E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nje shans teresisht i fituar gjerman

Ajo që më pati bërë më shumë përshtypje ishte se, përgjithësisht një pjesë e mirë e analistëve, vit për vit, me shkas e pa shkas, vajtonin deri në mjerim "Shansin e humbur gjerman" dhe mallkonin pa mëshirë udhëheqjen kokëngjeshur komuniste, që nuk arriti të kuptojë qëllimin e lartë të palës gjermane dhe aq më pak të përfitojë nga dashamirësia e saj për të nxjerrë vendin nga varfëria dhe mjerimi. Një pjesë e këtyre opinioneve janë paraqitur edhe në dokumentarin "Shansi i humbur gjerman", transmetuar në programin e përjavshëm "Exclusive" në "Top Channel". Duke u njohur me shifrat që kanë mbajtur peng bisedimet dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore midis dy vendeve, megjithëse për vitet e para të periudhës pas hapjes së vendit i kisha justifikuar disi këta analistë, për shkak të mosnjohjes, më kishte habitur ngulmimi i tyre (dhe i protagonistëve të kohës, madje dhe i disa prej atyre që kishin asistuar vetë në bisedime) për ta quajtur gjithçka "Një shans të humbur" një herë e përgjithmonë.

Vit pas viti këta ankimtarë të pazellshëm, për t‘u kthyer qoftë dhe për kureshtje tek e vërteta, më ngjanin gjithnjë e më shumë si Sizifi në mitologjinë e vjetër greke. Por ndryshe prej Sizifit antik të dënuar nga hyjnitë, me mundimin për të ngritur deri në majën më të lartë murin e progresit e pastaj për t‘u rrëzuar në humbellë bashkë me të, këta Sizifë të vënë në kërkim të "shansit të humbur gjerman" ringjiten mundimshëm deri në majë, duke pandehur se, kanë mbi shpinë gurin e mundimit, por, që në fakt, mashtrojnë veten dhe andrallojnë publikun.

Ka qenë shumë e thjeshtë për t‘i shpëtuar modelit të "Sizifit pa gur". Mjafton të shtrohej pyetja: - Dakord që udhëheqja komuniste, fanatike dhe intransigjente sikurse ishte, e humbi shansin gjerman, por afro dy dekada pas shfaqjes së këtij shansi dhe 18 vjet pas përmbysjes së komunizmit, a mbeti ky shans përgjithnjë i humbur?

Në të vërtetë, i pari që e pati përgënjeshtruar tezën e humbjes së shansit gjerman ka qenë ish-ministri i Punëve të Jashtme të RFGJ Hans-Dietrich Genscher. Në vizitën e parë në Shqipëri, në fillimin e viteve 1990, ai pati deklaruar se të gjitha qëllimet tona janë duke u realizuar. Shqipëria po përfiton mbështetjen ekonomike që iu premtua, vendi po zhvillohet në rrugën e lirisë së mendimit, po bashkohet me strukturat evropiane, e po integrohet në botën që i takon.

Por "Sizifët pa gur" vazhduan vajin e trishtuar, pa iu kthyer kurrë fakteve. Pikërisht për këtë arsye, është e domosdoshme të rindërtohet kalendari i historisë së marrëdhënieve midis dy vendeve dhe të shpjegohen shanset e fituara, me gjuhën e shifrave:

Në arkivin e MPJ gjendet një fond me titullin e shkurtër IARA, Interaliance of Reparations and Restitutions Agency - Agjencia Ndëraleate e Reparacioneve dhe Rikthimeve, që u krijua në përfundim të Konferencës së Parisit (1946) dhe që u ngarkua të zgjidhë çështjet financiare që buronin prej dëmeve të luftës. Në këtë fond gjendet edhe një broshurë, me të dhëna shumë interesante për mënyrën si është parashtruar nga pala shqiptare menjëherë pas luftës problemi i dëmshpërblimeve. Broshura është në gjuhën frënge.

Çfarë kërkoi Shqipëria nga IARA (1946)?

- 1329997567 franga ari, baras me 437 499 211,88 dollarë amerikanë (të asaj kohe).

Çfarë ofroi IARA për Shqipërinë?

- 0.00005 për qind të reparacioneve të përgjithshme që duhej të shlyente Gjermania, ose vetëm 1 të 2000-ën pjesë të detyrimeve të përgjithshme të Gjermanisë për shtetet fituese (reparacione, riparime, kategoria A). Kjo ishte e barabartë me 27 866 dollarë amerikanë.

- 0.00014 për qind të rikthimeve të përgjithshme (restitutions) që Gjermania do të bënte prej pasurive të gjetura ose të grabitura, domethënë 7 të 2000-at e restitucioneve të përgjithshme të Gjermanisë, baras me 1 067 436 dollarë amerikanë (kategoria B).

Shqipëria fitoi nga IARA të drejtën për t‘u dëmshpërblyer gjithsej me 9 të 2000-ta pjesë të reparacioneve (rindërtimeve) dhe restitucioneve (rikthimeve). Këto gjenden të sistemuara në arkivin e MPJ-së, në dosjen "Mbi reparacionet nga RFGJ".

Në vitin 1953, fuqitë aleate, me anë të marrëveshjes së Londrës, e çliruan Gjermaninë nga përgjegjësia për të shlyer dëmshpërblime. Mbeti në fuqi vetëm detyrimi i Gjermanisë për çështje humanitare, kompensimi i viktimave të luftës, i të dënuarve dhe internuarve.

Në vitin 1975 (28 qershor) filluan bisedimet zyrtare midis RFGJ dhe Shqipërisë. Bisedimet u zhvilluan në Beograd. Tirana kërkoi zyrtarisht:

- 2.006 500000 dollarë amerikanë (afërsisht 2.5 miliardë DM, aq sa del shifra edhe në vitet 1980) reparacione. Përafërsisht kaq rezulton shuma e 437 499 211,88 dollarëve të kërkuar më 1946-ën, me korrigjimin e kursit, pasi kishin kaluar 30 vjet;

- 559 554 000 dollarë interesa të humbur nga mosshlyerja e detyrimeve në kohën e duhur prej palës gjermane. Më 27 tetor 1975 pala gjermane përgjigjet "jo". Dy vjet më pas rifillojnë bisedimet zyrtare në nivel ambasadorësh.

Në qershor të vitit 1979, Tirana bindet të diskutojë me palën gjermane vetëm çështjet humanitare, detyrimet gjermane për të dënuarit dhe të internuarit, duke hequr dorë nga kushti i dëmshpërblimit paraprak. Në gusht të vitit 1979, qeveria gjermane, pasi kishte dhënë pëlqimin për këtë formulë, tërheq ambasadorin nga Beogradi. Boni kthehet te formula e mëparshme: asnjë dëmshpërblim pa vendosur marrëdhëniet diplomatike.

Më 1980-ën, bisedimet zhvendosen në Austri: pala gjermane propozon formulën "zgjidhje me dy etapa": fillimisht normalizimi i marrëdhënieve diplomatike, pastaj çështjet e diskutueshme, të trashëguara nga lufta. Në formulën gjermane nuk përmendet as fjala "reparacion", as fjala "restitucion", aq më pak fjala dëmshpërblim. Përmendet vetëm nocioni "bashkëpunim ekonomik".

Po atë vit, Tirana bie dakord për zgjidhjen me dy faza, por me rend të anasjelltë. Njëkohësisht Boni rekomandon shembullin e Polonisë, e cila kishte përfituar 1 miliard DM kredi me 4 për qind interes (pala gjermane e quante "falas" këtë interes). Por pala shqiptare menjëherë i kujton Bonit se Polonia kishte fituar 1.3 miliardë DM kompensime gjermane në kohën e dëmshpërblimeve dhe po ashtu shumë kompensime edhe nga BS. Precedenti më i pëlqyer për Tiranën ishin dëmshpërblimet gjermane për Izraelin, që arrinin në 3.450 miliardë DM. Dëmshpërblime të tjera gjermane ishin dhënë dhe për 17 vende (ndoshta më shumë).

Më 8 korrik 1980, Tirana propozon negociata për përllogaritjen e dëmit. Dy muaj më pas, më 20 shtator 1980, pala gjermane (në Austri) refuzon çdo diskutim për dëmshpërblime dhe reparacione.

Tetor 1987: Shqipëria dhe RFGJ bien dakord të vendosin marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadorësh.

Tetor 1988: nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, me parashikimin për një ndihmë afatgjatë ekonomike që përfshinte 10 milionë DM ndihmë dhe 10 milionë kredi pa interes për një periudhë 20-vjeçare (afërsisht 800 milionë DM).

Tetor 2008: Gjermania shënjon vendin me ndihmën ekonomike më të madhe për frymë, duke arritur shumën e përgjithshme të 700 milionë eurove, afërisht baras me 1.5 milionë DM të kërkuara nga qeveria e Shqipërisë në vitet 1980…

Në 20-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ekonomik, që nis të zbatohet qysh në vitin 1988, pavarësisht se në kalendarin politik të kohës, sikurse del dhe nga deklaratat që përmban botimi jubilar "Tetori gjerman" (Tiranë, 2008), koha e bashkëpunimit del se ka nisur "vetëm pas vendosjes së demokracisë pluraliste", jo deklarativisht, por matematikisht mund të raportohet e të njihet si fakt një herë e mirë se SHANSI GJERMAN u fitua prej shqiptarëve, por edhe shteti mik, realizoi plotësisht qëllimet e veta.

Sot, dy Gjermanitë janë të bashkuara, ndërsa Kosova po shkon në rrugën e procesit të pavarësimit. Në këtë kuptim, shanset e bashkëpunimit janë përfituar jo vetëm në prani ekonomike, kulturore e shkencore, por edhe politikisht, nëse u referohemi edhe qëllimeve që diplomatikisht nuk mund të shpalleshin aso kohe. Të gjithë bashkë duhet ta shkulim njëherë e përgjithmonë mendësinë e një ëndrre të vjetër, e cila do të na kish bërë të pasur po aq sa dhe lugët e florinjta që kishim dëgjuar aty pas viteve të luftës, çeqet e bardhë që do na vinin nga lartësitë e Stonehenge-it, dollarët "romantikë" të Becker-it, apo firmat rentiere të ish-oficerëve të Sigurimit, që pritej ta kthenin popullin tim infantil në një popull që gjumonte me përrallat me opium të Sheherazades së bukur të Orientit. Për ta, por dhe për të tjerë që përjargen duke u mëshuar gabimeve të një të kaluare, historia e re e Shqipërisë që nuk pret më shanse, s‘ka më as kohë t‘i vonojë ato.

Nga përshëndetja e z. Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë (botuar në "Tetori gjerman", Tiranë 2008, f. 6-7)

Ky bashkëpunim zë fill në vitet e fundit të diktaturës komuniste. Në ato vite, kur varfëria e skajshme dhe rrënimi i gjithanshëm ekonomik e social kishin pllakosur gjithë vendin, qeveria e RFGJ-së i lutej regjimit diktatorial të hiqte dorë nga vetizolimi dhe të pranonte ndihmën për mbështetjen e popullit shqiptar prej qeverisë gjermane, për të nxitur zhvillimin ekonomik të vendit. Përmbysja e diktaturës komuniste dhe vendosja e demokracisë në Shqipëri krijuan shtratin e natyrshëm për fillimin e një bashkëpunimi intensiv të gjithanshëm midis dy vendeve tona. Në këto 18 vite tranzicion, Gjermania është vendi që i ka dhënë Shqipërisë ndihmën më të madhe ekonomike për frymë të popullsisë. Ndihma e saj për Shqipërinë arrin shumën 700 milionë euro

Nga fjala përshëndetëse e Bernd Borchardt, ambasador i Gjermanisë në Tiranë (botuar në "Tetori gjerman", Tiranë 2008, f. 10)

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më 1987-ën, në vitin 1988 u hodhën themelet e bashkëpunimit ekonomik e politik ndërmjet dy vendeve. Qysh atëherë Republika Federale e Gjermanisë e ka mbështetur Republikën e Shqipërisë me më shumë se 700 milionë euro në formën e ndihmës dy e shumëpalëshe



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›