Islami: U përpoqa ta shpëtoja PS-në nga Rama, qendrim me dy standarte ndaj meje dhe Blushit
Pas përjashtimit nga Partia Socialiste, Kastriot Islami ka mbajtur një konferencë shtypi, ku ka thënë se përjashtimi i tij është i paprecedent. Sipas Islamit, ai nuk mundi dot që ta shpëtonte PS-në nga veprimet radikale të Ramës. Gjatë gjithë fjalës së tij, Islami i është referuar qëndrimeve të deputetit të PS-së, Ben Blushi, duke thënë se ndaj këtij të fundit, edhe pse Blushi ka pasur të njëjtat mendime me të, PS ka mbajtur qëndrim tjetër, duke mos e përjashtuar.
Për Islamin, përjashtimi i tij është ngjarja më e rëndë dhe më e zezë në të gjithë historinë e Partisë Socialiste.
Përjashtimi im është një veprim i paprecedent, pasi unë nuk isha aty. Pra, një vendim me dyer të mbyllura. I qetë dhe i vendosur në bindjen time pas 20 vitesh punë dhe kontributi në PS, pas dy vitesh për ta shpëtuar Partinë Socialiste nga veprimet radikale të Ramës, profesor i diplomuar në Francë dhe Gjermani, kryeparlamentar i parë në Shqipërinë demokratike, pasi shqetësohem dhe shantazhohem, më së fundi Edi Rama më përjashton nga Partia Socialiste.
Para 2009-s më thoshte përditë në telefon që kam respekt për inteligjencën tënde. Ndjej keqardhje dhe dëshpërim të madh. Kjo që ndodhi sot nuk do të kishte ndodhur asnjëherë nëse në drejtim të PS-së nuk do të kishte ardhur Edi Rama, që po e shkatërron PS-në që prej vitit 2005.
Unë shpall sot projektin e së majtës së bashkuar për integrimin e Shqipërisë në Europë. Projekti Rama ka dështuar që nga viti 2005 dhe rrezikon që të mbetet ende në opozitë edhe pas 2013-s, pasi ai kërkon që të vijë në pushtet vetëm, pa aleatë.
Unë jam i bindur që Rama do të dështojë edhe në zgjedhjet e vitit 2013 dhe këtë e mendojnë edhe shumë të tjerë si unë. Unë nuk kam qenë asnjëherë kundër kolegëve të mi.
Projekti im do ti përfshijë dhe motivojë të gjithë socialistët, kudo që janë. Që prej dy vjetësh kam mbështetur projektin e së majtës së bashkuar, ndonëse gjatë gjithë kohës kanë trilluar ndaj meje dhe më kanë fyer, ka thënë Islami gjatë fjalës së tij.