Propozimet e bazës për kryetar të PD-së së Tiranës
Propozohen deputetët e PD-së së Tiranës
Përnaska, Nishani, Bumçi, Paloka e Bregu në listë
Të gjithë deputetët aktualë të PD-së së Tiranës, por dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar janë propozuar nga baza për të garuar për postin e kryetarit të ri të PD-së së kryeqytetit. Duket se deputetët kanë më shumë ndikim tek anëtarësia e partisë sesa të zgjedhurit e tjerë të strukturave të PD-së. Anëtarësia e demokratëve të Tiranës, gjatë mbledhjeve të seksioneve, të cilat janë bërë edhe më intensive gjatë ditëve të fundit në kryeqytet, kanë dalë me propozime konkrete. Deri tani mësohet të jenë propozuar deputetët Besnik Mustafaj, Aldo Bumçi, Edi Paloka, Bujar Nishani, Majlinda Bregu, Lajla Përnaska etj. Por në listën e të propozuarve të bazës figurojnë dhe Gjergj Bojaxhiu, Arta Sakja, Arben Xhiku, Sajmir Shehri etj. Propozimet janë bërë sipas ndarjes së njësive bashkiake, duke praktikuar një rregull të pashkruar, atë të influencës së deputetëve të zonës dhe grupeve të punës mbi anëtarësinë për të propozuar emrat e këtyre të fundit. Përkatësisht deputeti Mustafaj është propozuar në zonën e tij elektorale, bashkë me Aldo Bumçin dhe anëtaren e këshillit kombëtar, Arta Sakja. Në zonën e Kombinatit baza ka preferuar deputetin e vet, Bujar Nishani, ashtu siç ka ndodhur në zonën e Edi Palokës, e kështu me radhë. Në bazë të statutit të PD-së, propozimet për kryetarin e ri të Tiranës i bën baza, të cilat më pas përzgjidhen nga kryesia qendrore. Zyrtarisht kandidaturën për kreun e ri të demokratëve të kryeqytetit e ka shpallur vetëm Besnik Mustafaj, ndërkohë që të gatshëm për një garë të tillë janë deklaruar edhe Edi Paloka dhe Gjergj Bojaxhiu.
Në prag të zgjedhjeve të reja, PD-ja ka ndryshuar dhe mënyrën e organizimit, duke mënjanuar disa nga strukturat e partisë, të kushtëzuara nga sistemi i ri elektoral. Përmes zgjedhjeve të brendshme synohet dhe afrimi në PD i individëve, që aftësitë e tyre janë provuar në administratën shtetërore. Gara elektorale për drejtuesit e rinj të PD-së së Tiranës ka marrë të gjithë vëmendjen e qeverisë. Anëtarët e kabinetit qeveritar, që janë pjesë e kryesisë së partisë, janë ata që merren direkt me organizimin dhe funksionimin e zgjedhjeve të reja në Tiranë. Zgjedhjet në dy qarqet kryesore të vendit, sipas vendimit të fundit të kryesisë së PD-së, drejtohen nga kryetari Sali Berisha dhe konkretisht në Tiranë dhe Durrës. Ai do të kontrollojë nga afër 11 grupet e kryeqytetit, në përputhje dhe me numrin e minibashkive në Tiranë. Çdo grup pune, përveç kryetarit, ka dhe 10 anëtarë që përzgjidhen nga këshilli kombëtar i PD-së. Çka do të thotë se 110 të zgjedhur të PD-së do të merren posaçërisht me zgjedhjet në kryeqytet. Kurse anëtari i kryesisë, Gent Strazimiri, së bashku me një tjetër grup pune, është ngarkuar vetëm për zgjedhjet në komunat dhe bashkitë e rrethit të Tiranës. Secili prej krerëve të grupeve të punës mbikëqyr dhe përgjigjet direkt për një nga minibashkitë e kryeqytetit. Në listën e kryetarëve nuk figurojnë të gjithë deputetët e PD-së, që janë zgjedhur në kryeqytet. Sipas ndarjes që ka bërë kryesia e PD-së, në minibashkinë nr. 1 në Tiranë është emëruar, Sokol Olldashi, në minibashkinë nr. 2, Jemin Gjana. Në minibashkinë nr. 3 zgjedhjet do të jenë nën kujdesin e Astrit Patozit, kurse në atë nr. 4 do mbikëqyren nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode. Genc Rulit i është besuar një prej zonave më të vështira, ajo e ish-bllokut, që figuron si minibashkia nr. 5, ndërkohë që në minibashkinë nr. 6 do të merret anëtari i kryesisë, Ilir Rusmali. Lulzim Basha do ketë në vëmendjen e plotë minibashkinë nr. 7. Anëtari tjetër i kryesisë, Aldo Bumçi, është emëruar në minibashkinë nr. 8, kurse nënkryetarja demokrate, Jozefina Topalli rezulton në atë nr. 9. Halit Shamata dhe Majlinda Bregu respektivisht përgjigjen për minibashkitë nr. 10 dhe nr. 11. Gara zgjedhore për Tiranën konsiderohet si më e rëndësishmja për PD-në dhe aktualisht ka vetëm një kandidat zyrtar, që pretendon kreun e degës më të madhe të PD-së. Ai është Besnik Mustafaj dhe pritet që përballë tij në këtë garë të dalë dhe drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Gjergji Bojaxhiu. Përveç kryetarit të ri të demokratëve të kryeqytetit, do të zgjidhen edhe 11 kryetarët e minibashkive të Tiranës.