëzuar pak minuta para se t'i skadonte shtyrja 1-mujore e dënimit. Më 10 nëntor atij i qe aprovuar kërkesa e tretë për shtyrje të dënimit me arsyetimin se nënën dhe një motër i ka të sëmura rëndë.
"Në orën 15:15 ka arritur kërkesa e re e Xhabir Zharkut për shtyrje të dënimit", ka theksuar Ramadan Gudaçi, kryetar i Gjykatës Komunale të Kaçanikut, transmeton koha.
Ai ka thënë se kërkesa e tij do të shqyrtohet të martën ose të mërkurën. Nga burime tjera merret vesh se Zharku e ka kërkuar edhe një shtyrje të dënimit me motivacionin se i duhet ta shoqërojë nënën në spital për t'u operuar.
Dy kërkesat e para për shtyrje të dënimit Zharkut i qenë refuzuar. Kërkesën e parë ai e pati bërë me arsyetimin se i duhet kohë për ta realizuar një projekt biznesor, ndërsa në të dytën nga GJK-ja pati kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimit deri në marrjen e përgjigjes nga Gjykata Supreme e Kosovës lidhur me kërkesën e bërë asaj për mbrojtje të ligjshmërisë./Indeksonline/