Kuvendi zgjat hetimin për 21 Janarin, “djeg” komisionin “Braçe”
Shtyhet me gjashtë muaj hetimi parlamentar për demonstratën e opozitës dhe ai për masakrën e Tivarit. Komisioni “Braçe” për Kuvendin përfundon më 17 korrik
Mazhoranca nuk tërhiqet nga komisioni hetimor për ngjarjet e 21 janarit 2011. Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje shtyrjen e afatit të punës për dy prej komisioneve hetimore me 73 votat pro të deputetëve të mazhorancës, ndërsa ligjvënësit e opozitës mungonin në sallë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi se ka mbërritur propozimi për shtyrjen me gjashtë muaj të tjera të afatit të punës së komisionit, për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal, për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011. Fillimisht ky komision u krijua me vendimin Nr.82, datë 23.1.2011 të Kuvendit dhe tre muaj më pas ju zgjat afati edhe me tre muaj të tjerë. Gjatë javëve të para të punës së tij, komisioni thërriti në seancë dëgjimore krerët më të lartë të shtetit, në lidhje me demonstratën e dhunshme të opozitës dhe ngjarjet që ndodhën rreth godinës së Kryeministrisë. Në listën e komisionit figuronin për t’u dëgjuar Presidenti Bamir Topi, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryeministri Sali Berisha, kryeprokurorja Ina Rama, shefi i Shërbimit Informativ Bahri Shaqiri, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Nga e gjithë kjo listë u bë e pamundur përballja e kreut të shtetit, Bamir Topi, me këtë komision dhe mes dy palëve u shkëmbyen disa replika ligjore, nëse i takonte apo jo Presidentit të paraqitej para komisionit “Halimi”. Sakaq, shefi i SHISH-it Bahri Shaqiri, gjithashtu, nuk u shfaq në seancën dëgjimore për shkak se ndaj mazhorancës u ushtrua një presion ndërkombëtar, për të mos vendosur shërbimin sekret në llogaridhënien para Kuvendit, duke e përzier me atë çka ndodhi në 21 janar. Mungesa e certifikatave të sigurisë, nga ana e anëtarëve të komisionit, e shtyu paraqitjen e Shaqirit në komision dhe deri më sot ai ende nuk ka realizuar dëshminë e tij. Sakaq, kryeprokurorja Ina Rama u paraqit vetëm pak minuta dhe deklaroi se nuk mundet tu përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të komisionit, për shkak se çështja ishte nën hetimin e organit të akuzës. Debati tjetër në të cilin u përfshi komisioni hetimor, ishte ai i mbledhjes së tabulateve telefonike, të krerëve të shtetit dhe të disa prej gazetarëve dhe analistëve kryesorë të opozitës. Pas reagimit publik, komisioni u tërhoq nga kjo kërkesë disa ditë pasi ja dërgoi me shkrim operatorëve telefonikë. Në seancën e djeshme, Kuvendi miratoi gjithashtu shtyrjen me gjashtë muaj të komisionit hetimor për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të masakrës së Tivarit të vitit 1945. Ky komision u ngrit me vendimin Nr.45, datë 15.7.2010 dhe kishte të drejtën të ushtronte veprimtarinë e tij për në afat 12-mujor. Ajo çka mbetet në pikëpyetje është fati i komisionit të tretë hetimor, i propozuar dhe drejtuar nga opozita dhe me objekt “hetimin e drejtimit dhe veprimtarisë së organeve drejtuese dhe shërbimeve të Kuvendit për periudhën shtator 2005-dhjetor 2010. Komisioni “Braçe” u miratua më datën 17.3.2011 dhe kishte një afat veprimtarie katër mujore. Më datën 17 korrik zyrtarisht ky komision përfundon mandatin e tij dhe nëse në seancën e ardhshme nuk do të miratohet shtyrja atëherë mund të konsiderohet “i djegur”. D.Malaj