E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do rris pagat, çmimet janë ulur ndjeshëm. Ftoj Ramën të vijojmë reformat

Share

Kryeministri deklaroi në mbledhjen e grupit se zgjedhjet në Greqi kishin rëndësi jetike për Shqipërinë. Berisha sulmoi Edi Ramën, edhe pse e ftoi për të bërë reformat. Në shënjestër të kryeministrit ishte edhe botuesi Koço Kokëdhima, të cilin Berisha e quajti kryetar në hije të PS

Kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e grupit parlamentar të PD duke thënë se qeveria do të rrisë pagat e pensionet kur Europa po i ul ato.

Në mbledhjen pas kësaj të mërkure qeveria vendos për rritjen e rrogave e pensioneve. Nuk ka vendim më njerëzor se vendimi për të rritur në këtë periudhë rrogat e pensionet për shqiptarët. Rritja e rrogave e pensioneve është një akt madhor në politikën sociale të kësaj mazhorance dhe të kësaj partie. Por premtimet janë premtime dhe ato mbeten në letër në qoftë se nuk shoqërohen me realizime. Rrogat nuk do mund të rriteshin qoftë edhe një qindarkë, madje në kushte të njëjta me vende të tjera të rajonit e botës, ato do të duhet të uleshin në mënyrë të ndjeshme, pensionet nuk do rriteshin qoftë edhe një qindarkë, por do të uleshin me 20 deri në 40 përqind. Por reformat kanë qenë një histori e vërtetë suksesi, tha Berisha.

Qëllimi i një qeverie është mirëqenie në rritje për qytetarët. Mirëqenia ka aspektet e veta, të ardhurat, shkollimi, shërbimi shëndetësor, infrastruktura, pra është kuintesencë e një tërësie faktorësh, të cilave po u përmbahemi dhe që po bëhen çdo ditë e më të prekshme për qytetarët shqiptarë, vijoi kryeministri.

Berisha tha se kriza në Europë do vazhdojë gjatë, por shqiptarët janë me fat se kjo qeveri di të bëjë reforma.

Berisha tha se sikur të mos mjaftojë rritja e pagave, shqiptarët po përjetojnë edhe diçka pozitive: uljen e çmimeve.

Kjo rritje, në vitin më të vështirë të krizës ekonomike për Europën, ka edhe një nëntekst, që është më reale se asnjëherë. Sepse e vërteta është se inflacioni po bie për shkak të krizës evropiane. Rënia e çmimit të mallrave në Europë ka bërë që çmimet të ulen. Këtu natyrisht ndikon dhe prodhimi i rritur në vazhdimësi. Tani është periudha që ne po korrim, vjelim rezultatet e atyre politikave nxitëse që kemi ndërmarrë gjatë viteve të fundit në prodhimin bujqësor. Sot janë qarqe të tëra ku prodhimi është rritur 16 herë si molla në Korçë, apo zarzavatet në Berat, Dumre dhe kudo, tha Berisha.

Kryeministri përmendi rastin e kryetarit të komunës Xarrë, i cili vlerësohet si histori suksesi. Kryeministri sulmoi edhe botuesin e gazetës Shekulli.

Heroi i Edi Ramës dhe miku im, Dhimo Kote, më thotë se përpara eksportonte shalqi. Tani është shumëfishuar çdo gjë se është ndërtuar rruga. Tani transporti realizohet në një kohë rekord.

8 vjet rrugën nuk ia ndërtuan rrugën Dhimos, se është kollaj ta bësh të vetmin personazh pozitiv, çuditem si e lë Koçoja që nuk toleron njeri veç vetes së tij, kryetari në hije i PS, tha Berisha.

Kryeministri foli gjatë edhe për zgjedhjet në Greqi. Ai vlerësoi fitoren e homologëve të djathtë. Sipas tij, këto zgjedhje kanë pasur rëndësi jetike për Shqipërinë.

Dje populli grek ka bërë një votim historik, votim i cili është përshëndetur nga mbarë Europa dhe bota e qytetëruar. Kombi grek votoi për forcat politike, të cilat janë të angazhuara për të zbatuar marrëveshjen në interesin më të mirë të kombit dhe vendit të tyre me eurozonën. Kombi grek i besoi qeverinë qendrës së djathtë, të drejtuar nga Antonis Samaras, partisë simotër, me një traditë 20-vjeçare bashkëpunimi të ngushtë mes PD dhe Demokracisë së Re. Ky votim e ka pasur rëndësinë e dytë jetike për kombin shqiptar pasi në këtë vend, më shumë se në çdo vend tjetër gjenden qindra e mijëra vëllezër e motra tanë, të cilët shkuan aty për të ndërtuar jetën e tyre për shkak të gjendjes së stërmjerë në të cilën ata dolën nga diktatura komuniste. Në mënyrë graduale, pozicioni, jetesa dhe gjendja e tyre ka njohur përmirësime të vazhdueshme, të gjithanshme. Ata u bënë një faktor shumë i rëndësishëm i rritjes ekonomike në Greqi e Shqipëri. Çdo vështirësi e tyre është vështirësi e dhimbje për çdo shqiptar në Shqipëri. Fakti që Demokracia e Re, në një hark kohor të shkurtër u rrit me rreth 10 përqind, dëshmon se elektorati grek zgjodhi forcën politike më serioze, e cila ka të gjithë potencialin dhe nuk bëri asnjë mashtrim të vetëm elektoral, e cila jashtë çdo lloj demagogjie mbrojti projektin evropian të Greqisë si projektin më të mirë për të kapërcyer vështirësitë. Kjo është arritje e madhe për Greqinë, për rajonin, për eurozonën dhe shënon një kapitull të ri në përpjekjet e këtij vendi për tu përballur me krizën.

I shpreh urimet Samaras për fitoren e shkëlqyer në zgjedhje në kushtet e një agresioni populist të shfrenuar. Demokracia e Re jashtë çdo note populiste, jashtë çdo note populiste, mbrojti programin që kishte mbështetur kur PASOK kishte qenë në qeveri, duke dëshmuar seriozitetin më të madh në kushtet më të vështira, tha Berisha.

Në mbyllje kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje Edi Ramës të vazhdojnë me reformat.

Duke e mbyllur doja ti bëj një thirrje zotit Edi Rama të vendosim interesat evropiane të shqiptarëve si përparësi të çdo përparësie. Nuk është konsensusi për tu përdorur për bllokim. Konsensusi është një proces ku çdo palë duhet të bëjë lëshime. Kemi punuar muaj të tërë në reformën zgjedhore. E kemi sjellë pothuajse në përfundim të plotë. Është bërë një punë serioze. Nuk duhet që në momentet e fundit të përdoret fuqia politike e drejtuesit për të bllokuar procesin. Pse ky proces nuk u bllokua një muaj më parë le të themi? Pse ekspertët e dy grupeve arritën dakordësinë në të gjitha çështjet? Ky e ka konsensusin 100 përqind për vete, asgjë kundërshtarit. Ky nuk është konsensus. Nëse ti thua unë të gjitha, ti bërrylin, atëherë ti nuk je konsensus. Prandaj i bëj thirrje të përparësojmë interesat evropiane të qytetarëve shqiptarë, të përfundojmë reformën zgjedhore, të lëmë mënjanë praktikat e kokës së turkut. Koka e turkut na u bë ne helmi në tepsi që servirte diktatura çdo gjashtë muaj për të nakatosur shpirtrat e njerëzve. Nuk bëhet politika me koka turku. Nuk bëhet konsensusi me koka turku. I bëj thirrje të fillojmë me imunitetin, që të mos tregojë se është i vetmi opozitar që e do qeverinë me imunitet. Muri i vërtetë për heqjen e imunitetit është klubi i miliarderëve. Po mbahet procesi peng për pasuritë e e Tom Doshit, Sadri Abazit dhe Koço Kokëdhimës? tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›