E Shtunë, 31 Tetor 2026

Han, Shqipëri pa surpriza ndaj Hungarisë e Portugalisë

Mungojnë surprizat në listën e trajnerit të kombëtares shqiptare Ari Han. Këtë e ka bërë të njohur shpallja e emrave të 22 futbollistëve të grumbulluar nga tekniku holandez i kuqezinjve për dy ndeshjet e tetorit në transfertë, atë kundër Hungarisë më 11 tetor dhe kundër Portugalisë më 15 tetor.

S‘ka surpriza - Han nuk ka preferuar ta ndryshojë listën e futbollistëve, të cilëve u besoi suksesin e bujshëm në dy ndeshjet e para eliminatore të Grupit 1 për Botërorin 2010 të luajtura në Tiranë, 0-0 me Suedinë më 6 shtator dhe 3-0 ndaj Maltës më 10 shtator. Janë të njëjtët lojtarë, ata të cilët do të zbresin më 6 tetor në Hungari për të zhvilluar fazën përgatitore për dy ndeshjet e radhës, drejt të cilave Shqipëria shkon si kryesuese e grupit me 4 pikë, ku golavarazhi më i mirë e vë para Danimarkës.

Porta - Edhe pse janë ftuar tre portierë nga tekniku holandez, favoriti për t‘u pozicionuar në mes të shtyllave të portës së Shqipërisë për këto dy ndeshje është Arjan Beqaj. Portieri shqiptar i qipriotëve të Anothosist të Farmagustës, i aktivizuar në dy ndeshjet e para, po tregon një formë shumë të mirë, si në Qipro ashtu edhe në Champions League, ku deri tani skuadra e tij ka grumbulluar katër pikë, ndërsa ai ka pësuar 1 gol. Në bokse do të qëndrojnë gjithnjë të gatshëm Isli Hidi dhe Ilion Lika.

Mbrojtja - Edhe pse dy kundërshtarët e radhës, të përkufizuar si më favoritë në letër se sa Shqipëria dhe që imponojnë lojë mbrojtëse, trajneri Han ka dëshmuar edhe njëherë se po eksperimenton në repartin difensiv. Janë grumbulluar vetëm pesë: Dallku, Vangjeli, Curri, Vrapi, Lila, Beqiri e Teli. Por në rast të ndonjë emergjence të shkaktuar nga ndonjë dëmtim i mundshëm, apo edhe faktorë të tjerë, holandezi ka luksin të kthejë në repartin ofensiv ndonjë prej mesfushorëve, të cilët janë eksperimentuar edhe herë të tjera aty.

Mesfusha - Cana, Lala, Duro, Skela, Agolli, Bakaj, Hyka, Bulku, janë përzgjedhjet e teknikut të Shqipërisë, që do të formojë edhe repartin e mesfushën anti-Hungari e anti-Portugali. Mes tyre është Bakaj ai që ka shanset më të pakta të aktivizimit. Ndërkohë që duhet theksuar se Cana e Duro vijnë nga dy dëmtime, të komentuara si jo të rënda, por të shpresojmë që nuk do t‘i lënë me probleme. Një formë të mirë kanë treguar në kampionatet përkatëse ku luajnë edhe Skela, Lala. Ndërsa Hyka ka pak minuta lojë në këmbë, pasi trajneri i Mainçit e ka lënë në stol në ndeshjet e tetorit.

Sulmi - Reparti ofensiv është edhe ai ku konkurrenca është më e fortë, deri në momentet e fundit të bërjes së njohur të 11-shes titullare që Han do të zbresë në fushë në ndeshjet përkatëse. Bogdani, Salihi, Kapllani e Berisha do të duhet të rivalizojnë njëri-tjetrin për të fituar besimin e trajnerit për vendin e vetëm të sulmuesit në modulin tashmë të deklaruar nga holandezi 4-3-2-1. Deri tani trajneri Han ka aktivizuar tre nga katër sulmuesit e thirrur, ku vetëm Kapllani nuk ka luajtur ende asnjë minutë. Por i vetmi që ka më shumë praktikë loje në muajin shtator është Salihi, që luan në radhët e skuadrës austriake SV Ried. Kapllani kthehet nga një dëmtim, Ndërsa Bogdani e Berisha aktivizohen vetëm pak minuta në skuadrat e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›