Basha: Do mbledh tre herë më shumë të ardhura se Rama. Projekt për ndryshimin e emrave të rrugëve
-Vitin tjetër në faturën e ujit do keni të shënuara edhe taksat e bashkisë. Nëse nuk i paguani, u pritet uji. Nuk mjafton që çmimi i ujit do rritet me 66 përqind, por kjo është surpriza e Bashës, që e sheh buxhetin e tij si llotari ku mblidhen të ardhurat sipas dëshirës. Basha: Asnjë familjar imi nuk ka lidhje me kioskat në rrugën pedonale
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, po shëtit në çdo minibashki duke u shpjeguar atyre se si do jetë buxheti i vitit të ardhshëm. Duke u prezantuar një material me Power Point, banorët shohin se si çdo gjë që kanë në lagje mbulohet me gjelbërim, madje edhe rrugëve u vihet bar sipër.
Por ndërsa shumë njerëz mund të mendojnë se tani që ka qeverinë në krah, Basha do investojë diçka, ata gabohen. Duke folur për News 24, Basha tha se do të investojë tre herë më shumë se paraardhësi i tij në një vit dhe këto të ardhura nuk do i sigurojë aspak nga grantet e qeverisë, madje do marrë më pak nga qeveria nga sa ka marrë Rama në vitin 2009. Por si do i gjejë paratë për kaq shumë investime? Basha do luajë bingo. Deklaron se do mbledhë jo pak, por 300 herë më shumë të ardhura se Rama. Pak e çuditshme për një njeri që thotë se ka ulur taksat e tarifat. Basha thotë se heqja e taksave e tarifave do shërbejë si një nxitje që familjarët e biznesmenët të paguajnë edhe më shumë. Madje Basha ka edhe një surprizë për familjet e tiranasve. Taksat do i paguajnë në faturën e ujësjellësit. Në rast se nuk paguajnë, lamtumirë ujë. Nuk mjafton fakti që vitin tjetër çmimi i ujit do jetë 66 përqind më i lartë, por tani fatura e Sahit Dollapit do jetë super e rëndë.
Basha ka premtuar se do të nisë puna për të riparë emrat e rrugëve në Tiranë. Ai tha se bashkë me Këshillin Bashkiak do ngrihet një grup pune për të rishikuar emrat e rrugëve, për të cilat Basha tha se ka pasur edhe indoktrinim.
Basha tha se projekti i kioskave tek rruga pedonale Murat Toptani nuk ka lidhje me asnjë familjar tijin. Asnjë familjar i imi nuk ka lidhje me projektin. Ka pasur një dezinformim që është shoqëruar me padinë përkatëse në gjykatë, tha Basha.
Por Basha duke folur për News 24 tregoi se realisht nuk ka asnjë projekt madhor në mendje, pasi lexoi kuturu e me shpejtësi disa emra rrugësh që do ndërtohen dhe rikonstruktohen me buxhetin e ri. Sidomos nëse ai fiton llotarinë për të mbledhur të ardhura tre herë më shumë. Si mund të ketë projekt madhor në mendje me një qeveri që për 100 vjetorin e shtetit mendon tu dhurojë shqiptarëve vetëm një monument të ri, duke harruar ëndrrat për një parlament e stadium të ri.
Qeveria e kryeministrit Sali Berisha nga ana e tij ka kohë që luan bingo me të ardhurat, kur i fryn ato në buxhet sipas dëshirës. Por ai nuk shkon tek shifra 300 përqind më shumë.
Nejse, Basha kujton se Bashkia është si OJQ. Shihni nënkryetarin e tij, Edmond Panariti, që u thotë tregtarëve se nëse nuk rrisin çmimet për festa do marrin certifikatë mirënjohje.
