Ambsadori britanik në Kosovë, Cliff: Banorët e veriut të Kosovës duhet të jenë nën ombrellën e Kosovës
KOSOVE-Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff ka komentuar marrëveshjen Kosovë-Serbi që u arrit në Bruksel. Sipas tij ajo nuk është zgjidhja ideale, por për banorët në veri është e rëndësishme që zgjedhjet lokale të jenë të suksesshme. Serbët të dalin dhe të votojnë në zgjedhjet që të zhvillohen përpara muajit nëntor.
Diplomati britanik tha më tej se marrëveshja Prishtinë-Beograd për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, i ofron mbrojtje serbëve përmes Asociacionit të Komunave Serbe, të cilin e përkrah edhe qeveria e Serbisë.
Çdo marrëveshje tjetër e cila nuk nënkupton ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës do të ishte e keqe për rajonin dhe shtetet fqinjë. Sipas ambasadorit ekzistojnë dy parime për stabilitetin në Ballkan.
“Ato janë integriteti territorial dhe parimi i vetëvendosjes. Andaj, ne mbështesim integritetin territorial të Kosovës në kufijtë që kishte në ish-Jugosllavi. Për këtë arsye, banorët e veriut të Kosovës duhet të jenë nën ombrellën e Kosovës”, citohet të ketë thënë Cliff.
Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff i ka bërë këto deklarata gjatë një një intervistë për televizionin Most.
(a.h/BalkanWeb)