E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambicia e Metës: Do fitoj zgjedhjet e 2009-s



LSI shpreh ambicien për të dalë partia e parë

Kreu i saj thotë se kjo është detyrë, jo dëshirë

Lëvizja Socialiste për Integrim, që sot shihet si forca e tretë në spektrin politik shqiptar, ka shprehur hapur ambicien për të qenë forca e parë politike në zgjedhjet e reja. Një ambicie kjo, që u artikulua dhe në vitin 2005, kur LSI merrte për herë të parë pjesë në zgjedhje dhe nga ku doli, pa mbështetje të asnjë partie të madhe, të siguronte 6 deputetë në Kuvend. Por pas një suksesi të dukshëm në zgjedhjet vendore të vitit 2007, kur doli në koalicion me Partinë Socialiste dhe fitoi të gjitha zonat ku kandidoi, kjo lëvizje politike po tenton që të futet në arenën politike si parti e madhe, duke synuar madje dhe fitoren e zgjedhjeve. Më së shumti, kjo ambicie nënkupton qartë se LSI po tenton të dominojë spektrin e majtë, duke kërkuar të lërë në hije PS-në, për të qenë vetë forcë lidere. Këtë ambicie e ka artikuluar dje për herë të parë kreu i kësaj partie, Ilir Meta, i cili në një takim në një njësi bashkiake në Tiranë duket se ka hapur dhe siparin e fushatës elektorale, fushatë e cila drejtohet drejt dy kundërshtarëve, Edi Ramës dhe Sali Berishës. “Objektivi ynë për të fituar si LSI dhe si koalicion në zgjedhjet e vitit 2009 nuk është një dëshirë, por është një detyrë. Një detyrë përpara vendit që kërkon një zgjidhje”, - tha Meta, ndërkohë që vuri në një peshore Ramën dhe Berishën në akuzat e tij. Duke i akuzuar për bashkëpunim, Meta u shpreh se “gara do jetë me të vërtetë e vështirë, sepse përballë kemi dy kundërshtarë, të cilët nuk do të donim të ishin së bashku, por ju e dini që për fat të keq ata kanë një vit që nuk dallojnë fare nga njëri-tjetri në të gjitha qëndrimet e tyre, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda për sistemin tonë demokratik dhe kushtetues, por edhe për vetë atë balancë pozitë–opozitë, e cila nuk duhet të jetë false dhe nuk duhet të jetë e trukuar”. Duke i kushtuar vëmendje sidomos PS-së, me të cilën nuk arriti të bënte negociata për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, kreu i LSI-së theksoi se “ajo që ka ndodhur me lidershipin e PS-së, ka shërbyer në dobësimin e opozitarizmit në vend, ka shërbyer në mbulimin e korrupsionit galopant dhe skandaloz që kulmojë me tragjedinë e Gërdecit, thjesht dhe vetëm për interesa të lidershipit të kësaj partie dhe jo për interesa të socialistëve të thjeshtë, të cilët nuk japin leje ndërtimi”. Veçmas Meta sulmoi Ramën dhe si kryetar bashkie, duke thënë se “nuk mund të jetë garant për të vendosur një qeverisje që bazohet mbi ligjin, mbi drejtësinë sociale, një kryetar bashkie, i cili dhunon së bashku me institucionet që ka në varësinë e tij, pronën e qytetarëve. Nuk mund të jetë garant për të vendosur ligj e drejtësi në një vend një kryetar bashkie, që ka frikë dhe tmerr nga zgjedhjet e lira”. Ai premtoi ndëshkimin politik të kundërshtarëve dhe një program të qartë e konkret ekonomik dhe social. Meta po mbështetet në këtë fushatë dhe nga analistë të njohur. Në takimin e djeshëm ishte Artur Zheji, i cili u shpreh se “përgjigjja e pyetjes pse ekzistojmë, është që ne duam të jemi të lirë, duam të jemi të lirë të ndërtojmë një jetë të shëndetshme, morale, të familjes e të jetës sonë, apo duam të jemi thjesht njerëz pa fytyrë, pa emër, pa personalitet, të jemi një turmë, siç na shohin ata, siç e shohin ata popullin në përgjithësi? E veçanta e këtij subjekti politik, i cili është bërë dhe po bëhet gjithmonë më i dashur për mua personalisht, është se mbështetet tek njeriu, te komunikimi drejtpërdrejt me hallet që kanë njerëzit”.

Letra e munguar

Duke folur për ftesën zyrtare të dërguar kryetarit të PS-së, për të diskutuar për standardet e zgjedhjeve, Meta tha se “kam dy javë që i kam dërguar një letër për t’u takuar dhe për të biseduar për problemin e standardit të zgjedhjeve, meqenëse Presidenti e ktheu kodin, sepse ishte një kod i papjekur, ishte një kod shtatanik dhe i dështuar, ndërsa, ai ka dy javë dhe nuk kthen dot një përgjigje zyrtare”. “Si mund të ketë politikë të re pa dialog? Si mund të ketë politikë të re, duke mohuar elementin më fillestar, dialogun?”, - u shpreh kreu i LSI-së, Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›