E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet në atdhe kontingjenti i parë ushtarak

Komandot shqiptare i japin lamtumirën Irakut

Oketa falënderon komandot dhe SHBA-në

Për 5 vjet me radhë mbrojtën lirinë në Irak, kurse dje në mesditë i dhanë lamtumirën, pasi kryen me sukses misionin ushtarak dhe u kthyen në atdhe. Të shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, në aeroportin e “Nënë Tereza” mbërriti kontingjenti i parë prej 95 ushtarakësh paqeruajtës, të cilët ishin në Irak si pjesë e misionit “Liria e Irakut”. Ata shërbyen për ruajtjen e aeroportit të Bagdadit. Ndërkaq, kontingjenti tjetër prej rreth 120 ushtarakësh pritet të kthehet në ditët në vijim. 1.338 ushtarakë kanë shërbyer që prej vitit 2003 në operacionet e paqes për lirinë e Irakut. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, falënderoi komandot, SHBA-në dhe forcat aleate të NATO-s, për ndihmën logjistike që i dhanë misionit në Irak. Familjarë, miq dhe të afërm kanë pritur në aeroportin “Nënë Tereza” avionin që kthente në atdhe trupat komando. Ceremonia zyrtare u zhvillua rreth orës 13:00 të ditës së djeshme. Vetë ministri i Mbrojtjes, Oketa, mbajti fjalën e falënderimit dhe u ka shprehur mirënjohjen komandove, që ditën të mbanin lart flamurin shqiptar në këtë mision të vështirë. “Patëm mundësi të dëgjojmë vlerësimet maksimale për trupat tona. Në emër të qytetarëve dhe qeverisë, i shprehim mirënjohje këtyre ushtarakëve, që kanë ditur të mbajnë lart dhe me nder flamurin shqiptar dhe të përmbushin detyrën e tyre”, - tha ministri Oketa. Më pas, Oketa shprehu mirënjohje më të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për Vendet Aleate të NATO-s, që përkrahën trupat shqiptare në këtë mision të vështirë. “I shprehim mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë aleatëve të NATO-s, për suportin logjistik që u dhanë trupave tona për këto 5 vjet e gjysmë mision, duke bërë të mundur që ky mision të kryej me sukses". Ceremonia e uljes së flamurit u zhvillua të mërkurën në Mosul, Irak dhe në këtë ceremoni mori pjesë vetë ministri i Mbrojtjes, Oketa, si dhe shefi i Shtabit të Ushtrisë. Në Mosul kontingjenti i fundit që veproi ishte kontingjenti i 11-të Paqeruajtës. Rolin e komandove shqiptare e ka vlerësuar dhe shefi i forcave amerikane në Irak, gjeneral Austin. "SHBA ka shumë miq të shkëlqyer në Shqipëri. Për disa vite, shqiptarët kanë demonstruar përmes veprimeve se ata mbështesin përpjekjet tona për të sjellë stabilitetin dhe sigurinë në Irak. Mbështetja e Shqipërisë për operacionin “ndërhyrja e Irakut” ka nisur me ndërhyrjen ushtarake në 2003, që me lejimin e përdorimit të hapësirës ajrore. Menjëherë pas kësaj, Shqipëria siguroi ushtarët e saj më të mirë për të garantuar lirinë në Irak. Ne ju jemi shumë mirënjohës shqiptarëve që siguruan një forcë mbrojtëse për bazën e Marezit, aeroportin e Mosulit dhe forcën shumëkombëshe. Unë dua të falënderoj popullin dhe qeverinë shqiptare për shërbimin e palëkundur për Irakun dhe koalicionin. Ju keni sjellë siguri dhe shprese për popullin irakian", - u shpreh gjenerali Austrn. Angazhimi i Forcës së Bashkuar shqiptare në misionin e quajtur “Liria e Irakut” filloi në prill të vitit 2003 me dërgimin e kontingjentit të parë paqeruajtës, bazuar në ligjin nr. 9025, datë 13.03.2003. Në misionin “Liria e Irakut” kontribuuan kontingjente të Regjimentit Komando. Maqedonia priti dje në Shkup trupat maqedonase që zhvilluan misionin e tyre në Irak. Aktualisht në Irak vepron SHBA me 143 mijë trupa, Britania me 4.100 trupa, Rumania me 600 trupa, Australia me 300 trupa, El Salvador me 200 trupa, Bullgaria me 155 trupa Danimarka me 55 trupa, Lituania me 53 trupa dhe Estonia me 38 trupa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›