Amendimet e PDIU, të dhënat do të ballafaqohen me gjendjen civile
TIRANË Në kuorumin limit, 71 deputetë të mazhorancës, në mungesë të deputetëve të opozitës, votuan dje projektligjin për regjistrimin e popullsisë. Drafti i bërë publik vetëm një javë më parë, dhe i diskutuar në Komisionin e Ligjeve, ka pësuar dje ndryshimet e fundit, pas paraqitjes së tre amendamenteve të PDIU-së. Gjithçka mes dy forcave politike PD-PDIU dukej se ishte arritur paraprakisht, sa kohë që deputetët demokratë nuk kanë vënë në diskutim dy prej amendimeve të PDIU-së, duke i votuar ato pa asnjë kundërshtim. Amendamentet e propozuara dje nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, ndalojnë censusin mbi baza etnike dhe fetare me vetëdeklarim. Kjo do të thotë, me amendamentet e miratuara dje në Kuvend, INSTAT do detyrohet, që jo vetëm të hetojë çdo deklaratë për kombësinë, por edhe t’i ballafaqojë ato me regjistrin për gjendjen civile. Duke iu referuar amendimeve të PDIU-së, nëse dikush gënjen për kombësinë e tij në pyetësor, jo vetëm që ai do të dënohet me gjobën 100 mijë lekë të reja, por INSTAT do të jetë i detyruar që të përfshijë në statistikat zyrtare të dhënat e sakta, pra ato që gjenden në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Amendamenti i tretë i PDIU-së që nuk u miratua nga Kuvendi, ndalonte në mënyrë taksative censusin mbi baza fetare, duke kufizuar mundësinë e pyetjeve të pyetësorit të censusit. Mosmiratimi i këtij amendamenti, që do t'i jepte fund debatit mbi regjistrimin, bëri që PDIU-ja të abstenojë në votimin e projektligjit. Megjithatë miratimi i dy amendamenteve të tjera është konsideruar nga PDIU-ja një sukses pasi heq mundësinë e abuzimit me këtë census. “PDIU-ja do të bëjë çmos që censusi të mos bëhet mbi baza etnike dhe fetare, por kjo është në kompetencë të Komisionit Qendror të Censusit, mbi të cilin do të ushtrohet presioni i nevojshëm pozitiv, që të mos fus pyetje mbi etninë dhe fenë, të cilat në mendimin tonë janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve, kombit dhe shtetit shqiptar”, - thuhet në njoftimin për shtyp të PDIU-së, pas votimit të projektligjit në Kuvend.
Akuza e qeverisë
“Me këtë projektligj nga shumë persona publikë, përfshi edhe disa zyrtarë faqezinj, të cilët kanë dalë me votat tona para disa vjetësh, përfshi edhe me votën time, dhe që na lënë të rrimë e të sodisim se si degradojnë dhe përçudnojnë ofiqet që kanë, dhe përpiqen të përbaltin çdo punë tjetër të mirë që ne të gjithë sëbashku, me përpjekjet, arritjet dhe mosarritjet tona, ndërshmërisht përpiqemi të bëjmë”. Kjo ishte deklarata e ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, Genc Pollo, dje në Kuvend, teksa ka kërkuar votat e deputetëve për miratimin e projektligjit. Deklarata në fjalë është vijim i qëndrimeve të njëpasnjëshme, që përfaqësues të qeverisë po mbajnë ndaj lëvizjeve të fundit të aleancës “Kuq e Zi”, të cilët janë kundër regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare. Ndërkohë me miratimin e ligjit, fjala kyçe “regjistrim” është zëvendësuar me fjalën “census”. “Census” nënkupton mbledhjen e informacionit me anë të pyetësorëve dhe përpunimin e të dhënave të tilla, në mënyrë që të sigurojë një numërim të plotë të të gjithë individëve, familjeve dhe banesave dhe të ndërtesave të shfrytëzuara për qëllime banimi brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në një moment të vetëm në kohë, si dhe prodhimin e statistikave në lidhje me karakteristikat demografike ekonomike dhe sociale të popullsisë së Shqipërisë. Të dhënat e mbledhura nga censusi do të shërbejnë vetëm për statistikë. Ato nuk do të përdoren për asnjë listë elektorale apo përditësimin e asnjë regjistri të gjendjes civile dhe të asnjë regjistri tjetër administrativ.
N.Perndoj
Amendamenti i parë dhe amendamenti i tretë i PDIU-së,
që u miratua dje në Kuvend sanksionojnë që:
1. Pyetjet fakultative (si feja, kombësia, apo çdo lloj pyetje tjetër, që mund të vihet si fakultative në formular) do të duhet të marrin përgjigje të sakta dhe të plota, përndryshe personat do të gjobiten në masën 100 mijë lekë.
2. INSTAT detyrohet që të hetojë të dhënat e vetëdeklaruara nga individët me regjistrat, përfshi edhe regjistrin mbi gjendjen civile. Synimi është që këto të dhëna të jenë objektive dhe askush të mund të mashtrojë mbi kombësinë.