INSIG, Kuvendi: “Ok” ndryshimit të formulës së privatizimit
Me 73 vota pro dhe pa prezencën e opozitës në sallë, Kuvendi miratoi dje projektligjin për disa ndryshime në ligjin nr. 10168, datë 22.10.2009 “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG sh.a”. Ministri i Financave, Bode, gjatë fjalës së tij deklaroi se në fillim të vitit 2009 u duk se privatizimi do të ishte i suksesshëm, ndërsa vlerësimi i kompanisë nga këshilltari për privatizimin u krye gjatë 2008. Sipas tij, zhvillimet në tregjet globale dhe dalja nga kriza, nuk konfirmuan të njëjtat kushte dhe të njëjtin interes të kapitalit, për të investuar në tregun financiar. Bode informoi gjithashtu se kompania e interesuar për blerjen e INSIG, ka njoftuar përmes një letre Ministrinë e Financave, për ofertat e paraqitura që ato janë në shuma të limituara, me vlerësimin fillestar gjatë vitit 2008. “Këshilltari përmend ofertat më të ulta, pasi çmimi aktual është caktuar para krizës botërore, dhe nuk reflekton vlerën reale që ka sot kompania INSIG. Në këtë kuadër, këshilltari ka rekomanduar heqjen e kufizimit të çmimit në kuadrin ligjor, ose azhornimin e një tjetër çmimi, për interesin e blerësve të mundshëm të kësaj kompanie në tregun tonë”, u shpreh ministri.