E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambicia e Beqajt: Tani duam vendin e tretë në grupin B

Anorthisit Farmagusta dhe heronjtë e tij duket se po jetojnë si në një ëndërr të bukur. Dhe gjithçka është arritur me meritë nga futbollistët e kësaj skuadre, të cilët kanë bërë një paraqitje të shkëlqyer në dy ndeshjet e para të Grupit B në Champions League. Mes tyre është edhe një hero shqiptar, pikërisht portieri i kësaj skuadre, por njëkohësisht edhe i kombëtares shqiptare, Arjan Beqaj. Paraqitja e tij nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga gazetarët e UEFA-s, të cilët i kanë kushtuar goxha hapësirë portierit shqiptar në një artikull të djeshëm me titull: "Shtohen emocionet për heronjtë e Anorthosisit". Portieri shqiptar me pritjet e tij në fazën e eliminatore, i ka siguruar ekipit edhe pjesëmarrjen në fazën e grupeve. Ndërkohë, para deklaratës së tij për "uefa.com" citohet thënia e gazetarit: "Një tjetër lojtar që refuzon të ketë qenë ai që e ka sjellë Anorthosin deri në këtë pikë është portieri i Shqipërisë Arjan Beqaj, i cili në fazën e ndeshjeve eliminatore ka qenë faktor garantues i një ecurie të mirë drejt prerjes së biletës për në fazën e ndeshjeve në grupe". Ishte pikërisht kosovari, ai i cili në ndeshjen me Verder Bremenin në shtëpinë e këtyre të fundit, nuk lejoi për asnjë moment gjermanët ta çonin topin në rrjetë. Ndërsa pas suksesit të së mërkurës kundër Panathinaikosit 3-1 në Qipro, skuadra e tij është pozicionuar e para në krye të grupit, me pikë të barabarta me Interin (4). Tashmë gjithçka duket vërtet si një ëndërr për qipriotin, po ashtu edhe për Beqajn, i cili në prononcimin e tij, thekson se objektivi i Anorthosisit të Farmagustës është arritja në vendin e tretë në grup. "Për ne është një fitore shumë e rëndësishme. Tani do të përqendrohemi në ndeshjet e ardhshme. Kemi katër pikë, por na presin edhe 4 ndeshje të tjera. Qëllimi ynë i parë është vendi i tretë, kështu ne do të vazhdonim në Kupën UEFA. Por, për këtë duhet të punojmë mirë në të ardhmen", përfundon Beqaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›