Ambiciet e Chávez-it dhe fatet e demokracisë në Amerikën Latine
Kur presidenti Hugo Chavez u kërkoi venezuelianëve për herë të parë, të eliminonin kufizimin në kohë të mandatit presidencial në dhjetor të vitit 2007, ata i thanë atij “ Jo”. Por, të dielën që shkoi, si i fiksuar pas idesë se ai nuk do të ndalej kurrë së kërkuari prej popullit të vet këtë dëshirë, derisa të merrte përgjigjen që donte, votuesit i thanë “Po”. Referendumi i dytë konstitucional në Venezuelë i mbajtur brenda 14 muajve, u aprovua me një rezultat prej 54% pro, kundrejt 45% kundra, duke e lejuar Chávez-in të marrë për një mandat të tretë gjashtëvjeçar pas vitit 2012 - dhe me shumë gjasa - edhe të tjerë pas tij.
Duke qëndruar në ballkonin e Pallatit Presidencial “Miraflores” e festuar fitoren e së dielës mbrëma me këmishën e tij të kuqe, turma socialiste thirri: "Sot, ne ia hapëm plotësisht dyert së ardhmes!" Chávez mund të ketë hapur, me shumë gjasa, një lloj tjetër shtegu për të ardhmen. Në më shumë se gjysmën e dytë të shekullit të 20-të , në Amerikën Latine ishte bërë normë kufuzimi i mandateve presidenciale në një të vetëm - një masë sigurie kjo e aftë për të penguar regjimet e përjetshme të sa e sa “kaudiljove” ( me këtë emër identifikohej dikur Franko në Spanjë e më vonë u bë simbol i diktatorëve në Amerikën Latine: shën. i përkthyesit). Kur demokracia nisi të forcohej në këtë kontinent , shumë vende votuan për t’ u lejuar liderëve të tyre të gëzonin një mandat të dytë.
Eliminimi i kufizimit të mandateve në Venezuelë, mund të vendosë një trend të ri, i cili, sipas atyre që i bëjnë opozitë refuzimit të tij, do të forcojë demokracinë, duke lejuar votuesit të vendosin se sa duhet të qëndrojë në pushtet një lider “popullor”. Përkrahësit e kufizimit të mandateve, thonë se gjithsesi, triumfi i Chávez-it vetëm se do ta çojë rajonin prapa në të shkuarën totalitare e autoritariste. "Ajo çka votuesit venezuelianë vendosin, është punë e tyre", thotë John Walsh, një studiues në Zyrën e Amerikës Latine në Uashington, një institucion i pavarur. "Por nuk ngjan të ketë ndodhur ndonjë tragjedi". Në Kolumbinë fqinje, mbështetësit e presidentit konservator, Alvaro Uribe, të cilët mandati i dytë e në terma kushtetues, i fundit, i skadon vitin e ardhshëm, po tentojnë të fusin një amendament në kushtetutë, i cili do ta lejojë atë të konsumojë edhe një të tretë, nëse fiton. Por, ashtusikurse përkrahësit e Chávez-it që insistojnë se vetëm ai burrë mund të vazhdojë me reformat e tij populiste të cilat ai i nisi një dekadë më parë, shumë kolumbianë ndjejnë se vetëm Uribe mund ta rivitalizojë ekonominë e vendit dhe të përmirësojë sigurinë, të cilën ai ka dëshmuar se po e sjell dalëngadalë në vendin latinoamerikan të dërrmuar e të ndarë nga luftërat dhe terrori.
Uribe ndërkohë ka luajtur me kujdes në këtë çështje, duke mos deklaruar publikisht se nuk do e dëshironte një mandat tjetër, por njëkohësisht, as duke mos e mohuar një gjë të tillë. “Të urtët” thonë se ata do të shokoheshin, nëse do ta shihnin Chávez-in duke mos shfrytëzuar rastin, për të luftuar që ai ta trajtojë këtë çështje me të njejtën mënyrë.
Përgjatë Andeve në Ekuador, një referendum kushtetues vitin që shkoi, i dha presidentit të majtë, Rafael Correa, shancin për të qeverisur deri në vitin 2017. Correa fillimisht fitoi në zgjedhjet e vitit 2006; kushtetuta e re ekuadoriane e lejon atë të gëzojë një mandat të ri katërvjeçar në një palë zgjedhje “special” gjatë këtij viti, dhe një tjetër në vitin 2013. Presidenti i majtë bolivian, Evo Morales, i cili u zgjodh në vitin 2005, ndërmori një “reformë” të ngjashme në një referendum muajin që shkoi. Pyetja tashmë është se nëse të dy liderët do të mund të ndjekin rrugën e aleatit të tyre Chavez e të kërkojnë kësisoj të drejtën për të hyrë në garë sa herë ua don qejfi, pa e vrarë mendjen për limitimin e kësaj mundësie. Diku gjetkë, vëzhguesit politikë po presin të shohin nëse presidentja argjentinase, Cristina Fernandez, sëbashku me paraardhësin e saj dhe bashkëshortin, Nestor Kirchner, do të përpiqen të relativizojnë kohëzgjatjen e mandateve. Tjetri në radhë është Presidenti Daniel Ortega në Nikaragua.
Derisa terreni politik në Venezuelë ka dëshmuar se ndryshon në mënyrë dramatike në këto katër vitet e fundit, Chávez duket se me siguri do të fitojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale në 2012. Fitorja e tij e fundit është një goditje për opozitën e vendit që po zien, e cila korri në fakt disa fitore impresionuese gjatë vitit që shkoi në zgjedhjet rajonale , por duket se humbi kontrollin dhe nuk gjeti dot konsensusuin mes vetes për të gjetur çelësin për të rrëzuar Chávez-in, siç bëri në plebishitin e 2007. Liderët opozitarë e kapën, le të themi, disi në gjumë Chávez-in në atë kohë, e ai dështoi në marrjen e pikëve në maksimum nga baza e tij në sondazhe — por ajo kohë u shërbeu mbështetësve të tij të korrigjonin shënjestrën e të shfaqeshin sërish. Votimi i së dielës pati një përqindje prej 32% abstenuesish, dhe vëzhguesit zgjedhorë thonë se shumica e atyre që nuk u shfaqën në ato zgjedhje, duke preferuar të rrinin në shtëpi apo të mos votonin asnjë prej kandidatëve, ishin në fakt në anën e opozitës. Shumë nga këto mund t’u atribuohen thjesht dhe vetëm lodhjes së votuesve: referendumi ishte i treti në radhën e zgjedhjeve mbarë kombëtare në Venezuelë që nga dhjetori i 2007-s.
Armiqtë dhe kundërshtarët e Chávez-it ia kanë frikën faktit se mos ai me këto hapa ka ndërmend të instalojë në vend një lloj versioni të zgjedhur në mënyrë demokratike të autokracisë së tipit “Fidel Kastro”. Fansat e tij ndërkohë, shprehen se disa vende demokratike si Franca, ua lejojnë liderëve të tyre të rizgjidhen e të rikandidojnë sa herë që duan pa u vënë limite. Por, analistët thonë se Franca ka më shumë institucione politike të zhvilluara e të sigurta që mundësojnë kësisoj kontrollin dhe balancën mbi pushtetet ekzekutive dhe personat me pushtet. E ky, sigurisht që nuk është rasti më i mirë për t’ u aplikuar në Amerikën Latine, argumenton Walsh, i cili thotë se Chavist-ët" do të ndjehen të mashtruar më vonë nëse tani mendojnë se ato institucione do të funksionojnë e do ta përmbushin detyrën e tyre edhe më pas, në të njejtën mënyrë siç po bëjnë aktualisht në Venezuelë". Walsh thotë se Chávez tashmë ka një kontroll akoma të pasistemuar e të sigurtë mbi legjislativin e vendit dhe degët e gjyqësorit. Nëse, siç pritet më së shumti, Chávez tashmë do të lëvizë drejt radikalizimit të projekteve të tij socialiste, ai mund t’ i dobësonte ato në vijim. Ambasadori i mëparshëm i Chávez-it në SHBA, Bernardo Alvarez, nuk bie dakord me këtë qëndrim, duke thënë se: "Chávez ka pasur çdo rast e mundësi që në dhjetë vitet e shkuara të bëhej diktator, dhe ai nuk e bëri këtë ", thotë ai. "Në vend të saj, ai ka krijuar një demokraci reale këtu në vend, duke sjellë ndryshimin, dhe nën qeverisjen e tij, ato institucione do të vazhdojnë të forcohen edhe më shumë". Akoma nuk ka pasur ndonjë reagim nga “Departamenti i Shtetit” deri më tani, para se të niste procesi i votimit . Ky i fundit, u shpreh vetëm se referendumi i mbajtur në Venezuelë, ishte një çështje e brendshme e venezuelianëve. Përtej deklaratave gjatë fushatës së tij, vitin që shkoi, ku thuhej se ai do të ishte i gatshëm të takohej me Chávez-in, Presidenti amerikan, Barack Obama, në një intervistë të kohëve të fundit u shpreh kritik ndaj Venezuelës dhe qëndrimeve të saj antiamerikane. Uashingtoni tashmë do të presë e të shohë nëse Chávez, i cili kontrollon rezervat më të mëdha në naftë të hemisferës perëndimore, do të mund të ruajë influencën e tij agressive në rajon —dhe të mbijetojë politikisht në shtëpinë e vet — nëse çmimet e naftës nuk pësojnë kthim prapa dhe nëse ekonomia e vendit nuk do të rrëshkasë në krizë. "Ekspertët e tregjeve mendojnë se çmimet e naftës do të ngrihen së shpejti në atë masë, saqë Chávez nuk do të duhet të gërmojë thellë në rezervat e tij të jashtme, të cilat kapin shifrën e rreth 25% të GDP-së së Venezuelës", thotë Mark Weisbrot, kreu i Qendrës së Politikave Ekonomike dhe Kërkimeve në Uashington. "Kështu që unë nuk mendoj se Chávez do të ketë ndonjë problem të madh për t’a menaxhuar krizën". Por ekonomistë të tjerë thonë se Chávez nuk do të jetë i aftë të mbajë në nivel situatën komode sociale në shtëpi dhe të ashtuquajturën “petro-diplomacy” jashtë vendit , e cila e ka bërë atë bartësin e shiritit të simbolit të rilindësit të së majtës në Amerikën Latine.
Chávez gjithashtu mund të humbasë terren politik në shtëpi nëse Obama do ta godasë atë për qëndrimet e tij antiamerikane e retorikën nacionaliste, ashtusikurse ka bërë edhe paraardhësi i tij, George W. Bush shpesh më parë. Chávez, së fundmi ka vënë re se Obama duket të ketë të njejtën këmbëngulje sikurse Bush, por gjatë fundjavës së shkuar, ai tha se do të dëshironte të takohej me liderin e ri amerikan para “Samitit të Amerikave” në muajin prill në Trinidad. Obama tashmë ka ftuar zyrtarisht presidentin Brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, në Shtëpinë e Bardhë muajin e ardhshëm; një shenjë kjo se ai do të preferonte të merrej vesh me një majtist më të moderuar në rajon, se sa liderin venezuelian apo ndonjë tjetër. Problemi i vetëm është se mandati i dytë e ai i fundit i Lula Da Silvës, përfundon vitin e ardhshëm. Chávez tashmë duket se ka ndërmend të qëndrojë “disi” më gjatë.
*Marrë nga Revista TIME, e hënë, 16 shkurt 2009
Përgatiti: Armand Plaka