E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdiq hebreu i mashtruar prej ca shqiptaresh

Pak ditë më parë vdiq në Romë Raffaello Fellah. 73 vjeç, Fellah kishte ndjerë gjatë ditës një dhembje të vogël, kishte bërë kontrolle mjekësore që nuk i kishin nxjerrë asgjë shqetësuese dhe pastaj kishte rënë në gjumë. Për të mos u ngritur më.

Shumë veta mund të pyesin: cili është ky Raffaello Fellah, që meriton të jetë subjekti i një shkrimi, dhe a mos vallë ky shkrimi duhet injoruar si të gjithë homazhet post-mortum që u kushtohen ca njerëzve që ikin dhe që nuk i dëgjojnë lëvdatat e të gjallëve?

Në fakt, ky shkrim nuk është homazh për Fellahun, por një kujtesë për të mos qenë mosmirënjohës me miqtë. Me miqtë e Shqipërisë. Kujtesë dhe për të gjithë ata që Raffaello i ndihmoi në mënyrë të dizinteresuar dhe që i kthyen krahët në rastet e fatkeqësive të tij. Apo në rastet e historive ku ai rezultoi viktimë e shqiptarëve në bizneset e tij, kërkoi ndihmë te shteti ligjor që duhet të funksiononte me protagonistë ata që ai ndihmoi, por që e injoruan, si mosmirënjohës profesionistë.

Pra, Raffaello, si subjekt i një shkrimi, është interesant, edhe për një arsye tjetër. Raffaello është rasti i hebreut, që ia kanë hedhur shqiptarët. D.m.th që doli i mashtruar prej tyre. Në qoftë se mitologjia globale i nxjerr gjithmonë hebrenjtë fitimtarë, që manipulojnë, kontrollojnë në favor të tyre të gjithë botën, rasti i Fellahut është krejt i kundërt. Duke e bërë dramatikisht një rast interesant.

Fellah vinte prej Libisë, nga ku detyrohet të ikë në vitet ‘60, pas spastrimit etnik të kolonelit Gadafi në dëm të hebrenjve të pasur. Atje i vranë babain, por ai fali gjithnjë. Ai ishte për pajtimin kurdoherë, siç e treguan jeta në shërbim të projekteve të paqes dhe vargjet e Kuranit që një zyrtar libian i lexoi në varrin e tij. Ai kishte akses te koloneli Kadafi që e përzuri dikur nga toka e tij dhe të gjithë e nderonin në vendin ku lindi. "Një ditë takova një përfaqësi të hebrenjve libianë të vendosur në Itali. Të gjithë kërkonin shpagim dhe sjellje armiqësore ndaj Libisë, Fellah ishte pro pajtimit", e kujton atë Giulio Andreoti, në një intervistë që unë i mora për "Top Channel", transmetuar dy vite më parë. Andreoti ishte njeriu që u mbështet në shumë raste në idetë, në kreativitetin e tij, veçanërisht në miratimin e operacionit "Pelikan", që në vitin 1991 shpëtoi Shqipërinë nga uria, apo në shumë zhvillime në Lindjen e Mesme. Andreoti mbeti një mik dhe vlerësues i tij i palëkundur dhe Fellah ishte gjithnjë një çelës për të shkuar drejt Andreotit për shumë personalitete shqiptare. Fellah ishte këshilltar ekonomik i Arafatit (një hebre, këshilltar i liderit palestinez). Por mbi të gjitha, Fellah ishte autor i planit origjinal "Al Sharkia", që synonte të pajtonte përfundimisht hebrenjtë me palestinezët, nëpërmjet ndërtimit të bizneseve të përbashkëta, zgjidhjes së problemeve të pasurive të patundshme të braktisura nga palët në konflikt, etj., etj. Një plan inxhinierie financiare që pati sukses në momente të para, por që dështoi për forca më madhore se vullneti i pacifistëve si Fellah. Një plan që mund të zbatohet për raste të ngjashme.

Lidhja e Fellah me Shqipërinë

Fellah ishte ndër misionarët e parë të afrimit të Shqipërisë me Perëndimin, i dërguar nga Kryeministri Andreoti në Shqipëri në 1989, si testues i vullnetit real të shqiptarëve për t‘u hapur dhe si ndërlidhës i parë i tyre me botën e lirë. Fellah në 1991 sugjeroi planin humanitar "Pelikan", që Kryeministri Andreoti e vuri menjëherë në praktikë. Fellah ishte propaganduesi i parë i së vërtetës lavdiplotë mbi raportin e shqiptarëve me hebrenjtë gjatë luftës. Themelues i shoqatës së miqësisë Izrael-Shqipëri, që në vitet e para të tranzicionit, Fellah ishte organizator i vizitës së Kryeministrit Meksi në hapjen e muzeut të Holokaustit në SHBA, i vizitës së kreut të opozitës Nano në Izrael, etj. Fellah solli delegacionin e Bankës së Romës, e që solli më pas krijimin e bankës së parë perëndimore, Bankës Italo-Shqiptare. Fellah qëndron mbrapa lobimit në Komisionin e Jashtëm të Senatit, drejtuar nga hebreu Benjamin Gilman për lirimin e Nanos. Kam parë letrat e ndjera në një italishte të shkëlqyer të Fatos Nanos nga burgu drejtuar "vëllait Raffaello", që u injorua banalisht kur Nano u bë Kryeministër i vendit. Nano nuk kishte kohë të dëgjonte vuajtjet që Fellahut i kishin krijuar shqiptarët. Dhe as t‘i shlyente borxhet e mirënjohjes për ndihmën që i kishte dhënë atij dhe familjes së tij.

Fellah ishte ndërmarrësi i paqes: i pëlqente të investonte apo të përfshihej në projekte biznesi në zona konflikti apo të sapodala nga konflikti. Ai ishte i dashuruar me idetë, që prodhonte një mendje kreative, unike si e tija, një jetë e pasur në ide, ndërsa materialisht u rrënua falë mashtrimeve që i vinin nga zonat e konfliktit dhe njerëzit e tyre. Në fillim të viteve ‘90, paraqiti një program rinovimi të të gjitha hoteleve turistikë shqiptare, organizoi me paratë e veta trajnimin e shumë arkitektëve të shquar tanët, financoi studime, për të cilat s‘pati asnjë fitim, përveç mohimit të pagesave që duhej t‘ia bënte shteti shqiptar. Një shtëpi që bleu në zonën e Qytetit Studenti ia grabitën, ashtu si dhe një biznes tjetër. Por kjo nuk e dekurajonte, nuk e shkëpuste nga lidhjet me Shqipërinë. Fellah vazhdonte të propagandonte kudo modelin shqiptar të bashkëjetesës fetare, të dërgonte shqiptarë në Izrael, të mobilizonte lobin hebre në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të kujtonte rregullisht miqtë e vet shqiptarë.

Vdekja e Fellah ishte një ngjarje e përjetuar shumë në gjirin e komunitetit hebre në Itali: ai ishte njëri ndër drejtuesit e këtij lobi, president i Organizatës Botërore të Hebrenjve të Libisë dhe të Hebrenjve Sefarditë në botë. Themelues bashkë me Andreotin dhe gruan e ish-presidentit egjiptian Sadat, i organizatës "Trialogo", me synim nxitjen e komunikimit midis feve kryesore të botë, Raffaello iu përkushtua projekteve utopike, si një misionar i vërtetë, duke u rrënuar financiarisht, besnik i iniciativave të veta kulturore dhe të paqes. Gazetat kryesore italiane dhanë njoftimin e vdekjes së këtij njeriu, këshilltar i Veltronit, Andreotit, Rutelit, që e qanë hebrenjtë, palestinezët, libianët dhe kristianët. Muzeu hebraik i Italisë dhe një muze tjetër në Izrael do t‘i kushtojë një hapësirë këtij njeriu të veçantë, këtij misionari sui generis dhe miku të shqiptarëve. Mik i shqiptarëve, megjithëse ca prej tyre, që sot janë dhe të mëdhenj, i kthyen krahët sistematikisht. Ca prej tyre e mashtruan. Por ai gjithmonë i deshi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›