E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja gjermane: Nishani, zgjedhje e mirë. U shmangën zgjedhjet e parakohshme

Share

Ambasadorja e Gjermanisë, Carola Müller-Holtkemper, duke folur për Deutsche Welle shprehet me besim se Bujar Nishani do të përpiqet të përfaqësojë unitetin e popullit. Ajo apelon për përmbylljen e punës me prioritetet e mbetura për përafrimin me BE.

Zonja Ambasadore, në politikën e brendshme të Shqipërisë kishim së fundi një zhvillim të rëndësishëm, finalizimin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Si e vlerësoni në tërësi procesin, dhe zgjedhjen në raundin e katërt të z. Bujar Nishani në krye të shtetit?

Parlamenti shqiptar zgjodhi presidentin e ri në një proces kushtetues dhe kjo është më e rëndësishmja. Sigurisht që ne dhe të tjerë kishim shpresuar të arrihej konsensusi. Bujar Nishani më duket një zgjedhje e mirë, unë i kam shprehur atij urimet e mia. Përvoja e bashkëpunimit me të kanë qenë pozitive, qoftë si ministër Drejtësie ashtu edhe si ministër i Brendshëm. Ishte një bashkëpunim besimplotë, transparent dhe rezultativ. Unë jam optimiste që, si President, ai do të përpiqet të përfaqësojë vërtet unitetin e popullit.

Ka diskutime në opinion që e lidhin zgjedhjen e kreut të shtetit me procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE nga ana e Shqipërisë. Në pikëpamjen tuaj, a mund të konsiderohet procesi presidencial një element pozitiv, apo një element negativ në ambicien e Shqipërisë për marrjen e statusit në vjeshtën e këtij viti?

Procesi ishte korrekt në përputhje me Kushtetutën. Zgjedhjet e parakohshme mundën të parandaloheshin. Tani duhet të jenë në dispozicion sërish të gjitha kapacitetet e nevojshme për të përmbyllur punën me prioritetet e mbetura të përafrimit me BE. Ambiciet për vjeshtën e ardhshme janë tashmë të njohura, po kështu edhe kushtet. Komisioneri Füle i ka sjellë edhe njëherë në vëmendje pikat e mbetura gjatë fjalës së mbajtur përpara parlamentit shqiptar. Për më tepër këtu nuk është fjala për kërkesa të huaja, por për një katalog detyrash, të cilat shqiptarët ia kanë vënë vetes në kuadër të të ashtuquajturit “action plan”.

Duke u nisur nga zhvillimet aktuale politike, cila është pritmëria juaj znj. Ambasadore, për realizimin dhe përmbushjen e të tjerave detyra të shtëpisë që Brukseli ka vendosur për Shqipërinë. Kam parasysh këtu reformën elektorale, trajtimin e çështjes së imunitetet për zyrtarët e lartë dhe politikanët, përmirësimin e rregullores në jetën parlamentare, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.

Reforma e kodit zgjedhor, reforma parlamentare, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në tërësi, pra, krijimi i shtetit ligjor, këto janë detyrat që duhet të përmbushen në rrugën e përafrimit me BE. Ne do të ndjekim me shumë kujdes progresin dhe ky është premtim nëse do të ketë një të tillë, do ta vlerësojmë atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›