Ambasadorja gjermane: Bilanci i qeverisë në luftën ndaj korrupsionit nuk është inkurajues
Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper, duke folur për radion DW, ka thënë se bilanci i qeverisë në luftën kundër korrupsionit, sidomos në nivele të larta, nuk është inkurajues.
Lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i shtetit ligjor janë elementë mjaft të rëndësishëm në përafrimin e Shqipërisë me BE-në. Strategjia e BE në këtë kontekst ka qënë trajtimi me prioritet i dy kapitujve, që flasin për korrupsionin dhe shtetin ligjor, kapitullit 23 dhe 24, nëpërmjet një dialogu intensiv me vendet kandidate. Korrupsioni në një shoqëri rritet si një masë tumoriale, që jep pasoja mjaft negative në tërësi për shoqërinë dhe tek individët, shtrenjtëson shërbimet e shtetit përkundrejt shoqërisë dhe i bën këto shërbime krejtësisht të paarritshme për njerëzit. Korrupsioni dhe mungesa e shtetit ligjor mbajnë larg investitorët e huaj, të cilët do të mund të krijonin vende pune të reja me anë të dijeve dhe kapitalit, që do të sillnin në vend, si dhe do të mund të ndihmonin nëpërmjet aktiviteteve ekonomike bilancin deficitar të Shqipërisë në këtë kontekst. Është e rëndësishme që qeveria shqiptare të mund të ndjekë një linjë strategjike sistematike në të gjitha nivelet në luftën kundër korrupsionit dhe krijimit të kulturës së pandëshkueshmërisë. Vetëm atëherë do të mund të presim vënien para përgjegjësisë dhe dënimin e marrjen e masave kundër aferave korruptive, sidomos në nivelet e larta. Këtu dua të them se bilanci i viteve të fundit nuk është aq inkurajues. I takon drejtësisë shqiptare dhe shoqërisë civile të jetë aktive, duke përfshirë këtu dhe mediat vigjilente dhe të pavarura, që luajnë një rol vendimtar në luftën kundër korrupsionit, tha ambasadorja.
Ajo foli gjithashtu edhe për nevojën e kufizimit të imuniteteve për zyrtarët. Një nivel i caktuar, i kufizuar i imunitetit është i domosdoshëm për funksionimin e disa organeve të caktuara kushtetuese, si shprehje e ndarjes së pushteteve. Kështu e drejta tejet e balancuar e imunitetit në Bundestagun gjerman arrin të garantojë aftësinë operacionale dhe funksionale të parlamentit. Kjo lloj e drejte e mbron Bundestagun nga ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv dhe pushtetit gjyqësor në të gjitha nivelet e administratës shtetërore. Në Gjermani rrjedhin prej këtej dhe të drejta të caktuara për secilin prej deputetëve. Një deputet, ose një deputete kanë të drejtën që mund të ngrenë pretendimin se Bundestagu në vendimmarrjen për heqjen e imunitetit të mos orientohet nga motive arbitrare, apo jo relevante. Imuniteti i deputetëve ka të bëjë me procedurat penale, ose masa të tjera kundër anëtarëve të veçantë të Bundestagut. Ky lloj imuniteti nuk përjashton ato procedura, duke i bërë ato të varura nga miratimi i Bundestagut. Një miratim i tillë nuk do të thotë se bëhet fjalë për një dënim paraprak, apo paradënim për deputetin në fjalë. Deputeti mbetet anëtar i Bundestagut, nuk do të jetë i kufizuar, apo i dëmtuar në ushtrimin e mandatit të tij. Por në këtë kontekst duhet bërë dallim mes imunitetit dhe indemnitetit. Për mënyrën e të shprehurit në Bundestag deputeti është i mbrojtur nga sanksionet penale, por dhe nga padi të caktuara të gjykatës, të së drejtës civile, për dëmshpërblime etj. Indemniteti nuk mund të hiqet nga Bundestagu dhe mund të zgjasë dhe pas përfundimit të mandatit të deputetit. Prej fushës së indemnitetit përjashtohen rastet e shpifjeve, pretendimi dhe përhapja e fakteve të pavërteta kundrejt atyre, që janë të vërteta. Përveç kësaj deputeti ka të drejtë për të shërbyer si dëshmitar rreth personave, që atij të themi i kanë besuar fakte në cilësinë e tij si deputet, deklaroi ambasadorja.